Moikom Zeqo
Regjimi ngujues, procedura e izolimit nga infektimi masiv janë monada e pandemisë së coronavirusit, – të shfaqur agresivisht në fundvitin 2019 dhe që po zotëron ende planetin në gjysmën e vitit 2020.
Një pandemi e pazakonshme dhe tejet sfiduese.
Virusi Covid-19 është i panjohur, – paraqet diçka të re, – të paparë, – ndryshe nga viruset e mëparshëm, të njohur për tragjeditë, që i shkaktuan njerëzimit, – që u përballuan nga vaksinat mjekësore, – paraqet një patologji të fshehtë.
S’dihet “origjina” e virusit kërcënues Covid 19, – përcaktimet se ky virus është një mutacion midis indit të një gjarpri dhe të një lakuriqi nate, – nuk janë ende një pjesë e diagnozës përfundimtare.
A është krijuar në një laborator sekret, special për njohjen dhe ruajtjen sekrete të viruseve, – si instrumente potenciale të një lufte botërore mikrobiologjike?
S’ka një informacion final.
A kemi të bëjmë me një strategji “luftarake” shfarosëse?
Teoritë konspirative nuk munguan në këtë rast, – por gëluan me vrull dhe u përhapën kudo.
Por Covid 19 në shtete të ndryshme të botës ka shkaktuar manipulime të jashtëzakonshme.
Rregullat shtrënguese të karantinës së përgjithshme dhe universale u kanë dhënë mundësinë politikanëve dhe shtetarëve që të konceptojnë fuqi “juridike” të reja për pushtetin dhe deformimin e demokracisë liberale.
Karantina tingëllon kështu si një tautologji e “shtetrrethimit ushtarak”.
Politikanët përgjithësisht në vokabularin e tyre të propagandës huazuan “terma militarë” duke folur për “armikun e padukshëm” por edhe “tradhtarët e dukshëm”.
Në të vërtetë përballja me pandeminë, nuk lidhet me asnjë doktrinë ushtarake, e mirëfilltë, është një krizë dhe emergjencë ekzistenciale, tejet serioze, është një degradim i imuniteteve humane, një shpërthim mikrobiologjik ndaj ekzistencës së njeriut dhe të njerëzimit me rrezikshmëri të jashtëzakonshme.
***
Në prill 2020 shkrimtari i çmimit Nobel Mario Vargas Llosa inicioi një Manifest kundër shfrytëzimit të pandemisë, për të vendosur autokracinë.
Manifestin e firmosën shumë personalitete të kulturës, shkencës dhe politikës, nga të dy anët e Atlantikut.
Po çfarë konceptualizon ky Manifest?
Çfarë thuhet në substanc në të?
Që pandemia mos të jetë një pretekst për autoritarizëm.
Ky është titulli i Manifestit, nënshkruesi i parë i të cilit është çmimi Nobel për letërsi Mario Vargas Llosa, botuar në faqen e internetit të tij Fundacion Internacional Para la Libertad.
Dokumenti përmban rreth 150 anëtarë të shquar në radhët e politikanëve dhe intelektualëve që flasin spanjisht nga 23 vende.
Premisa e Apelit të promovuar nga shkrimtari peruan pastron keqkuptimet në lidhje me tragjedinë shëndetësore me të cilën përballet e gjithë bota.
Po ashtu, nobelisti Mario Vargas Llasa thekson se kufizime për lirinë dhe mbyllja e punës nga shumë qeveri ka sjellë sipas tij jo vetëm pamundësi të prodhimit, por edhe manipulim të informacioneve.
“Ne, të nënshkruarit – lexojmë – ndajmë shqetësimin për pandeminë Covid -19, e cila ka shkaktuar një infeksion të madh dhe vdekje në të gjithë botën, dhe solidariteti ynë do të arrijë tek familjet e goditura nga zija.
Ndërsa punonjësit e shëndetit publik dhe privat po luftojnë me guxim kundër koronavirusit, shumë qeveri kanë masa që kufizojnë pafundësisht liritë dhe të drejtat themelore.
Në vend të disa kufizimeve të arsyeshme për lirinë, mbyllja me përjashtime minimale, pamundësia e punës dhe prodhimit dhe manipulimi i informacionit mbizotëron në disa vende”, thuhet në Manifest.
