Punëtorët palestinezë po dizinfektojnë sot vendet e shenjta në Bregun Perëndimor krahas vendeve të tjera publike si masë ndaj shpërthimit të koronavirusit. Një grup prej trembëdhjetë amerikanësh të dyshuar se ishin të ekspozuar ndaj koronavirusit gjatë një udhëtimit në Tokën e Shenjtë janë vendosur në karantinë në hotelin e tyre pranë Betlehemit. Po bashkërendohet puna me autoritetet amerikane dhe palestineze për të mundësuar gjithashtu kthimin e tyre në shtëpi.
Disa nga rastet e para atje janë raportuar në radhët e stafit në Hotelin Angel. Të shtunën, zëdhënësi i qeverisë palestineze Ibrahim Melhem tha që një grup vizitorësh amerikanë ishin në izolim në ndërtesë, pa hyrë në detaje të mëtejshme për gjendjen e tyre. Një zyrtare nga ambasada amerikane në Jeruzalem tha se ishte në dijeni të njoftimeve, por se për shkak të konsideratave të privatësisë, nuk mund të jepte detaje të mëtejshme.
Forcat palestineze të sigurisë, të veshur me maska dhe doreza, u vendosën sot rreth hotelit, dhe pak më vonë filloi edhe spërkatja e terrenit. Autoritetet kanë vendosur kufizime për udhëtimin brenda dhe jashtë qytetit dhe larguan autobusët turistikë. Ata gjithashtu kanë mbyllur Kishën e Lindjes, që besohet se është vendlindja e Jezusit, si dhe kanë mbyllur shkollat./Voa