Ballina Argëtim Kuriozitete Si e “pushtoi” njerëzimi Tokën?

Si e “pushtoi” njerëzimi Tokën?

Një shtyllë kryesore e modelit “jashtë Afrikës” të origjinës së njeriut, është ajo që ka të bëjë me ngjarjet që kanë ndodhur jashtë kontinentit afrikan. Sipas këtij modeli, rreth 60.000 vjet më parë, speciet tona u larguan nga Afrika dhe përmes një spastrimi epik populluan Eurazinë.

Por të “çarat’ në këtë model, janë bërë gjithnjë e më të mëdha me kalomin e kohës. Për shembull, kafkat njerëzore të zbuluara në dy zona në Izrael janë 120.000-vjeçare. Ato cilësohen shpesh si një provë se përpara eksodit masiv, njerëzimi bëri disa përpjekje të shkurtra por të dështuara, për t’u ngulur në Azinë Perëndimore.

Por zhvillimet gjatë viteve të kaluara, sugjerojnë se në fakt ka pasur më shumë sesa thjesht përpjekje sporadike. Për shembull, një nofull 177.000-vjeçare e gjetur në shpellën Mislija në Izrael, lë të kuptohet se në Lindjen e Mesme ka ekzistuar një prani njerëzore shumë më e vjetër, dhe që ka zgjatur më shumë në kohë.

Por zbulimi më befasues ndodhi vitin e kaluar, kur 2 kafka të zbuluara në Greqi që në vitin 1978, na zbuluan më në fund disa nga sekretet e tyre. Ato u gjetën në shpellën bregdetare Apidima, të ngjitura nga pas me njera-tjetrën, përmes një amalgame llave vullkanike të ngrirë.

Në fillim u mendua se që të dyja kafkat i përkisnin Neandertalëve dhe ishin rreth 150.000-vjeçare. Por një ri-analizim tregoi të kundërtën. Njëra prej tyre, i përkiste vërtet një Neandertali 170.000-vjeçar. Por tjetra ishte 210.000-vjeçare dhe vinte nga një Homo sapiens, megjithëse me një përzierje të tipareve moderne dhe atyre arkaike.

Kafkat kishin përfunduar në një lloj mënyre në të njëjtën pjesë të shpellës, dhe ishin ngjitur me njera-tjetrën disa kohë më vonë. Përfundimi i vetëm, është se njerëzit e parë modernë që jetuan në Afrikë më shumë se 200.000 vjet më pare, u shpërndanë me sukses në Evropën Jugore.

Një udhëtim ky i gjatë i kryer me këmbë, ose ndoshta më gjerësisht përreth Mesdheut Lindor, që ndoshta zgjati për mijëra vjet. “Ky është një zbulim shumë befasuese”- thotë Kris Stringer, ekspert në Muzeun eHistorisë Natyrore në Londër, që ishte pjesë e ekipit që kreu analizat.

Provat të shpërndarjeve të mëhershme të njerëzve, janë gjetur edhe më larg nga Afrika. Në vitin 2015, studiuesit në Kinë, njoftuan zbulimin e dhëmbëve njerëzorë moderne në një shpellë në jug të vendit, që daton të paktën 80.000 vjet më parë. Në Kinë janë gjetur edhe disa fosile të tjera, që datojnë gati në të njëjtën periudhë.

Ato janë klasifikuar në mënyrë konvencionale si Homo erektus, anëtari i parë i gjinisë sonë që eci drejt më këmbë, por tani duket se ka më shumë të ngjarë që ata t’i përkasin Homo sapiens, thotë Maria Martinon-Torres nga Qendra Kombëtare e Kërkimit të Evolucionit Njerëzor (CENIEH) në Burgos të Spanjës. “Ata kanë qenë atje!”- thotë ajo. Edhe Stringer bie dakord me këtë konstatim:”Nëse ata erdhën deri në Evropë, unë nuk shoh asnjë arsye pse të mos kenë shkuar deri në Kinë”.

Këto zbulime të reja të shpërndarjeve të hershme të njerëzve modernë janë shumë intriguese. Por tablloja kryesore mbetet në thelb e pandryshuar. Mendimi i sotëm mbizotërues, është se njerëzit modernë nisën të shpërngulen masivisht nga Afrika 100.000 vjet më parë, me siguri përmes Gadishullit Arabik, Levantit ose që të dyjave.

Ata u sollën nëpër Evropë dhe përgjatë bregdetit jugor të Euroazisë, dhe ka shumë të ngjarë që

të kenë gjetur burime ushqimore të nje cilësie të lartë. Më pas shkuan dhe populluan Azinë Qendrore, ku sot shtrihet Kina. Rreth 65.000 vjet më pare, disa njerëz arritën në Sahul, një kontinent i lashtë ku ndodhet tani Australia dhe Guinea e Re, thuajse me siguri nëpërmjet anijeve. Migrimi i fundit i famshëm, e çoi njerëzimin përtej ngushticës së Beringut në Amerikë rreth 15.000 vjet më parë.

Po çfarë ndodhi me speciet e tjera njerëzore?

