30 ditë gjendje e jashtëzakonshme në vend. Kjo masë e cila aplikohet për herë të parë në historinë e vendit dhe vjen si pasojë e gjendjes me virusin korona, i jep mundësi Qeverisë të shfrytëzojë të gjitha resurset për të luftuar virusin. Presidenti Stevo Pendarovski shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, me kërkesë të Qeverisë dhe pasi Kuvendi deklaroi se e ka të pamundur mbledhjen pas shpërndarjes së tij. Ai kërkoi që institucionet kompetente në bazë ditore të njoftojnë për masat që marrin dhe efektin e tyre me qëllim të vendimit eventual për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, në rast se ka nevojë. Pendarovski tha se Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si teknike.
Pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca të zgjeruara dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjithë resurset e shtetit, përsëris, të gjitha, edhe shtetërore, edhe private, që më me sukses ta menaxhojmë epideminë. Në situatë të jashtëzakonshme Qeveria do të mund të sjellë urdhëresa me fuqinë e ligjit me qëllim që të aplikojë kufizime më të mëdha në lëvizjen e qytetarëve dhe veçanërisht të sigurojë mjete më të mëdha për mbështetjen e ekonomisë e cila hyn në një periudhë krize- deklaroi Stevo Pendarovski.
Kryeministri Oliver Spasovski, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e sheh si mundësi që Qeveria të veprojë shpejt dhe me efikasitet për zbatimin e masave, për mbrojtjen e shëndetit publik, vendosjen në punë të policisë dhe ushtrisë dhe menaxhimin e ekonomisë. Ai për momentin nuk planifikon shtimin e masave por kjo do të ndodhë në rast se qytetarët nuk i respektojnë udhëzimet aktuale.
Sjellja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të thotë se me automatizëm do të zbatohen kufizime në liritë dhe lëvizjet e qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme vetëm i jep mundësinë qeverisë dhe krijohen kushte për zbatim të shpejtë dhe efikas të masave për parandalim dhe mbrojtjen e gjendjes shëndetësore të qytetarëve, për mbrojtjen e shoqërisë tonë dhe në fund, të ekonomisë tonë. Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme qeveria mund të veprojë pa pengesa në luftën me virusin. Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme qeveria do të mund të zbatojë masa për shpëtimin e ekonomisë dhe për ndihmë të qytetarëve dhe kompanive të prekura- deklaroi Oliver Spasovski.
Ndërkaq, kreu i opozitës Hristijan Mickoski thotë se Qeveria vonon me zbatimin e masave shtesë për mbrojtje nga virusi dhe mbrojtjen e ekonomisë. Ai beson se gjendja jashtëzakonshme rrezikon ta përqendrojë pushtetin në duart e një njeriu, kreut të qeverisë, megjithatë e mbështet atë.
Unë kërkova shpalljen e gjendjes së krizës sepse qëndron më lart në nivelin e seriozitetit të veprimit, cilësisë dhe fleksibilitetit të menaxhimit me pasojat e virusit korona për dallim prej zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme me të cilën gjithë pushteti përqendrohet në duart e një njeriu dhe do të pajtoheni se kjo nuk është aq demokratike. Por kjo, edhe në këtë rast është sekondare. Primare është shëndeti i qytetarëve dhe veprimi urgjent. Kjo do të hapë mundësinë e miratimit të masave me fuqinë e ligjit të cilat do të mund të keqpërdoren dhe është gjendje e cila edhe pse është kushtetuese, nuk është e definuar qartë me ligj- tha Hristijan Mickoski.
Kushtetuta parashikon që gjendje të jashtëzakonshme shpallë Kuvendi dhe në rast se ai nuk mundet, gjendjen e jashtëzakonshme e shpall Presidenti dhe njofton Kuvendin për konfirmim sapo ai të ketë mundësi të mblidhet.