Kryeministri britanik Boris Johnson është në gjendje “klinikisht të qëndrueshme” dhe ndodhet në kujdes intensiv në spitalin St Thomas të Londrës, duke u trajtuar për komplikimet e shkaktuara nga infektimi me koronavirus.
Johnson, i cili testoi pozitiv gati dy javë më parë, u shtrua në spital të dielën në mbrëmje me temperaturë të lartë dhe kollë të vazhdueshme por gjendja e tij u përkeqësua dhe ai u dërgua me nxitim në kujdes intensiv.
Udhëheqësi britanik 55-vjeçar është vënë në oksigjen por jo në respirator. Zëvendësi i caktuar prej tij, Sekretari i Jashtëm Dominic Raab, tha se zoti Johnson do të kthehet së shpejti në krye të punëve.
Zyra e Kryeministrit tha se zoti Johnson nuk po punon, por është në gjendje të kontaktojë me njerëz nëse është e nevojshme.
“Kryeministri mbetet klinikisht i qëndrueshëm dhe është duke iu përgjigjur trajtimit. Ai është në gjendje të mirë shpirtërore,” tha një zëdhënës i zotit Johnson.
Presidenti Donald Trump ka thënë se ka ofruar ndihmë për shërimin e kryeministrit britanik. Ai tha të hënën se u kishte kërkuar disa prej kompanive kryesore amerikane që “të kontaktonin menjëherë Londrën”.
Ndërsa Kryeministri po lufton me koronavirusin e ri në spital, Mbretëria e Bashkuar po hyn në atë që shkencëtarët thanë se do të jetë faza më vdekjeprurëse e shpërthimit. Vendi po përballet me pyetjen se kur do të hiqen bllokimet e qyteteve.
Brenda qeverisë, ministrat po debatojnë se për sa kohë mund të lejojë ekonomia e pestë më e madhe në botë të qëndrojë e mbyllur.
Kryetari i bashkisë së Londrës Sadiq Khan, tha se Britania nuk mund të heqë mbylljet e qyteteve ndërkohë që piku i sëmundjes pritet të vijë pas diçka më shumë se një jave. “Në asnjë mënyrë nuk jemi pranë heqjes së bllokimeve,” tha kryebashkiaku.
Numri i të vdekurve në Britani arriti të mërkurën në 6,171. Janë konfirmuar 56,000 të prekur, megjithëse janë testuar vetëm 213,118 persona nga një popullsi prej rreth 68 milion banorësh.