Kina raportoi një rënie të fortë të numrit të vdekjeve dhe raste të reja me koronavirus të shtunën, por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëruan se është ende shumë herët për të bërë parashikime rreth situatës në kushtet kur po rriten rastet e të infektuarve rishtazi në vende të tjera të botës.
Autoritetet kineze njoftuan 397 raste të reja të premten, nga 889 një ditë më parë. Por shifrat janë rritur gjetkë si në Korenë e Jugut, Iran, Itali dhe Liban. Në Korenë e Jugut autoritetet thanë të shtunën se numri i të infektuarve është dyfishuar në 433 dhe sipas tyre mund të rritet në mënyrë të konsiderueshme, deri në 1 mijë vetë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka mirëpritur njoftimet që vijnë nga Kina, por tha se është e shqetësuar për numrin e të infektuarve në vende të tjera pa ndonjë lidhje të qartë me Kinën siç mund të jetë një vizitë atje apo kontakti me një person të infektuar, rreth të cilit autoritet kanë informacion.
“Shqetësimi ynë vazhdon të jetë i madh pasi virusi mund të përhapet kryesisht në vendet me një sistem të dobët shëndetësor”, tha kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas tij OBSH-ja ka kërkuar 675 milionë dollarë për të mbështetur më së shumti vendet e dobëta dhe shtoi se 13 vende në Afrikë shihet si përparësi për shkak të lidhjeve të tyre me Kinën.
Në total Kina ka raportuar 75.569 raste dhe 2.239 vdekje tha kreu i OBSH-së. Sipas të dhënave në dispozicion 20 për qind e pacientëve të infektuar janë në gjendje kritike. Koronavirusi i ri është përhapur në rreth 26 vende të botës, krahas Kinës, duke shkaktuar 13 vdekje.