Kompanitë nga Maqedonia e Veriut që bashkëpunojnë me kompani italiane, që eskportojnë ose importojnë nga Italia, kanë frikë se përhapja e koronavirusit të ri në rajonin italian të Lombardisë do të vështirësojë sigurimin e lëndës së parë. Ata po ashtu druajnë se koronavirusi do të prekë tregtinë që ata bëjnë me Italinë, veçanërisht në industrinë e tekstilit dhe këpucëve, pasi shumë kompani në Maqedoninë e Veriut kanë pronarë italianë ose punojnë me partnerë italianë.
Një nga kompanitë vendore që eksporton produkte ushqimore në Itali, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet mund të paraqiten gjatë furnizimit me mallra, nëse rriten masat e kontrollit në pikat kufitare në vendet ku tashmë janë paraqitur rastet me koronavirus.
“Jemi në komunikim me partnerët tanë që punojmë në Itali. Nëse pas takimit ndërshtetëror mes Italisë, Kroacisë, përfshirë këtu edhe Austrinë dhe Zvicrën, për të shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, kjo mase do të reflektonte në transportin e mallrave, përkatësisht mund të paraqiten vonesa gjatë furnizimit me mallra. Por, kjo nuk është aq serioze pasi që prodhimi vazhdon në mënyrë të rregullt dhe çdo ditë jemi duke ndjekur situatën nga afër bashkë me partnerët tanë atje (në Itali)”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sokol Zekiri, drejtues i sektorit për import në një nga kompanitë vendore që ka partneritet me kompanitë italiane.
Ndërkaq, Angel Dimitrov, kryetar i Shoqatës së industrisë së tekstilit dhe lëkurës, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata është e ndjeshme në rajonin e Kumanovës, ku shumica e kompanive të këpucëve kanë pronarë italianë ose punojnë me partnerë italianë. Ai thekson se mund të mbyllen shumë ndërmarrje nëse koronavirusi vazhdon të përhapet në veri të Italisë, që do të bënte që shumë qytete në këtë pjesë të mbeteshin të izoluara, e që sipas tij, kjo më pas do të vinte në rrezik sigurimin e lëndës së parë dhe shitjen e produkteve të gatshme.
“Sigurisht që pasojat do të ndihen veçanërisht në industrinë e lëkurës dhe atë të tekstilit nëse kjo situatë zgjatë dhe kompanitë tona do të mbesin pa punë nëse bllokohet sigurimi i lëndës së parë dhe repromaterialeve. Një pjesë e madhe e kompanive prodhojnë për tregun italian, kryesisht për qytetet në veri të Italisë dhe çdo izolim do të thotë ndalesë për punën e kompanive vendore. Ende është herët të flasim për shifra, por gjithsesi do të ketë pasoja”, thotë Dimitrov.
Ndryshe, përhapja e koronavirusit të ri, ka prekur edhe agjencitë turistike të cilat kanë njoftuar se kanë anuluar ekskursionet e shumta në Itali për festën e 8 marsit dhe pashkëve.
Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veritu me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, ka rekomanduar anulimin e të gjitha tubimeve publike. Të gjitha ngjarjet sportive, karnavalet e të ngjashme, që janë caktuar të mbahen deri më 6 mars, nuk do të anulohen, por do të mbahen pa prezencën e publikut.
Këto masa vijnë pasi më 26 shkurt, në Maqedoni të Veriut është konfirmuar rasti i parë me koronavirus, ku një paciente e cila kishte udhëtuar nga Milano në Maqedoni të Veriut është diagnostifikuar me koronavirusin e njohur si Covid-19. Ajo është shtruar në Klinikën Infektive në Shkup ku po merr trajtimin e nevojshëm, ndërkaq, 12 persona të tjerë janë në karantinë për shkak se kanë pasur kontakte me personat e prekur nga koronavirusi.