Më tej nobelisti i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe punonjësve të shëndetit publik dhe privat, të cilët janë në luftë kundër koronavirusit.
Nobelisti Mario Vargas Llosa ka folur edhe për ndikimin e pandemisë gjatë viteve të diktaturës për disa shtete, duke theksuar se viruset në atë kohë janë përdorur si justifikim për persekutime dhe shtypje.
“Në diktaturat e Venezuelës, Kubës dhe Nikaraguas pandemia shërben si një justifikim për të rritur persekutimin politik dhe shtypjen.
Në Spanjë dhe Argjentinë udhëheqësit me paragjykime të theksuara ideologjike pretendojnë se përdorin rrethana të vështira për të atribuar prerogativat politike dhe ekonomike që në një situatë tjetër, qytetarët do ta refuzonin me vendosmëri.
Në Meksikë, presioni kundër kompanive private shpërthen dhe “Puebla Group” përdoret për të sulmuar qeveritë me orientime të ndryshme.
Në të dy anët e Atlantikut – lexon dokumenti – etatizmi, ndërhyrja dhe populizmi janë ringjallur me një impuls që sugjeron një ndryshim të modelit larg demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut”, theksohet në Manifest.
Nobelisti Mario Vargas Llasa thekson më tej se liria e qytetarëve nuk duhet të kufizohet, duke hedhur poshtë dilemat se këto masa janë marrë për të parandaluar përhapjen.
“Ne duam të shprehemi me energji se kjo krizë nuk duhet të përballet duke sakrifikuar të drejtat dhe liritë që kushtojnë shtrenjtë për të arritur.
Ne hedhim poshtë dilemën e rreme që këto rrethana na detyrojnë të zgjedhim midis autoritarizmit dhe pasigurisë, midis veprave filantropike dhe vdekjes”, nenvizohet në Manifest.
Ish-krerët e shumtë të shteteve dhe ish-kryeministri spanjoll José María Aznar janë ndër nënshkruesit e “Manifestit”.
Gjithashtu ndër firmëtarët janë edhe ish-presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri; i Meksikës, Ernesto Zedillo; i Kolumbisë, Álvaro Uribe Vélez; nga Uruguai, Luis Alberto Lacalle dhe Julio María Sanguinetti; të El Savador, Alfredo Cristiani; të Paraguai, Federico Franco.
Ka edhe shumë politikanë, sipërmarrës, ekonomistë dhe intelektualë (përfshirë filozofin spanjoll Fernando Savater dhe shkrimtarin Felix de Azúa).
Në mesin e italianëve, shkencëtari politik Angelo Panebianco, sipërmarrësi Franco Debenedetti, artisti Massimo Mazzone dhe Alberto Mingardi i Institutit Bruno Leoni.
***
Manifesti reflekton situatën, – se si emergjencat mjekësore, – përdoren edhe si modalitete të shtrënguara shtetërore, duke stimuluar veprime autoritariste.
Ndaj parapëlqehen kaq shumë dhe shpesh “termat militare”, – madje në Shqipëri shpenzimet, që akordon qeveria, për bizneset e goditura dhe të falimentuara quhen edhe si “paga të luftës”, – duke qenë e panevojshme ky cilësim.
Aprovimi i ligjeve të reja në situatën në shtrëngesë, dmth të jashtëzakonshme, nga Kuvendi i Shqipërisë, ka penalizime të ashpra, ndërkohë që kjo strukturë ligjore, duhej të theksonte më shumë parandalimin e infektimeve tërësore, legjislacionin parandalues, si dhe fuqizimin të rikonceptuar të dimensionin shtetëror të emergjencave, që si në rastin e tërmetit, ashtu dhe të pandemisë, ka rezultuar i nënvlerësuar nga qeveritë shqiptare të djathta dhe të majta.
Shqipëria është shteti që e ka injoruar në mënyrë kriminale rëndësinë e fondeve të emergjencës, – në rastin e fatkeqësive natyrore dhe sulmeve të paparashikuara virusale.
Manifesti i përuruar nga Mario Vargas Llosas duhet lexuar seriozisht në Shqipëri, ku një klasë parapolitike ka qenë e pandërgjegjshme për 30 vjet- dhe nuk paraqet premisa ndryshimi progresiv,- për një politikë të re, serioze, vizionare, paraprijëse.