Sipas modelit standard ‘jashtë Afrikës’, kur speciet tona u përhapën për herë të parë nëpër Eurazi, ata u zëvendësuan plotësisht njerëzit më arkaikë që ndeshën. Padyshim, ne jemi speciet e fundit njerëzorë që ecin mbi këmbë.

Por nëse Homo sapiens ishte përgjegjës për zhdukjen e specieve të tjera, kjo mbetet ende pjesë e një debati të madh. Ajo çka është bërë e qartë vitet e fundit, është se këto takime nuk ishin tërësisht të dhunshme dhe shkatërruese. Të paktën në ndonjë rast, paraardhësit tanë bënin dashuri dhe jo luftë.

Neandertalët dhe Denisovanët, dy nga të afërmit tanë më të ngushtë, u zhdukën dhjetëra mijëra vjet më parë. Megjithatë, shumica e njerëzve në të gjithë botën, kanë sasi të vogla të ADN-së të trashëguara nga një ose të dy speciet në gjenomet e tyre.

Kjo është dëshmi që Homo sapiensi u çiftua me ta, dhe të paktën disa nga këto çiftime prodhuan pasardhës pjellorë. Disa njerëz nga Lindja e Mesme, bartin ende sot AND-në ‘fantazmë’ nga një specie tjetër e quajtur ‘hominin X’, fosilet e të cilit nuk janë gjetur ende.

Paraardhësit tanë mund të kenë hasur në homininë të tjerë, ndërsa po shpërndaheshin nëpër botë, duke përfshirë edhe ‘hobbit’-in enigmatik, Homo floresiensis, që jetonte në ishullin indonezian Flores deri rreth 50.000 vjet më parë. Vitin e shkuar, u zbulua se një specie e ngjashme ka jetuar në të njëjtën kohë 3000 kilometra më në jug, në ishullin filipinas Luzon.

Gjithsesi, s’ka asnjë provë gjenetike të çiftimit me asnjë nga këto specie, dhe roli i Homo sapiens në zhdukjen e tyre, nëse ka pasur një të tillë, mbetet ende i panjohur. Dikur supozohej se çiftimi midis njerëzve të hershëm dhe homininëve të tjerë, ka ndodhur ekskluzivisht jashtë Afrikës.

Një sasi e vogël e ADN-së së Neandertalit, është gjetur në gjenomet e njerëzve që jetojnë në Afrikë, por meqë Neandertalët nuk duket se kanë jetuar ndonjëherë në atë kontinent, ajo ka mbërritur me siguri aty si rezultat i njerëzve të hershëm që migruan sërish në Afrikë nga Eurazia.

Megjithatë, analizat më të fundit sugjerojnë se ka pasur një çiftim me homininët e tjerë në kontinent.

Në fakt, gjenomet e disa njerëzve në Afrikë janë 19 përqind “të lashtë”, normë që tejkalon dukshëm çdo kontribut të Neanderthalit apo Denisovanëve në gjenomet euroazitike. Dëshmia e parë e këtij çiftimi u gjet në vitin 2012, kur një ekip i udhëhequr nga Sarah Tishkof e Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, zbuloi AND-ne e lashtë në gjenomet e gjahtarëve grumbullues modernë që jetojnë në Kamerun dhe Tanzani.

Ajo tregoi se jo më shumë se 30.000 vjet më parë, paraardhësit e tyre ishin çiftuar me një specie hominine të paidentifikuar. Pastaj, në vitin 2018, Arun Durvasula i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles, skanoi të gjithë gjenomet e njerëzve nga 4 popullsi nën-Sahariane, dhe gjeti të dhëna e një çiftimi të hershëm me një hominin tjetër arkaik të panjohur.

Duket se është ndarë nga linja jonë e prejardhjes rreth 625.000 vjet më parë, dhe më pas është çiftuar sërish me njerëzit deri 124.000 vjet më parë. Kjo ndodhi para eksodit masiv jashtë Afrikës, çka shpjegon edhe faktin se përse gjenomet evropiane bartin të njëjtën ADN të panjohur.

Në fillim të këtij viti, analiza e 4 skeleteve fosile nga Kameruni, gjeti gjurmë të ADN-ve të tjera të panjohura nga një takim që ndodhi rreth 250.000 vjet më parë. Po kush mund të jenë këta të afërm misteriozë të njeriut modernë?

Një nga kandidatët është Homo naledi, një hominin me pamje primitive që u zbulua në Afrikën e Jugut në vitin 2013, dhe që ka jetuar deri 250.000 vjet më parë. Një tjetër është paraardhësi i Homo sapiens, që ka jetuar rreth 900.000 vjet më parë, dhe që tani mendohet të jetë paraardhësi ynë i drejtpërdrejtë.

Dhe kjo ndonëse nuk kemi prova që ai jetonte në Afrikë. Një skenar më i mundshëm, është që fosilet e specieve të panjohura nuk janë zbuluar ende, dhe kjo gjë mund të mos ndodhë kurrë. Për më tepër, ka pak dyshime se studimet e reja, do të zbulojnë në ADN-në tonë paraardhës të tjerë ‘fantazmë’.( NS – Bota.al)