Duke u përpjekur të fitojnë pikë politike, e djathta ekstreme në Greqi dhe Itali po fajëson refugjatët dhe emigrantët si bartës të COVID-19.
Nga Aggelos Andreou
Më 12 mars, një roje sigurie në një qendër greke për refugjatë të rinj, shkoi te shefja e tij, i shqetësuar për rrezikun e infektimit me COVID-19 nga banorët që ai ishte punësuar të mbronte.
“Çfarë duhet të bëjmë me ta?” Dimitra Adamantidou, menaxhere projekti në Shoqatën për Kujdesin e të Miturve me bazë në Athinë, kujton ta ketë pyetur burri. Ai ishte i shqetësuar për familjen e tij, tha ajo.
Në atë fazë të hershme të pandemisë, nuk kishte raste të konfirmuara me koronavirus midis refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika të cilët përpiqen të mbërrijnë në shtetet e pasura të Europës perëndimore përmes Greqisë.
Por roja nuk do ta dinte se nga deklaratat e politikanëve të krahut të djathtë në Europë, të cilët e panë në krizën si një mundësi për të të përforcuar pretendimin e tyre që refugjatët dhe emigrantët që arrinin në brigjet e Bashkimit Europian janë një kërcënim për jetën dhe jetesën në bllok.
Vetëm disa ditë më parë, më 28 shkurt, Matteo Salvini, ish-ministri i brendshëm i Italisë dhe lideri i partisë Lega e krahut të djathtë, akuzoi hapur emigrantët afrikanë për sjelljen e virusit në Itali.
“Ne duhet t’i përforcojmë më shumë kufijtë tanë”, tha ai pasi një anije shpëtimi e Mjekë pa Kufij dhe SOS Méditerranée u karantinua nga qeveria italiane në portin sicilian të Pozzallo-s.
Deklarata të tilla po ushqejnë armiqësi ndaj emigrantëve dhe refugjatëve që përpiqen të arrijnë në Europë, me shfaqjen e COVID-19 në Europë që përkon me një shtim të tensioneve për braktisjen së një marrëveshjeje që Turqia kishte nënshkruar në vitin 2016 me BE-në për t’i mbajtur ata brenda kufijve të vet.
“Ky virus i shërbeu shumë mirë axhendës nacionaliste”, tha Stevi Kitsou, një avokat për të drejtat e njeriut me qendër në Athinë.
“Ai u përdor si një mjet efektiv për të forcuar retorikën kundër pakicave; frika nga një sëmundje e panjohur ishte tashmë e pranishme. Ata duhej thjesht ta lidhnin atë me emigrantët si një kërcënim i panjohur.”
Pandemia përkoi me rritjen e tensionit për refugjatët
Në krahun jugor të Europës, Italia dhe Greqia u shfaqën si porta hyrëse për në BE kur qindra mijëra kryesisht sirianë, irakianë dhe afganë morën anijet dhe kaluan Mesdheun në 2015.
Marrëveshja BE-Turqi e vitit 2016, sipas së cilës Ankaraja ra dakord t’i mbante ata brenda territorit të saj në këmbim të një premtimi prej gjashtë miliardë eurosh ndihmë, ngadalësoi fluksin, por u prish më 28 shkurt të këtij viti kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i zemëruar nga humbjet e tij ushtarake në Siri, tha se BE-ja nuk po i përmbushte zotimet e saj financiare.
Dhjetëra mijëra emigrantë dhe refugjatë u grumbulluan shpejt në kufirin turko-grek, ku janë ndaluar nga forcat greke.
Edhe para rënies së marrëveshjes, rreth 10,000 emigrantë dhe refugjatë mbërritën në brigjet greke në janar dhe shkurt, sipas shifrave të UNHCR. Rreth 4,000 arritën në Itali.
COVID-19, ndërkohë, ka mbyllur kufijtë në të gjithë Europën dhe ka testuar unitetin e BE-së.
Greqia konfirmoi rastin e parë të koronavirusit më 26 shkurt, dy ditë para tërheqjes së Erdoganit nga pakti i emigracionit i BE-së. Ishte një grua 38-vjeçare greke që sapo ishte kthyer nga qyteti i Milanos në qytetin e dytë të Greqisë, Selanik.
