Presidenti amerikan Donald Trump e quajti të papranueshëm paralajmërimin e zymtë që bëri më herët eksperti i tij i lartë i sëmundjeve infektive lidhur me heqjen e shpejtë të masave kufizuese të pandemisë.
Trump e akuzoi Anthony Fauci se në dëshminë e tij në senat të martën, deshi të luante “të gjitha anët e ekuacionit” . Presidenti u shpreh vecaanërisht i pakënaqur me ngurrimin e Faucit për hapjen e shkollave.”
U befasova nga përgjigja e tij, sepse më duket e papranueshme sidomos kur vjen fjala tek shkollat. E vetmja gjë e pranueshme do të ishte t`i jepeshin disa javë kohë mësuesve dhe profesorëve më të moshuar përpara se të rikthehehin në mësim, sepse kjo është një sëmundje që godet moshën dhe godet shëndetin”, tha presidenti.
Fauci deklaroi të martën se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është “pothuajse me siguri më i lartë” sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.
Trump nga ana tjetër, i ka nxitur bizneset dhe guvernatorët e shteteve që të rihapin ekonominë më të madhe në botë dhe të gjithë guvernatorët, me disa përjashtime, kanë lëshuar ditët e fundit urdhra për rihapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe zyrave me kusht që ato të ndërmarrin masa për të plotësuar disa kushte paraprake.