Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” boton në numrin e nesërm një reportazh grandioz dhe tronditës mbi tërbimin e virusit korona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa të dhëna nga reportazhi i gjeni në vijim:
1.
Të hënën në New York ka arritur anija “Comfort”. Ajo është spitali më i madh i botës që noton. 1250 burra dhe gra punojnë në “Comfort”. Anija ka 1000 shtretër. 12 salla operacioni. Një vend për aterrim të helikopterëve. Anija distilon ujë të pijshëm nga uji i detit, ka një klinikë intensive, një laborator, një repart të radiologjisë dhe një morg, transmeton KOHA.
2. Askund tjetër në SHBA virusi nuk po përhapet më shumë se në New York. Të enjten qyteti numëronte gati 50 mijë të infektuar dhe 1400 të vdekur.
3. Anija “Comfort” më 1991 ka qenë në luftën e Irakut, më 1994 ka ndihmuar refugjatët nga Haiti, më 2003 ka qenë sërish në Irak, më 2005 në Louisiana për t’i ndihmuar viktimat e uraganit “Katrina”. Në New York, “Comfort” ka qenë së fundi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
4.
Në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të vdekurve nga korona ka kaluar 5100. Domethënë, nga korona kanë vdekur më shumë njerëz se nga sulmet e 11 shtatorit 2001 (afër 3000).
5.
Shtëpia e Bardhë llogarit me 100 mijë deri 200 mijë të vdekur nga virusi.
6.
Superfuqia botërore është e paaftë t’i pajis mjekët e vet me rroba profesionale mbrojtëse. Ka mungesë të maskave, dorezave, manteleve. Infermieri Thomas Riley, i cili është infektuar me virus në Jacobi Medical Center në Bronx, i tha “New York Times”: “Po ndihemi sikur po na çojnë në bankën e kasapit”.
7.
Fajin për gjendjen e keqe në sektorin e shëndetësisë e bart edhe presidenti Donald Trump. Në fillim të marsit, kur virusi tashmë ishte përhapur në vend, qeveria e SHBA-së kishte vetëm 42 milionë maska mbrojtëse – një për qind të numrit të nevojshëm.
8.
Maska nuk ka, por armë ka me bollëk. Me përhapjen e koronës, dyqanet që shesin armë nuk po mund t’u japin hall punëve. Vetëm gjatë marsit në SHBA janë shitur 2,3 milionë armë të zjarrit, 85 për qind më shumë se para një viti.
9.
Zgjedhjet brendapartiake te demokratët janë shtyrë për shkak të koronës. Për këtë arsye, Bernie Sanders po refuzon të heq dorë nga gara. Joseph Biden, kandidati i pritshëm demokrat kundër Donald Trumpit, është mbyllur në bodrumin e shtëpisë tij. Trump, ndërkaq, po i shfrytëzon konferencat për shtyp për fushatë elektorale. Këtë javë, Trumpi rrahu gjoks në Twitter duke shkruar se ai është “hit i kuotës”. Mesatarisht 8,5 milionë njerëz i përcjellin konferencat për media të Trumpit, të cilat zgjasin deri në dy orë.
10.
Në anketat e fundit, Trumpi ka arritur vlera më të larta. Por kjo mund të ndryshojë me thellimin e krizës. Dhe kriza po thellohet. Të enjten u bë e ditur se brenda një jave, 6,6 milionë amerikanë kanë humbur vendin e punës. Një javë më parë kanë qenë 3,3 milionë. Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
https://youtu.be/RX0tLGQzEWM
https://youtu.be/5N_vWZbw23o
https://youtu.be/FvtJE6FjZj4
https://youtu.be/LAbMFumL5TA
https://youtu.be/u9BsJlG5apQ