Kina e mposhti koronavirusin, ndërsa situata po normalizohet. Tani qendra e re e epidemisë është Evropa. Doktorët kinezë në Vuhan, qytetin nga ku edhe shpërtheu epidemia kanë një eksperiencë të madhe, për mënyrën se si duhet menaxhuar ky virus i rrezikshëm.
Por ata, duke analizuar mënyrën se si evropianët po e trajtojnë pandeminë, shfaqin shqetësim. Kjo sepse po përsëriten të njëjtat gabime.
Parësorë për ta është mbrojtja e pamjaftueshme e personelit mjekësor e cila ka çuar në numra të mëdhenj infektimesh mes doktorëve e infermierëve.
Në Vuhan, mungesa e njohurive për sëmundjen solli mangësi në pajisjet mbrojtëse në javët e para dhe mijëra punonjës të shëndetësisë u infektuan gjatë trajtimit të pacientëve. 46 prej tyre vdiqën.
“Kolegët tanë evropianë po infektohen me sëmundjen në punën e tyre të përditshme dhe përmasat janë të ngjashme me ato të situatës së hershme në Vuhan”, tha Vu Dong, profesor gastro-enterologjie në spitalin universitar të Pekinit. Vu foli dje nga Vuhan me gazetarë nga Pekini për situatën, së bashku me tre doktorë të lartë kinezë. “Duhet të mbrohet stafi mjekësor”, theksoi ai.
Du Bin, drejtor i kujdesit intensiv në Pekin tha se në Vuhan, doktorët e veshëve, hundës, fytit e syve u infektuan në masë nga kolegët e tyre.
“Doktorët kanë pasur kontakt të afërt me pacientët prandaj janë infektuar lehtësisht. Është e rëndësishme që doktorët të edukohen për të mbrojtur veten e tyre”, tha ai.
Doktorët kinezë kërkojnë t’i jepet prioritet testimeve pasi ndryshe nga pandemia e 2003 e shkaktuar nga SARS, koronavirusi jep vetëm simptoma të lehta ose asnjë simptomë fillimisht te të infektuarit, të cilët pa e ditur ia transmetojnë të tjerëve. Dhënia e testeve me acide nukleike që e identifikojnë atë është thelbësore, thonë doktorët.