Një sërë njerëzish po shpërndajnë në rrjetet sociale aludimin se autori amerikan Dean Koontz e parashikoi koronavirusin në vitin 1981. Postimet me kopertinën e librit “The Eyes of Darkness” dhe një faqe ku Koontz shpjegon koronavirusin fiktiv janë shpërndarë mbi 39 mijë herë dhe janë ripostuar të paktën 2000 herë.
Thashethemi nisi të përhapej sepse virusi i librit quhet “Wuhan-400.” Faqja e shpërndarë kudo ka një fjali të nënvizuar ku shkruhet: “E quajnë ‘Wuhan-400’ sepse u zhvillua në laboratorët RDNA në dalje të qytetit të Wuhan dhe ishte mikroorganizmi i katërqindtë i krijuar nga dora e njeriut në qendrën kërkimore.”
Postime të tjera përmbajnë edhe një faqe ku përmendet viti 2020 dhe përhapja e “një sëmundjeje të rëndë si pneumoni.”
Këto aludime janë pjesërisht false. Është e vërtetë që Koontz shkruajti për një virus fiktiv në romanin e tij dhe që emri i tij, “Wuhan-400″ i referohet qytetit kinez ku pati origjinën koronavirusi i 2019-s (COVID-19), por sëmundja e librit nuk ka të përbashkëta me sëmundjen reale.
Në roman, Koontz e përshkruan “Wuhan-400” si “arma biologjike më e rëndësishme dhe më e rrezikshme e Kinës.” Gjithashtu thotë se virusi u krijua në një laborator në dalje të Wuhan.
Nuk ka asnjë provë që koronavirusi i ri u krijua në një laborator. Besohet se virusi e ka origjinën në një treg në Wuhan ku shiteshin kafshë të egra. Ekspertët besojnë se kaloi nga lakuriqët e natës te njerëzit përmes specieve të tjera.
Simptomat e “Wuhan-400” të librit dallojnë dukshëm nga simptomat e COVID-19. Në roman, virusi ka një periudhë inkubimi prej “katër orësh,” ndërsa COVID-19 ka një periudhë inkubimi prej 1-14 ditësh. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, virusët kanë zakonisht kohë inkubimi pesë ditë.
Koontz shkruan se “Wuhan-400” vret 100% të të infektuarve. “Kush infektohet, nuk rron më gjatë se njëzetë e katër orë. Shumica vdesin brenda dymbëdhjetë orësh,” shkruhet në libër. COVID-19 vret 2%-4% të të infektuarve në Wuhan dhe 0.7% të të infektuarve jashtë Wuhan.
Edhe simptomat e virusit fiktiv nga ai real janë shumë ndryshe. Në roman, “Wuhan-400” shkakton sekretimin e “një toksine që ha indin e trurit” dhe shkakton humbje të kontrollit të trupit. “Viktima resht së paturi një puls, organe funksionale apo vullnet për të marrë frymë,” shkruan Koontz. Ndërkohë, të infektuarit me COVID-19 kanë një sërë simptomash si ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje etj. Në disa raste i ngjason një të ftohure, në raste të tjera i ngjason pneumonisë.
Në roman, “Wuhan-400” etiketohet si më “vdekjeprurës se Ebola,” por COVID-19 është në fakt më pak i rrezikshëm se Ebola.
Vlen të përmendet se në botimet e para të “The Eyes of Darkness,” në vitin 1981, virusi fiktiv u emërtua pas një qyteti rus (Gorki-400) dhe jo pas Wuhan në Kinë. Në versionin origjinal të romanit, virusi krijohet në dalje të Gorki dhe supozohej të ishte “arma biologjike më e rëndësishme dhe më e rrezikshme sovjetike.”
Sipas South China Morning Post, emri i virusit fiktiv u ndryshua në ribotimin e vitit 1989, drejt fundit të Luftës së Ftohtë.
Në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale përfshihet një faqe ku shkruhet “Rreth vitit 2020 do të shpërhapet në gjithë botën një sëmundje e rëndë si pneumoni që do të shënjestrojë mushkëritë dhe bronket e nuk do të ketë shërim.”
Kjo faqe nuk i përket “The Eyes of Darkness.” Fjalia është marrë nga libri i vitit 2008 “End Of Days: Predictions and prophecies about the end of the world” nga Sylvia Brown, një autore amerikane që besonte se kishte aftësi parashikuese. /Reuters