Dy rastet e para të personave të infektuar me koronavirus janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar, nga autoritete e shëndetit publik atje.
Pacientët, të cilët janë anëtarë të së njëjtës familje, po trajtohen nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në veriperëndim të Anglisë.
“Jemi duke përdorur procedura të testuara të kontrollit të infeksionit për të ndaluar përhapjen e virusit”, tha Prof. Chris Whitty në një deklaratë për mediat, duke shtuar se po punohet për identifikimin e personave të tjerë që kanë pasur kontakte me pacientët e infektuar, raporton CNN.
Ndërkohë, në Gjermani ka shkuar në 5 numri i të infektuarve. Rasti është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë e Landit të Bavarisë. Pacienti, mashkull, ishte i punësuar në të njëjtin vend ku punonin edhe 4 personat e infektuar, të cilët e kishin marrë virusin nga një kolege që kthehej nga Kina. Kjo e fundit, shtetase kinez, ishte me origjinë nga Shangai dhe që prej diagnostikimit është rikthyer në vendlindje. /A2CNN