Ballina Bota Analiza ANALIZA: Pandemia dhe rendi i ri botëror

ANALIZA: Pandemia dhe rendi i ri botëror

Nga Francis Fukuyama

Krizat e mëdha sjellin edhe pasoja të mëdha, zakonisht të paparashikuara. Depresioni i Madh nxiti izolimin, nacionalizmin, fashizmin dhe Luftën e Dytë Botërore, por solli gjithashtu New Deal (Marrëveshjen e Re), ngritjen e Shteteve të Bashkuara si një superfuqi globale, dhe në fund procesin e dekolonizimit.

Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 prodhuan 2 ndërhyrje të dështuara ushtarake amerikane, ngritjen e Iranit, dhe forma të reja të radikalizmit islamik. Kriza financiare e vitit 2008, shkaktoi një rritje të populizmit anti-establishment, që zëvendësoi udhëheqësit në pushtet të gjithë botën.

Historianët e ardhshëm, do të gjurmojnë me siguri efekte relativisht të mëdha të shkaktuara nga pandemia aktuale e koronavirusit. Por sfida është zbulimi i tyre i mëhershëm. Tanimë është e qartë se përse disa vende, kanë qenë më mirë se të tjerat në menaxhimin e krizës deri më tani, dhe janë të gjitha arsyet që këto prirje të vazhdojnë.

Dhe kjo nuk ka të bëjë me llojin e regjimit. Disa demokraci kanë reaguar mirë, të tjerat jo, dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe për autokracitë. Faktorët ndikues në lidhje me përgjigjet e suksesshme ndaj pandemisë janë kapaciteti shtetëror, besimi social dhe udhëheqja.

Vendet me të tria këto elementë – një aparat shtetëror kompetent, një qeveri të cilës qytetarët i besojnë dhe e dëgjojnë, dhe udhëheqësit efektivë – kanë pasur një reagim mbresëlënës, duke i kufizuar dëmet që ato kanë pësuar nga Covid-19.

Ndërkohë, vendet me shtete jofunksionale, shoqëri të polarizuara ose udhëheqje të dobët kanë reaguar dobët, duke i lënë qytetarët dhe ekonomitë e tyre të ekspozuara dhe shumë më të prekshme ndaj virusit. Sa më shumë që mësohet mbi Covid-19, aq më shumë duket se do të zgjasë krizë, e matur me vite dhe jo 3-mujorë.

Virusi po duket së fundmi më pak vdekjeprurës, por mbetet shumë ngjitës dhe transmetohet në shumë raste pa asnjë simptomë. Kjo ka bërë që njerëzit të priren të mos e marrin atë aq seriozisht sa duhet, dhe në këtë mënyrë virusi do të vazhdojë të përhapet gjerësisht në të gjithë globin, duke shkaktuar një numër të madh të vdekurish.

Nuk do të ketë asnjë moment, kur vendet do të jenë në gjendje të shpallin fitoren e tyre ndaj sëmundjes. Përkundrazi, ekonomitë do të hapen me ngadalë. Shpresat për një rikuperim në formë V duken si tepër optimiste. Më shume gjasa ajo e rritjes ekonomike, do të jetë një kurbë në formë L-je me një bisht të gjatë ose disa Ë.

Ekonomia botërore, nuk do të kthehet shumë shpejt në gjendjen e saj para-Covid. Dhe në aspektin ekonomik, një krizë e gjatë nënkupton më shumë falimentime biznesesh, dhe dëme të mëdha në industri si qendrat tregtare, zinxhirët e furnizimit me pakicë, dhe udhëtimet turistike.

Vetëm kompanitë e mëdha do të jenë në gjendje të përballojnë goditjen, me gjigantët e teknologjisë që do të dalin kryesisht të fituar, pasi ndërveprimet digjitale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Por ndërkohë pasojat politike, mund të jetë edhe më domethënëse. Popullatat mund të detyrohen të bëjnë akte heroike të vetëflijimit kolektiv për një fare kohe, por jo përgjithmonë. Një epidemi e gjatë në kohë, e kombinuar me humbje të shumta të vendeve të punës, një recesion ekonomik të zgjatur dhe një borxh shumë të madh, do të krijojë pashmangshmërisht tensione, të cilat shndërrohen më pas në një reagim politik.

Se kundër kujt, kjo është ende e paqartë. Shtetet e Bashkuara, kanë pasur një reagim shumë të keq ndaj pandemisë, dhe kjo e ka zbehur më tej prestigjin e saj ndërkombëtar. Shpërndarja globale e fuqisë, do të vazhdojë të zhvendoset drejt lindjes, pasi Azia Lindore ka qenë më e aftë në administrimin e situatës sesa Evropa apo SHBA-ja.

