Nga një koment i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”
“Mesazhi i presidentit amerikan tregon për një dobësi eklatante të udhëheqjes. Ai kapardiset dhe sugjeron se është i fuqishëm – por në fakt ai mund të ofrojë shumë pak. Nga Donald Trumpi kjo nuk është krejtësisht e papritur, por tani ka ardhur momenti kur ky njeri përmes injorancës së tij dhe fjalëve të pavend rrezikon jetën e shumë njerëzve – jetën e qytetarëve të SHBA-ve.
Fillimisht Trump e ka minimizuar sëmundjen e koronës (më pak e rrezikshme se një grip). Pastaj krijoi përshtypjen se institucionet shëndetësore amerikane janë më së miri të përgatitura, ndonëse të gjitha informacionet sinjalizonin se dinamika e infektimit do të ecte njëjtë si në Itali dhe Spanjë, ku testet janë kryer vonë dhe rrallë. Në SHBA mungon material testues dhe burokracia shëndetësore, kujdesi shëndetësor është i pabarabartë dhe me shumë mangësi.
Trump sugjeron se mund ta mbrojë vendin e tij nga korona nëse i mban larg të huajt. Sipas ndjeshmërisë së tij arbitrare ai e definon një grup (Bashkimin Europian, por jo Britaninë e Madhe) dhe ndërsa flet harron të shpjegojë se si e ka ndërmend t’i trajtojë dhjetëra-mijëra qytetarë amerikanë që gjenden në udhëtime nëpër botë. Ekonomia amerikane reagon e tronditur ndaj fantazive të izolimit dhe tregjet e dënojnë logjikën e çerdhes së fëmijëve të Trumpit me një rënie drastike.
Virusi nuk njeh kufij dhe kombe. Por kush e definon pandeminë si problem nacional dhe kërkon fajtorë, menjëherë futet në një lojë të rrezikshme me doras dhe viktima, e cila mund të manipulohet sipas qejfit. Trump flet me këtë ton, ai ngjall ndjenja, ndez emocione – për të ka filluar fushata elektorale ose, në të vërtetë: mbijetesa politike.
Trump ndjek impulset e tij nacionaliste dhe ksenofobe, dhe sërish i dëmton marrëdhëniet me shtetet e Europës”.