Në dekadën që pasoi rrëzimin financiar të vitit 2008, një valë populizmi goditi dhe sfidoi shumë nga normat e perceptuara të ligjërimit politik të Evropës. Të shoqëruar me krizat e mëpasshme të Eurozonës dhe migracionit, politikanët u markuan si establishment, pa kontakte me masat.
Nga masat anti-shtrënguese në Greqi, deri në ngritjen e ekstremit të djathtë në Gjermani, deri te rritja e autoritarizmit në Evropën Qendrore, nacionalizmit në Spanjë, populizmit në Itali, jelek-verdhët në Francë dhe, natyrisht, Brexit në Britani, politika evropiane u zgjua dh u trondit.
Por Evropa, tani përballet me një krizë shumë më të madhe. Shoku ekonomik nga bllokimi i gjithë kontinentit do të çojë në një recesion shumë më të thellë se ai që pamë 10 vjet më parë. Miliona të tjerë mund të humbasin punën e tyre, shumë biznese mund të falimentojnë. A mund të shohim edhe më shumë trazira politike?
Epo, në të vërtetë, deri tani, kemi parë krejt të kundërtën. Popullsitë, për habi të disave, janë mbledhur pas qeverive dhe liderëve të tyre. Disa, si Angela Merkel, po shijojnë vlerësime rekord. Masat e izolimit janë respektuar me sukses. Shkenca, testimi, këshillat mjekësore dhe ekspertiza janë shumë në modë.
Sidoqoftë, a do të vlejë kjo në afatgjatë? Apo një valë tjetër populiste do të konsumojë Evropën? Për shenja të hershme mund t’i drejtohemi Italisë, vendi më i prekur nga pandemia. Si gjetkë, mbështetja e qeverisë është rritur, ndërsa aprovimi i Matteo Salvinit, kreut të së djathtës radikale, ka rënë.
Por gjithsesi, populizimi nuk ka rënë. Në javën e kaluar në Itali, qindra njerëz morën jelekë portokalli për t’u bashkuar me një lëvizje të re protestuese. Disa janë të zemëruar nga qeveria për trajtimin e krizës së koronavirusit. Të tjerët janë të shqetësuar për vaksinat, ose shqetësohen për teknologjinë 5G dhe efektet e saj. Shumë njerëz gjithashtu kanë humbur punët e tyre dhe besojnë se karantinimi ka mbytur ekonominë.
Por pse është kaq shqetësues populizmi? Problemet e tij gjenden në përgjigjet e dhëna nga njerëzit që pretendojnë se i kanë ato. Këto përgjigje – flasin për zgjidhje të thjeshta, që shtrihen përtej së vërtetës; mashtrojnë ose përdorin teori konspirative. Gjuha shpesh është përçarëse dhe demagogjike. Qëllimi nganjëherë është të keqësoj gjërat në kurriz të të tjerëve.
Protestat e ‘Orange Vest’ në Itali, me shumë mundësi, do të rriten. Në Francë, ‘Yellow Vest’ kanë filluar të organizohen përsëri. Politika dhe politikanët ka të ngjarë të sfidohen në këtë epokë të re. Kjo nuk është thellësisht një gjë e keqe. Pyetja është, a mund të vinë drejtuesit populist me përgjigje që drejtuesit aktualë në Evropë nuk i kanë? Historia ka treguar që jo.(SCAN, Euronews)