Gazetarja shqiptare Irida Cami ka folur në një lidhje direkte nga Roma për emisionin “Real Story” në News24 duke treguar situatën në Itali ditët e fundit, kur koronavirusi sa vjen e përhapet më shumë, ndërkohë që dhe masat e qeverisë janë drastike. Ajo tha se dy ditët e fundit ndihet një lloj bashkimi i italianëve që secili të bëjë të vetën në këtë situatë.
“Besuam se do ishte një zonë disi më e kufizuar. Vazhdimisht iu është bërë thirrje njerëzve të mos lëvizin, sa më pak kontakte. Me sa duket nuk ka funksionuar pasi autondërgjegjësimi i njerëzve ka qenë i pamundur”, tha ajo.
Sa i përket kritikave të opozitës italiane dhe qëndrimit të ashpër ndaj kryeministrit Conte, gazetarja shqiptare tha se nesër do të ketë një takim dhe pritet zbutje e toneve.
“Ishte e parashikueshme. Me çfarëdo lloj vendimi që merr kjo qeveri akuzohet shumë më tepër se po të ishte një forcë tjetër politike ose një kryeministri tjetër. Nesër në mëngjes do ketë një takim mes Contes e opozitës, ndoshta do zbuten tonet. Nuk është momenti për polemika kaq të forta se ndoshta është hera e parë…sot, dje, ndoshta nesër akoma më shumë që ndihet një lloj bashkimi rreth një shteti, ndërgjegjësimi i një shteti, i një populli që duke bërë secili atë të vetën, është shumë banale ajo që mund të bëjë gjithsecili prej nesh. Rregullat për higjienën, distanca e sigurisë janë të shkruara në çdo vend, në çdo bar”, tha Cami.
Sipas saj, kjo situatë do zgjasë deri pas pashkëve.
E pyetur si e ndjen veten të izoluar, pasi kryeministri italian tha se masat shtrënguese do të shtrihen në gjithë Italinë, Cami u shpreh se është një ndjesi e çuditshme dhe se hyri në studio kur Roma nuk ishte një zonë e kuqe e tashmë është.
“Është ndjesi e çuditshme. Sot në mëngjes po mendoja për ato familje që janë ndarë kur është vënë kufiri me Jugosllavinë në atë kohë. Në një gazetë italiane flitej për një çift që kishin mbetur njëri në një komunë, e tjetri në një komunë tjetër e shikoheshin nga larg por nuk mund të takoheshin. Do jetë e përkohshme. Vërtetë mu kujtuan ndarjet e asaj kohe që kanë zgjatur për vite. Është ndjesi e çuditshme. Hyra në studio kur Roma nuk ishte zonë e kuqe e do dal që Roma është zonë e kuqe e unë nuk mund të lëviz”, tha gazetarja.