Kjo bëri që të fillonte menjëherë gjuha e urrejtjes ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, tha Kitsou.
“Por pastaj virusi u përhap dhe gjërat dolën përsëri nga duart për shkak të politikës së dyfishtë të qeverisë”, tha ajo, në lidhje me mënyrën se si autoritetet i trajtuan ndryshe grekët dhe pakicat.
Qeveria greke akuzohet për mashtrim
Ndërsa tensionet me Turqinë shtoheshin, ligjvënësit grekë nga partia qeverisëse konservatore Demokracia e Re bënë thirrje në fillim të marsit që refugjatët e rinj që vinin të strehoheshin në ishuj të vegjël dhe të shkretë në Egje.
Zgjidhja Greke, e cila mban 10 nga 300 vendet në parlamentin Grek, i quajti emigrantët dhe refugjatët një “minë me sahat” për shëndetin publik grek.
Autoritetet, ndërkohë, u akuzuan se po i trajtonin ndryshe grekët dhe ndryshe pakicat, jo më pak në përditësimet e tyre për rastet e reja.
“E gjithë kjo ishte që të krijohej përshtypja se virusi bënte një dallim midis grekëve dhe jo grekëve”, tha Kitsou.
“Pra, kur thoni se ka të themi 60 raste në Greqi plus 35 raste në një pakicë të caktuar, atëherë nënkupton se këto 35 raste nuk i interesojnë Greqisë.”
Partia e majtë e opozitës SYRIZA, e cila ishte në qeverisje midis vitit 2015 dhe 2019, akuzoi qeverinë për ndjekjen e një strategjie ndryshe për COVID-19 midis emigrantëve dhe refugjatëve në krahasim me masat e shpejta, të rrepta për distancimin social që ajo vuri në zbatim për popullatën e përgjithshme greke dhe që bëri që Athina të lavdërohej në mediat ndërkombëtare.
“Është e qartë se qeveria ndoqi praktikën e imunitetit të tufës me emigrantët dhe refugjatët”, tha Dimitris Vitsas, i cili ishte përgjegjës për politikën e migracionit në qeverinë SYRIZA.
“Ne e pamë këtë të vihej në zbatim në vende të ndryshme, të tilla si në Ritsona, Moria ose Kios, ku një e treta e refugjatëve u prekën nga virusi”, tha Vitsas për BIRN, duke iu referuar kampeve të mëdha të emigrantëve dhe refugjatëve në Greqi. “Për fat të mirë, shumica e tyre ishin të rinj pa ndonjë problem tjetër shëndetësor dhe ne nuk patëm viktima.”
Kampi Ritsona, rreth 70 kilometra në veri të Athinës, ishte vendi i shpërthimit të parë të madh midis emigrantëve dhe refugjatëve në fillim të prillit.
I pyetur në lidhje me pretendimin e Vitsas, një zyrtar qeveritar që foli në kushte anonimiteti tha për BIRN: “Ne bëmë gjithçka që mundëm për të parandaluar që virusi të përhapej në këto qendra dhe padyshim që patëm sukses pasi në secilin rast pati zero vdekje.”
Por kur 148 banorë të një qendre refugjatësh – plus një vullnetar dhe një punëtor – rezultuan pozitiv në qytetin jugor të Kranidi në fund të prillit, “politikanët dhe grupet e ekstremit të djathtë filluan përsëri të thoshin se kjo ishte një minë me sahat për shëndetin publik”, tha Epaminondas Farmakis, drejtor ekzekutiv i organizatës së të drejtave të njeriut HumanRights360 në Athinë.
Kitsou tha se mediat greke gjithashtu ishin shprehur nëpër lajme se “ishin refugjatët që shkaktuan një shpërthim të madh të COVID-19”.
Agjencitë e ndihmës u zunë në befasi
Agjencitë dhe OJQ-të e ndihmës e pranojnë se edhe ato vetë kanë pasur faj. Disa pranojnë se nuk arritën të kuptonin shkallën e kërcënimit nga koronavirusi.
