Bilancit të të shëruarve sot i janë shtuar edhe 15 persona duke bërë që koronavirusi tek ne, të humbas 179 beteja. Megjithatë, fat të njëjtë nuk patën 2 qytetarët, të cilët humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit. Bëhet fjalë për një 66 vjeçar nga Shkupi dhe një 83 vjeçar nga Shtipi. Sa i përket rasteve të reja, Ministria e Shëndetësisë informoi për 37 të tilla, duke çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve me virus korona në 1207. Ajo që vërehet sot është se në asnjë nga 7 qytetet ku janë regjistruar raste të reja, nuk ka numër dyshifror. 9 raste janë në Kumanovë, nga 8 në Shkup dhe Ohër, 5 në Prilep, nga 3 në Tetovë dhe Veles dhe një në Koçan.
Së fundmi një mjek i urgjencës në Shtëpinë e Shëndetit Publik në Shkup, ka rezultuar pozitiv në testin për virus korona, ndërsa shoferi ambulancës dhe infermierja që ishte në këtë ekip ndodhen në izolim.
Besim Koka, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Publik- Shkup, thotë se ekipi mjekësorë i është përgjigjur thirrjes së një familje, ku të gjithë kanë qenë të infektuar, por të cilat nuk kanë informuar paraprakisht për diçka të tillë. Siç thotë ai, nuk është e qartë se si ka arritur të infektohet mjeku në fjalë.
Infektimi i personelit mjekësorë, konkretisht 2 mjekëve dhe një administratori në Qendrën e shëndetit Publik në Veles ka bërë që ky institucion të mbyllet deri në sjelljen e një vendimi tjetër. Me këtë banorët e këtij rajoni nuk do të kenë ku të japin mostra për testim. Sipas të dhënave të ditëve të fundit deri 200 pjesëtarë të personelit mjekësorë janë të infektuar nga virusi korona.