Shpërthimi i koronavirusit dhe përhapja e gjerë në Europë ka ndikuar edhe në botën kulturore.
Në kontinent janë marrë masa drastike edhe në aktivitete të kësaj fushe.
Organizatorët e Panairit të Librit në Londër, një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e botimeve, e kanë anuluar panairin, i cili ishte planifikuar për javën e ardhshme.
Panairi zakonisht mbledh rreth 25,000 shkrimtarë, botues dhe agjentë.
Një tjetër ngjarje e madhe letrare, që është anuluar është Panairi i Librit në Leipzigut, që konsiderohet i dyti për nga madhësia në Gjermani, i cili është shtyrë për një datë tjetër.
Ky vendim vjen pasi, siç ka raportuar “Frankfurter Allgemeine”, “qyteti i Leipzigut dhe Panairi i Leipzigut kanë vendosur bashkërisht për të anuluar Panairin e Librit”.
Një hap i tillë është pëshkruar si “masë parandaluese”, ndaj koronavirusit, ku tashmë në Gjermani ashtu që virusi të mos përhapet më tej në Gjermani, ku tashmë janë evidencuar 188 raste, përfshirë edhe një në Saksoni, shtet ku ndodhet qyteti i Leipzigut. Anulimin e kanë konfirmuar edhe vetë organizatorët e Panairit, që ishte planifikuar të mbahej nga data 12 deri më 15 mars.
“Zyra Publike e Shëndetësisë në Leipzig ka vendosur për të ndjekur udhëzimin e Ministrisë Federale të Shëndetit dhe të Ministrisë së Ekonomisë, që thotë se duhet të garantohet qarkullimi i njerëzve në ngjarje të mëdha. Udhëzimi kërkon që secili pjesëmarrës në Panair duhet të japë prova të shkruara se ai ose ajo nuk është nga lokacionet e identifikuara si të rrezikshme dhe se nuk kanë pasur kontakte me njerëzit që vijnë nga lokacione të tilla. Duke pasur parasysh 2500 botuesit dhe 280 mijë vizitorët e pritur, kjo nuk ishte detyrë e arsyeshme. Shëndeti i botuesve, vizitorëve, mysafirëve, panaireve dhe i punëtorëve tanë është prioriteti ynë kryesor”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Panairit të Librit, Oliver Zille.
Në Panairin e Leipzigut edhe Shqipëria kishte këtë vit një program bashkëkohor, duke u bërë pjesë e diskutimeve globale të botës së librit nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Letërsia shqipe do të ishte e pranishme me disa nga zërat e saj në eventin e madh të librit si Mitrush Kuteli, Ismail Kadare dhe Ben Blushi.
Rreziku nga përhapja e koronavirusit ka bërë që të anulohet edhe më i madhi Panair i Librit në Francë, “Salon du Livre”, që mbahet çdo vit në Paris. Anulimi vjen pas vendimit të qeverisë franceze për të ndaluar grumbullimin e më shumë se 5 mijë njerëzve në hapësira të mbyllura. Ngjarja pritej të mbahej prej 20 deri më 23 mars.