Koreja e Veriut tha se do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, përfshirë edhe atë midis dy udhëheqësve.
Thirrjet ditore, të cilat janë bërë në një zyrë ndërlidhëse në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë nga sot, tha agjencia verikoreane e lajmeve KCNA.
Sipas saj, kanalet e komunikimit ushtarak do të ndërpriten gjithashtu.
Njerëzit e Koresë së Veriut “janë zemëruar nga sjellja e pabesë dhe dinake e autoriteteve të Koresë së Jugut, me të cilat kemi shumë çështje për të zgjidhur”, citoi KCNA qëndrimin e autoriteteve verikoreane.
Dy Koretë janë teknikisht në luftë, sepse konflikti i tyre i viteve 1950-1953 ka përfunduar me armëpushim dhe jo me traktat paqeje.
Raporti i agjencisë KCNA akuzoi po ashtu autoritetet e Koresë së Jugut se “në mënyrë të papërgjegjshme i lejojnë dezertorët të dëmtojnë dinjitetin e udhëheqjes supreme të Koresë së Veriut”.
Koreja e Jugut nuk ka dalë ende me ndonjë reagim.