Ballina Bota Tensionohet situata/ Vriten dy ushtarë turq në Siri

Tensionohet situata/ Vriten dy ushtarë turq në Siri

Dy ushtarë turq janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur nga një sulm i forcave të qeverisë siriane në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, tha të mërkurën ministria e Mbrojtjes në Turqi.

Menjëherë pasi forcat siriane hapën zjarr, forcat turke u hakmorën dhe vazhduan të godasin caqet siriane, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Turqia filloi një ofensivë muajin e kaluar në Idlib të Sirisë, për të zbrapsur forcat e presidentit sirian Bashar-al Asad, të cilat po synojnë marrjen nën kontroll të rajonit të fundit që mbahen nga rebelët antiqeveritarë.

Forcave të Asadit po u dalin në ndihmë aeroplanët rusë.

Turqia ka mbështetur rebelët antiqeveritarë, gjatë 9 viteve të konfliktit sirian.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ai rus Vladimir Putin kanë pasur disa biseda gjatë periudhës së fundit, mirëpo nuk kanë arritur ujdi për të ndalur luftimet në Siri.

Gati një milion njerëz janë shpërngulur nga rajoni i Idlibit, gjatë muajve të fundit.

E zemëruar nga sulmi kundër forcave të saj në Siri, Turqia ka hapur kufijtë e saj perëndimor për mijëra migrantë dhe refugjatë që duan të kalojnë në Evropë.

Top Channel