Ballina Aktualitet TAKIMI I LIDERËVE: ZGJEDHJE DO TË KETË, FUSHATA NË MEDIA

TAKIMI I LIDERËVE: ZGJEDHJE DO TË KETË, FUSHATA NË MEDIA

Në takimin e sotëm të liderëve në Qeveri, nikoqir i të cilit ishte Kryeministri Oliver Spasovski është dakorduar që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Liderët partiak janë dakorduar që fushata zgjedhore gjatë kohës së masave të zhvillohet nëpër media, kurse për anulimin e zgjedhjeve as që është biseduar.

Të gjitha partitë politike janë dakorduar që të respektohet ndalesa për tubime publike që vlen deri më 24 mars dhe fushata zgjedhore në këtë periudhë të zhvillohet kryesisht nëpër media, internet dhe rrjete sociale. Për anulimin eventual të zgjedhjeve të 12 prillit as që është diskutuar.

“Vlerësojmë se për momentin nuk ka nevojë për një vendim të këtillë. Biseduam për harmonizimin e fushatës me masat e Qeverisë. Mesazhi kyc i takimit është se shëndeti i qytetarëve është prioriteti kryesor. Nuk është koha për pikë politike. Partitë, liderët e tyre, tani kanë përgjegjësi më të madhe dhe duhet t`i respektojnë rekomandimet.” –shprehet Kryeministri Teknik Oliver Spasovski.

Liderët e partive politike janë shprehur se do t`i respektojnë rekomandimet e autoriteteve kurse fushatën e tyre do ta zhvillojnë përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Kryeministri Spasovski ka siguruar se nuk ka nevojë për thirrje të parlamentit dhe për ribalanc eventual të buxhetit. Paralajmëroi se do të ketë takime me Odat Ekonomike që të shqyrtohen mundësitë për masa të reja në të ardhmen për të zvogëluar pasojat e situatës ndaj ekonomisë. Zyrtarisht, fushata për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, fillon më 23 mars. /Furkan Saliu/