“YouTube” do të heqë ose sipas rastit, do t’u zvogëlojë shikueshmërinë, videove që mbrojnë teoritë e komplotit, duke e lidhur epideminë e koronavirusit në rrjetet e lëvizshme 5G. Masa vjen pasi, në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 5 kullave 5G iu vu zjarri pas përhapjes së lajmeve të rreme.
Videot që shkelin rregullat e “YouTube” janë fshirë, tha një zëdhënës, duke kujtuar se kompania “ndalon gjithashtu edhe videot që në vend të kujdesit mjekësor promovojnë metoda që nuk janë vërtetuar nga ana shkencore për të parandaluar koronavirusin”. Sipas kompanisë, “po zvogëlohen rekomandimet për përmbajtje me teoritë e komplotit që lidhen me 5G dhe koronavirus, të cilat mund të keqinformojnë dhe dëmtojnë përdoruesit”.
Në njërën nga videot e hequra, raporton “The Guardian”, një ish-ekzekutiv i vetë-stiluar i një kompanie të telefonisë celulare në Mbretërinë e Bashkuar pretendoi se testet për koronavirus ishin përdorur për të përhapur virusin, dhe se pandemia ishte krijuar për të fshehur vdekjet e shkaktuara nga teknologjia celulare.