Me këtë klasë parapolitike janë sëbashku PS, PD dhe LSI, apo dhe partitë fantazma dhe të vdekura realisht prej kohësh.
Ato perbejne ne te vertete nje simbioze me njera tjetren!
Establishmenti i vjetër politik në Shqipëri nuk ka garanci të perceptimeve dhe të rikonstruktimit me tendencë të ardhmen.
Ne kohen post-pandemike kerkohet edhe nje establishment i ri politik.
Kjo eshte nje domosdoshmeri!
***
Në fakt problematike është edhe politika botërore.
Sidomos edhe në SHBA.
Korporatat farmaceutike janë në një simbiozë me politikën.
Po përcjell diçka nga debati i tmerrshëm i shkaktuar nga Bill Gates.
Avokati dhe mbrojtësi i njohur i vaksinave Robert F. Kennedy Junior, nipi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, është duke marrë përsipër një qëndrim kundër axhendës globale të Bill Gates.
Manjati amerikan Bill Gates po akuzohet nga shumë individë se po përdor Covid-19 për interes të tij.
Gates është ai që po punon për prodhimin e vaksinës dhe gjithçka duket se vërtitet rreth tij. “Organizata Botërore e Shëndetit zhvillon eksperimente globale sociale dhe mjekësore në përputhje me vizionin e mega donatorit të saj Bill Gates dhe besimin e saj fetar se mund të përdorë teknologji (vaksina dhe bujqësi OMGJ) për ta bërë atë shpëtuesin e të gjithë njerëzimit. “Strategjia e Gates” për të marrë OBSH dhe për të marrë kontrollin e zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë si Tony Fauci dhe Deborah Birx do të thotë që bashkë-themeluesi i Microsoft tani mund të diktojë politikat globale të shëndetit që prekin 7 miliardë njerëz dhe ai mund të kontrollojë detajet më intime të jetës sonë”, tha Kennedy Jr. në faqen e tij në Instagram.
Kennedy Jr. citoi gjithashtu një artikull të fundit në Politika për Bill Gates dhe pranoi se përparësitë e Gates janë bërë prioritetet e OBSH.
Në vend që të përqendrohet në forcimin e kujdesit shëndetësor në vendet e varfra, agjencia harxhon një sasi disproporcionale të burimeve të saj në projekte eksperimentale, ato që pëlqen vetëm Bill Gates.
Sipas Kennedy Jr. Projektet e preferuara të Gates përfshijnë të korrat e OMGJ-ve, bujqësinë kimike dhe vaksinat.
“Siç është raportuar nga @nationmag javën e kaluar, nga udhëzimet e Gates shpesh përfitojnë nga ndërmarrjet farmaceutike dhe kimike, siç është Monsanto, në të cilën Gates dhe fondacioni i tij janë përfshirë shumë si investitorë”, tha ai.
Një peticion për të hetuar Bill dhe Melinda Gates për “krime kundër njerëzimit” dhe “sjellje mjekësore” ka grumbulluar 410,000 nënshkrime të jashtëzakonshme.
Gates i ka përdorur paratë e tij për të fituar sistematikisht pushtetet përtej atyre që ushtroheshin nga presidentët dhe i përdor këto fuqi për të eksperimentuar mbi njerëzit si kavie.
Një përfaqësues i një OJQ-je me bazë në Gjenevë u ankua në portalin Politico: “Pak njerëz kanë guximin të kritikojnë hapur për atë që po bën Gates.
Nën udhëheqjen e tij, OBSH zhvillon eksperimente mjekësore dhe sociale në një mënyrë globale, duke përdorur besimin fetar të Gates se ai mund të përdorë teknologjinë (vaksinat dhe bujqësinë e OMGJ) dhe njohuritë e tij të thella për kompjuterët, për ta bërë atë shpëtuesin e gjithë njerëzimit”.
Por teksa kritikat ndaj Gates janë shtuar ndjeshëm, ai po tregon nga dita në ditë se është krah Kinës.
Bill Gates ka dhënë një intervistë me anë të një lidhjeje direkt për CNN, ku ka dalë haptazi në mbrojtje të Kinës sa i takon mënyrës së menaxhimit që kjo e fundit ka bërë në lidhje me COVID-19.
