Në shtator Xi do të takohet me krerët e shteteve dhe qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE-së në samitin BE-Kinë që do të mbahet në Leipzig. Europianët duhet të kuptojnë se kjo do t’i japë atij një fitore politike shumë të nevojshme nëse ai nuk mbahet përgjegjës dhe nuk pyetet për dështimin e tij për të respektuar dhe mbështetur të drejtat e njeriut, sidomos në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong.
Nga George Soros
As publiku europian dhe as liderët politikë dhe të bizneseve europiane nuk e kuptojnë plotësisht kërcënimin që përbën Kina e Xi Jinping. Edhe pse Xi është një diktator që po përdor teknologji të përparuar në përpjekje për të imponuar kontroll të plotë në shoqërinë kineze, europianët e konsiderojnë Kinën kryesisht si një partner të rëndësishëm biznesi. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se që kur Xi u bë president dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës (CPC), ai ka krijuar një regjim, parimet udhëzuese të të cilit janë diametralisht të kundërta me vlerat mbi të cilat u themelua Bashkimi Europian.
Ngutja për të përqafuar Xinë është më e madhe në Britani, e cila është në procesin e ndarjes nga BE-ja, sesa në vetë BE. Kryeministri Boris Johnson dëshiron ta distancojë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja sa më shumë të jetë e mundur dhe të ndërtojë një ekonomi tregu të lirë që është e pakushtëzuar nga rregulloret e BE-së. Ai nuk ka gjasa të ketë sukses në këtë, sepse BE-ja është e gatshme të ndërmarrë masa kundër rregullave që duket se ka në mendje qeveria e Johnson. Por ndërkohë, Britania i ka vënë syrin Kinës si një partner të mundshëm, me shpresën për të rivendosur partneritetin që ish-Kancelari i Thesarit George Osborne po ndërtonte midis vitit 2010 dhe 2016.
Administrata Trump ka ecur shumë më mirë në menaxhimin e lidhjeve të saj me Kinën. Ajo zhvilloi një politikë dypartiake, e cila e deklaroi Kinën si një rival strategjik dhe e vendosi gjigantin e teknologjisë Huawei dhe disa kompani të tjera kineze në të ashtuquajturën “Lista e Entiteteve”, e cila i ndalon kompanitë amerikane të bëjnë tregti me ta pa lejen e qeverisë.
Vetëm një person mund ta shkelë këtë rregull pa u ndëshkuar: vetë Trump. Për fat të keq, ai duket se po e bën këtë vetëm duke e vendosur Huawei-n në tryezën e bisedimeve me Xinë. Që nga maji i vitit 2019, kur Shtetet e Bashkuara e vendosën atë në “Listën e Entiteteve”, Departamenti i Tregtisë i ka dhënë Huawei-t tre muaj kohë në mënyrë që të parandalojë vështirësitë e padrejta për furnitorët e komponentëve amerikanë të kompanisë.
Huawei është një kompani shumë e pazakontë, dhe në disa mënyra unike. Themeluesi i saj, Ren Zhengfei, e mori edukimin e tij teknik pjesërisht si anëtar i korpusit inxhinierik të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe kjo e fundit u bë një nga klientët e tij të parë më të mëdhenj. Në kohën e themelimit të Huawei në vitin 1987, e gjithë teknologjia e Kinës importohej nga jashtë dhe qëllimi i Ren ishte t’i zëvendësonte inxhinierët e teknologjive të huaja me studiues vendas. Ai ia doli mbanë për këtë.
Në vitin 1993, Huawei prezantoi sistemin më të fuqishëm të telekomunikimit në Kinë. Më pas, ajo siguroi një kontratë të rëndësishme nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës për të ndërtuar rrjetin e parë kombëtar të telekomunikacionit. Më pas ai përfitoi nga politika e qeverisë, e miratuar në vitin 1996, për furnizimin e prodhuesve të brendshëm të telekomunikacionit, që nënkuptonte gjithashtu mbajtjen larg të konkurrentëve të huaj. Në vitin 2005, eksportet e Huawei tashmë i tejkalonin shitjet e tij të brendshme. Në vitin 2010, Huawei u përfshi në listën globale të revistës Fortune si një nga 500 kompanitë më të mëdha.
Pasi Xi erdhi në pushtet, Huawei humbi çdo autonomi që mund të kishte gëzuar. Ashtu si çdo kompani tjetër kineze, ajo duhet të ndiqte urdhrat e Partisë Komuniste të Kinës. Deri në vitin 2017, kjo mbeti diçka e nënkuptuar, por me miratimin e Ligjit Kombëtar të Inteligjencës atë vit, kjo u bë një detyrim zyrtar.
Menjëherë pas kësaj, një punonjës i Huawei u përfshi në një skandal spiunimi në Poloni dhe kompania është akuzuar gjithashtu edhe për raste të tjera spiunazhi. Por spiunimi nuk është rreziku më i madh për Europën. Nëse infrastruktura më kritike të Europës do të jetë tërësisht në varësi të teknologjisë kineze, kjo do të thotë t’i hapësh derën shantazhit dhe sabotimit.
Unë e kam të qartë se nën drejtimin e Xisë, Kina paraqet një kërcënim për vlerat mbi të cilat u themelua BE-ja. Mesa duket, kjo nuk është e qartë për liderët e vendeve anëtare të BE-së, as për liderët e industrisë, sidomos në Gjermani.
BE-ja përballet me një sfidë të jashtëzakonshme: shumica e heshtur pro-europiane ka folur, duke thënë se shqetësimi kryesor i tyre është ndryshimet klimatike, por shtetet anëtare po luftojnë me njëri-tjetrin për buxhetin dhe janë më të fokusuar t’i bëjnë qejfin Xisë sesa në ruajtjen e marrëdhënies transatlantike.
Në vend që të luftojnë një betejë të humbur kundër sundimit të Huawei në tregun 5G, SHBA-ja dhe BE-ja, ose vetëm BE-ja, duhet të bashkëpunojnë për ta bërë Ericsson dhe Nokian konkurrentë të aftë.
Në shtator Xi do të takohet me krerët e shteteve dhe qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE-së në samitin BE-Kinë që do të mbahet në Leipzig. Europianët duhet të kuptojnë se kjo do t’i japë atij një fitore politike shumë të nevojshme nëse ai nuk mbahet përgjegjës dhe nuk pyetet për dështimin e tij për të respektuar dhe mbështetur të drejtat e njeriut, sidomos në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong.
Vetëm lidershipi politik kinez mund ta vendosë të ardhmen e Xisë. Dëmi i shkaktuar nga mënyra e gabuar se ai ai trajtoi shpërthimin e koronavirusit është bërë aq i dukshëm, saqë publiku kinez, dhe madje edhe byroja politike, duhet ta pranojë atë. BE-ja nuk duhet ta lehtësojë me vetëdije mbijetesën e tij politike.
Project Syndicate-Birn