Ballina Shëndeti Koronavirusi Mjekët shqiptarë nëpër botë hapin “spitalin virtual” rreth Covid-19

Mjekët shqiptarë nëpër botë hapin “spitalin virtual” rreth Covid-19

Në këto kohë të vështira të pandemisë së Covid-19, kaosi informativ është i dëmshëm.

Me dhjetëra “fake news” janë shpërndarë këto javët e fundit në shumë shtete të botës, përfshirë edhe vendin tonë.

Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që shtyu një grup mjekësh shqiptarë që jetojnë e punojnë në disa shtete të botës të krijonin një platformë informative mbi Covid-19.

Atyre ju pëlqen ta cilësojnë “spital virtual” dhe jo pa qëllim.

Një nga mjekët e kësaj iniciativë të quajtur Milano për Shqipërinë, sqaron për Euronews Albania, si funksionon ajo.

Mjeku Besart Çuko, na tregon se përgjigjet nga mjekët do të jepen në kohë reale dhe ata janë disponibël 24 orë në 24.

Platforma është në shqip në mënyrë që të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë ta kenë të lehtë ta përdorin. Mjeku pohon për Euronews Albania, se numri i profesionistëve që po bëhen pjesë e platformës po shtohet çdo ditë e së fundmi edhe me profesione të tjera që lidhen me përballimin e kësaj situate.

Një i tillë është profesioni i psikologëve.

Në ditët e karantinës, një pikë e rëndësishme që duhet mbajtur parasysh është edhe shëndeti mendor. Ndaj në platformë qytetarët mund të bëjnë pyetje edhe në këtë drejtim si psh si mund të kujdesemi për shëndetin mendor, sa të rrezikuar jemi në këto kohë nga ky izolim etj.

Mjekët kanë vendosur që me rotacion të jenë online për t`ju përgjigjur të gjitha pyetjeve të njerëzve, në mënyrë profesionale dhe bazuar mbi fakte të vërtetuara shkencërisht.

Ata gjithashtu do të ndajnë edhe eksperiencat e tyre nga vendet ku punojnë që janë në fakt edhe shtetet më të prekura si Italia dhe Spanja.

Informacionet që do të ofrohen në platformë janë falas. Mjeku Çuko pohon se kjo është parë si një mundësi e mirë nga mjekët për t`ju shërbyer në njëfarë mënyre bashkëatdhetarëve edhe pse në distancë.

Pandemia nxori ne pah numrin e lartë të shqiptarëve që punojnë si mjekë, infermierë, studiues apo drejtues departamentesh në institucione shumë të rëndësishme në të gjithë botën.

Platfoma është funksionale në adresën www.milanomedical.eu/milano-per-shqiperine/

Por edhe në rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe Youtube ku mund ta gjeni me përshkrimin milanomedical.

https://youtu.be/tsx56UwIjbQ