“Ne u zumë të gjitha në befasi nga pandemia”, tha Farmakis i HumanRights360. “Asnjë OJQ nuk e kishte kuptuar madhësinë e sfidës së COVID-19 që mbërriti në Greqi dhe përfundimisht ne ishim të papërgatitur.”
Adamantidou i Shoqatës për Kujdesin e të Miturve tha për BIRN: “Unë mendoj se kemi humbur dy deri në tre javët e para kritike, duke u munduar të kuptonim se çfarë duhet të bënim dhe si t’i mbronim njerëzit.”
Në Itali, epiqendra fillestare e shpërthimit të virusit në Europë pasi ai doli nga Kina, organizatat e ndihmës thonë se qeveria i braktisi refugjatët dhe emigrantët në territorin e saj, ndërkohë që ajo nxitonte të frenonte përhapjen e virusit nga veriu i vendit.
“Nuk pati një strategji të veçantë për emigrantët dhe refugjatët”, tha Michele Iacoviello, koordinator i klinikave të lëvizshme për Urgjencën në Milano, e cila ofron kujdes mjekësor për viktimat e konfliktit dhe varfërisë.
“Ata thjesht i futën në 14 ditë karantinë të gjithë ata që arritën brigjet italiane”, tha ai për BIRN. “Përveç kësaj, OJQ-të u lanë të luftonin të vetme për të siguruar kujdesin për pacientët me COVID-19.”
Oliviero Forti, kreu i Departamentit të Migracionit në Caritas Itali, tha se shumë refugjatë si dhe emigrantë nga vende të tjera të BE-së si Bullgaria dhe Rumania nuk ishin në gjendje të merrnin trajtimin e nevojshëm mjekësor, sepse nuk kishin dokumente për të hyrë në sistemin italian të kujdesit shëndetësor publik.
“Situata ishte shumë e vështirë, veçanërisht për refugjatët dhe emigrantët në jug të Italisë, pasi shumica prej tyre ishin ‘të paligjshëm’, prandaj ata nuk kishin të drejtë të shtroheshin në spital”, tha Forti për BIRN..
“Qeveria italiane i la ata pa ndihmë, kështu që ne u përpoqëm shumë që t’i ndihmonim ata pa ndihmën e shtetit.”
E djathta ekstreme “mprehu thikat”
Fakti që virusi në Itali u përhap fillimisht në veri, ku ka relativisht pak emigrantë dhe refugjatë, nënkuptonte se Salvini “nuk mund ta shfrytëzonte plotësisht krizën,” tha për Al Jazeera Andrea Mammone, një pedagog italian në historinë moderne në Royal Holloway, Universiteti i Londrës.
Por Salvini vazhdoi t’i mëshonte këtij mesazhi.
“Infeksioni po përhapet”, shkroi ai në Facebok më 24 shkurt. “Dua të di nga qeveria se kush ka hyrë dhe kush ka dalë nga vendi. Ne duhet të mbyllim menjëherë kufijtë tanë tani.”
Në Greqi, personat më të cilat foli BIRN parashikuan një përkeqësim të armiqësisë publike dhe politike ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, duke pasur parasysh sidomos pasojat ekonomike nga pandemia.
“Mund ta shihni që tani atë që do të ndodhë”, tha Kitsou.
“E djathta ekstreme tashmë po mpreh thikat e saj për të fajësuar pakicat kur e gjithë kjo të marrë fund dhe Greqia të hyjë në një krizë të re ekonomike. Në fund të fundit, ata janë ekspertë për të akuzuar të tjerët për dështimin e shtetit për të mbrojtur qytetarët e tij.”
Në Itali, Forti, nga Caritas, ishte më pak i sigurt.
“Tani për tani, nuk shoh që kjo gjë të ndodhë në Itali”, tha ai, “sepse pandemia është aq e madhe saqë të gjithë duan vetëm që kjo të marrë fund.”
“Por këtu jemi dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
Ky artikull është prodhuar si pjesë e Iniciativës Resonant Voices në BE, e financuar nga Fondi i Bashkimit Europian për Siguri të Brendshme. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret si pikëpamje e Bashkimit Europian.