Vlen të theksohet se Kina ndodhet në qendër të konspiracioneve, si vendi i cili e ka shkaktuar dhe ka përhapur qëllimisht koronavirusin, ku renditen arsye nga më të ndryshmet se pse Kina mund ta ketë bërë këtë.
Sakaq Bill Gates mendon se është shumë herët për të folur nëse Kina ka faj për shpërthimin e koronavirusit dhe përpjekja për të gjetur fajtorin në Kinë është thjesht një shpërqendrim.
Gates nuk hodhi poshtë këto konspiracione dhe kritikoi disa gjëra, të cilat ai i konsideroi si të pasakta dhe të padrejta, që janë thënë në lidhje me Partinë Komuniste të Kinës.
“Kina ka bërë shumë gjëra ashtu siç duhet në fillim, ashtu si çdo vend ku ka dalë virusi ditët e para.
Të gjitha shtetet mund të kthejnë kokën pas dhe të dallojnë sot se ku kanë gabuar.
Për shembull, SHBA nuk e menaxhoi mirë situatën në krahasim me vendet e tjera, të cilat e minimizuan dëmin ekonomik.
Por, nuk është koha për të folur për këtë gjë tani”, ka deklaruar për CNN Bill Gates.
Më tej teksa komentoi konspiracionet e ngritura mbi Kinën, Gates tha se tani është momenti vetëm për të kryer testime dhe për të punuar për vaksinën.
“Tani është koha për testime, trajtime, vaksinë.
Çdo gjë tjetër është shpërqendrim.
Ka shumë gjëra të pasakta dhe të padrejta që janë thënë, por edhe për këtë nuk është koha që të flasim tani”, u shpreh Bill Gates ndër të tjera për CNN.
Bashkëthemeluesi i Microsoft mbrojti, gjithashtu, edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë OBSH, që është akuzuar se është treguar e butë me Kinën.
Gates u shpreh se kur të vijë koha do të shihet se Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të kishte bërë më mirë në disa gjëra.
“Pas disa kohësh, do të shohim se OBSH-ja mund të kishte bërë më mirë disa gjëra ashtu si çdo aktor tjetër në të gjithë këtë situatë.
Por, puna e saj ka qenë fenomenale”, u shpreh ndër të tjera Bill Gates.
OBSH deri më tani po dështon me menaxhimin e situatës.
Qëndrimet e saj kanë ndryshuar nga dita në ditë dhe kjo duket se i shërben vetëm një njeriu, Bill Gates.
Ai është personi që po investon më shumë në gjetjen e vaksinës kundër Covid dhe sa më shumë përkeqësohet situata, sikundër pretendon OBSH, aq më shumë fitime nxjerr Gates nga vaksinimi i popullatës.
Ajo që e fakton këtë është se sapo nisi kriza e virusit, ai hoqi dorë nga bordi drejtues i Microsoft duke u përqendruar vetëm te aspekti shëndetësor.
Po ashtu ka lënë gjithashtu bordin e kompanisë mbajtëse masive të Warren Buffett, Bershire Hathaway.
“Unë jam duke pritur për këtë fazë tjetër, si një mundësi për të ruajtur miqësitë dhe partneritetet që kanë menduar më së shumti për mua, të vazhdoj të kontribuoj në dy kompani nga të cilat jam tepër krenar, dhe në mënyrë efektive t’i kushtoj përparësi angazhimit tim për adresimin e disa nga sfidat më të vështira në botë”, u shpreh ai.
Gazeta prej disa ditësh ka treguar fakte se si Gates e ka paralajmëruar situatën ku ndodhemi.
Një fakt i ditëve të fundit është dhe bashkëshortja e tij.
Ajo ka shpjeguar në një intervistë për BBC Radio Live, se familja Gates ka qenë në pritje që një pandemi të ndodhë, që prej disa vitesh.
Melinda Gates tha se, familja kishte diskutuar se çfarë do të ndodhte në rast të një pandemie dhe a do të kishte mjaftueshëm ujë dhe ushqime.
“Disa vite më parë, ne diskutuam për disa çështje.
Po sikur të mos ketë ujë të pastër?
Po nëse nuk do të ketë mjaftueshëm ushqim?
Ku mund të shkojmë?
