Kancelarja gjermane, Angela Merkel njoftoi një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë prej 130 miliardë eurosh për vitet 2020-2021, i destinuar për të stimuluar ekonominë gjermane, goditur rëndë nga pandemia e COVID-19.
“Vlera e këtij plani do të jetë 130 miliardë euro për vitet 2020-2021, 120 miliardë prej të cilave do të shpenzohen për qeverinë federale”, konfirmoi Merkel në një konferencë shtypi në përfundim të takimit dyditor mes konservatorëve dhe social-demokratëve, partnerë të koalicionit qeveritar.
“Ne kemi një plan për rimëkëmbjen ekonomike, një plan për të ardhmen dhe sigurisht, plus kësaj, ne mbajmë tashmë përgjegjësinë tonë për Europën dhe dimensionin ndërkombëtar”, nënvizoi Merkel.
Edhe pse Gjermania ka qenë deri tani më pak e prekur se fqinjët nga pandemia në planin njerëzor, me rreth 8 500 të vdekur, ekonomia e saj, shumë e varur nga eksportet, është goditur ndjeshëm.
Mes masave të njoftuara bëjnë pjesë, përveç uljes së përkohshme të TVSH-së dhe transferimit të borxheve të komunave drejt shtetit federal, një ndihmë prej 300 eurosh për fëmijë për familjet dhe ndihma të tjera për kompanitë në vështirësi.
Ky plan i shtohet planit gjigant prej më shumë se 1 000 miliardë euro të njoftuar në muajin mars, në pikun e pandemisë, duke parashikuar ndihma për kompanitë dhe miliarda euro kredi të garantuara.