Në Kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski, sot pasdite do të mbahet mbledhje e Këshillit për siguri nacionale në të cilën do të bisedohet për gjendjen me koronavirusin në vend. Në mbledhje do të marrin pjesë edhe ministri i Shëndetësisë dhe shefi i SHM të Armatës, informon KOHA.
Presidenti Pendarovski në konferencë për shtyp të premten paralajmëroi se do të shqyrtohen opsionet e mundshme për përballje me rrezikun nga përhapja e koronavirusit. Theksoi se ka tre opsione të cilat shtetit i qëndrojnë në dispozicion. Dy të parat që i ceki – angazhim i armatës edhe pa shpallje të gjendjes së krizës, tashmë janë vendosur dhe po zbatohen në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, prej ku janë numri më i madh i të sëmurëve.
Opsioni i tretë është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të rrezikimit të shëndetit të qytetarëve i përmasave më të mëdha, por shefi i shtetit tha se sipas tij, tani për tani nuk ka nevojë për këtë, por, siç potencoi, lejon se mund të jetë edhe informata të tjera dhe ndoshta do të duhet të mendohet edhe për opsionin e tretë.
Pritet që në mbledhje të bëhet fjalë edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuar për më 12 prill. Partitë deri më 22 mars, siç paralajmëroi, i vendosën nën moratorium aktivitetet në terren për zgjedhjet.
Presidenti i shtetit, duke e paralajmëruar mbledhjen e Këshillit të sigurisë, theksoi se edhe nëse shtyhen zgjedhjet për një muaj apo dy, ky nuk do të jetë fundi i botës, duke shtuar se vendimi i mundshëm për shtyrje të zgjedhjeve duhet të sillet me konsensus të të gjitha palëve politike.
Sipas tij, mund të mbahet fushatë në rrjetet sociale, por, siç tha, ekzistojnë kategori qytetarësh të cilët nuk kanë qasje në rrjetet sociale.
“Sipas të gjitha rekomandimeve nga OSBE-ja dhe organizata të tjera, qytetarët duhet të jenë të informuar mirë dhe plotësisht në mënyrë që të sjellin vendim në ditën e zgjedhjeve. Unë kam rezervë për ditën e zgjedhjeve. Në zgjedhjet tona parlamentare mesatarisht votojnë një milion njerëz në 3.000 vendvotime, me nga pesë anëtarë në këshilla. Në ditë më parë bëhet një operacion gjigant për bartje të materialit dhe në fund materiali i dorëzohet komisioneve zgjedhore kur kalkulohen rezultatet”, tha Pendarovski.
Deri më tani, siç theksoi, në botë nuk janë mbajtur zgjedhje në një ambient të këtillë, përveç në Izrael, ku të infektuarit votuan në vendvotime të posaçme. “Atje të gjithë ishin të veshur me skafanderë, kishte ekipe mjekësore, por kjo ishte bërë për një numër të vogël njerëzish”, tha Pendarovski.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve rreth mundësisë për vendosje të gjendjes së jashtëzakonshme, shefi i shtetit tha se situata është unikate dhe se nuk ka rast në gjendje pandemie të organizohen zgjedhje.
Anëtarë të Komisionit shtetëror zgjedhor dje në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit për siguri nacionale kërkuan që partitë dhe Qeveria ta rishqyrtojnë vendimin për zgjedhjet, sepse shëndeti i qytetarëve është primar.(koha.mk)