Çfarë mund të bëjmë si familje?
Mendoj se ne duhet t’i bëjmë vetë këto përgatitje.
Ne kishim përgatitur dhe kishim ushqime në bodrum në rast se na nevojiteshin dhe tani jemi të gjithë në të njëjtën situatë”, tha Melinda Gates.
Bill Gates ka paralajmëruar se një pandemi rrezikon të shfaqet në botë, që prej vitit 2010 dhe gjithashtu ka deklaruar se bota nuk ishte e përgatitur për një pandemi të mundshme.
Bill Gates ka shprehur hapur gatishmërinë e tij për të kontribuar financiarisht për vaksinën e re kundër Covid-19.
Me anë të një interviste në Times disa ditë më parë, Gates kishte deklaruar se situatat që po përjetojmë “janë si ato të një lufte botërore, prandaj pikërisht për këtë fakt jemi të gjithë në të njëjtën anë për ta mposhtur atë”.
Fondacioni që manjati ka krijuar së bashku me bashkëshorten e tij, Melinda, ka shprehur gatishmërinë që të përballojë kostot e vaksinës së re menjëherë sapo të zbulohet, duke kontribuar në gjetjen e fondeve të duhura për të mundësuar që ajo të prodhohet në një shkallë të gjerë, në mënyrë që të mbulohen nevojat e të gjitha vendeve.
Duke e cilësuar se ankthi i tij më i madh për pandemitë, i deklaruar vite më parë iu bë realitet, Gates u shpreh se është në kontakt me të gjitha laboratorët apo nismat inovative që janë në kërkim të një vaksine të re.
“Nëse (vaksina e tyre, apo te tjerët) funksionon, unë dhe të tjerët në një konsorcium do të sigurojmë që do të ketë prodhim masiv”, siguroi Gates gjatë intervistës, duke lavdëruar kreun e institutit të kërkimit, virologun, Sarah Gilbert.
Për momentin, qeveria e Boris Johnson i ka dhënë Institutit Jenne fonde të mjaftueshme që të vazhdojë “me shpejtësi të plotë”, por themeluesi i Microsoft tashmë po flet me kompanitë farmaceutike që të jenë gati për ta prodhuar atë në një shkallë të madhe shpejt nëse funksionon.
Qëllimi, thotë ai, është të prodhojmë sa duhet prej tyre për të gjithë botën.
“Për fat të mirë”, shton ai, “askush nga ata që punojnë në vaksina nuk presin të fitojnë para”.
Gates pret që Samiti i Përgjigjes së Koronavirusit i parashikuar për në maj të grumbullojnë më shumë se 6.5 miliardë dollarë midis qeverive dhe organizatave për kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës.
***
Pamja e mësipërme është tronditëse dhe shumë e komplikuar.
Kjo vërteton qartë se çështja e pandemisë është një çështje thelbësisht botërore dhe ka tronditur edhe vetë themelet ekzistenciale të qytetërimit.
Duke cituar mendimtarin e madh Zigmund Baumanin se neoliberalizmi krijon paradokse vetasgjësuese në ekonomi, politikën globale, por edhe në kërcënimin e ekologjisë dhe të mbijetesës së qenieve të gjalla, ku gjitari Njeri, duke shkatërruar speciet e gjalla, shkatërron edhe veten njëkohësisht.
Njerëzimi pas pandemisë Covid-19 duhet të gjejë atributet e ndryshimit, të rikonceptimit të vetvetes dhe të konceptualizojë Njeriun e së Ardhmes, – një Humanizëm të Ri.
Por është ende e paparashikueshme se si mund të ndodhë një gjë e tillë, jetike dhe e domosdoshme.
Politika e vjetër botërore është konservatore dhe ndonëse e ndjen afrimin e Apokalipsit nuk është më e aftë për veprime të ndryshimit radikal dhe paraprijës.
Epoka post-pandemike ose do të reflektojë, ose do humbë funksionet ekzekutive, por edhe legjislative.
Duhet kaluar Rubikoni!
Po si?
Duhet një solidaritet madhështor, i pa menduar më parë, një sistem universal mjekësor me fuqi parandaluese, për të përballuar ankthin ekzistencial dhe mutacionet e reja të viruseve të pashmangshme, që kërcënojnë planetin.