Ndonëse pandemia filloi nga Kina, dhe Pekini në fillim e fshehu duke e lejuar që të përhapej, Kina do të përfitojë nga kriza, të paktën në terma relativë. Gjatë viteve të ardhshme, pandemia mund të çojë në rënien relative të Shteteve të Bashkuara, në erozionin e vazhdueshëm të rendit ndërkombëtar liberal, dhe në ringjalljen e fashizmit në mbarë globin.

Por ajo mund të sjellë gjithashtu edhe një rilindje të demokracisë liberale, një sistem që shumë herë ka habitur skeptikët, duke shfaqur një fuqi të jashtëzakonshme të rezistencës dhe ripërtëritjes. Elementet e të dyja vizioneve do të shfaqen në vende të ndryshme.

Për fat të keq, përveçse nëse prirjet aktuale ndryshojnë në mënyrë dramatike, parashikimi në përgjithësi është i zymtë. Dhe pasoja negative janë të lehta për t’u imagjinuar. Nacionalizmi, izolimi, ksenofobia dhe sulmet ndaj rendit liberal botëror, janë rritur për vite me radhë, dhe kjo prirje vetëm sa do të përshpejtohet nga pandemia.

Qeveritë në Hungari dhe Filipine, e kanë shfrytëzuar krizën për t’i dhënë vetes kompetenca emergjente, duke i larguar ato akoma më larg demokracisë. Shumë vende të tjera, përfshirë Kinën, El Salvadorin dhe Ugandën, kanë ndërmarrë masa të ngjashme.

Pengesat për lëvizjen e njerëzve janë shfaqur kudo, madje edhe në zemër të Evropës. Në vend se të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për përfitimin e tyre të përbashkët, vendet janë mbyllur ne vetvete, janë grindur me njëra-tjetrën, dhe i kanë bërë rivalët e tyre “koka turku” për të justifikuar dështimet e tyre.

Rritja e nacionalizmit, do të rrisë mundësinë e një konfliktit ndërkombëtar. Gjithsesi, duke pasur parasysh forcën e vazhdueshme stabilizuese që kanë armët bërthamore, dhe sfidat e zakonshme me të cilat përballen të gjithë aktorët kryesorë, turbullirat ndërkombëtare janë më pak të mundshme sesa ato të brendshme.

Vendet e varfra me qytetet e mbipopulluara, dhe me sisteme të dobëta shëndetësore do të goditen më rëndë se të tjerët. Jo vetëm distancimi social, por edhe higjiena minimale siç është larja e duarve, është jashtëzakonisht e vështirë në vendet ku shumë qytetarë nuk kanë qasje të rregullt tek uji i pastër.

Zhvendosja e shkaktuar nga ndryshimi i klimës, ishte tashmë një krizë e ngadaltë që po ziente në hemisferën jugore. Pandemia do t’i ndërlikojë efektet e saj, duke i katandisur popullata të mëdha në vendet në zhvillim gjithnjë e më pranë pragut të mbijetesës. Zemërimi popullor do të rritet, dhe pritshmëritë e rritura të qytetarëve, janë receta klasike që mund të çojë drejt revolucioneve.

Të dëshpëruarit do të tentojnë të migrojnë, liderët demagogë do ta shfrytëzojnë situatën për t’u ngjitur në pushtet, politikanët e korruptuar do të kapin rastin për të vjedhur atë çka mundin, dhe shumë qeveri do të rrëzohen.

Pandemitë e dikurshme kanë nxitur vizione, kulte dhe fe të reja apokaliptike, të cilat rriten rreth anktheve ekstreme të shkaktuara nga vështirësitë e stërzgjatura. Në fakt fashizmi, mund të shihej si një kult i tillë, që lindi nga dhuna dhe zhvendosjet masive të popullatave, e shkaktuar nga Lufta e Parë Botërore dhe pasojat e saj.

Megjithatë, ashtu siç Depresioni i Madh jo vetëm që prodhoi fashizëm, por edhe ringjalli demokracinë liberale, edhe pandemia aktuale mund të prodhojë edhe disa rezultate pozitive politike. Realitetet praktike të menaxhimit të pandemisë favorizojnë profesionalizmin dhe ekspertizën, dhe nxjerrin lehtë në pah demagogjinë dhe paaftësinë.

Për shkak të arrogancës së Zhair Bolsonaros, Brazili është zhytur aktualisht në një katastrofë shëndetësore. Në Rusi, Vladimir Putin, u përpoq në fillim ta nënvlerësonte rrezikun e pandemisë, më pas pretendoi se Rusia e kishte atë nën kontroll, dhe tani po ndryshon qasje kur Covid-19 po përhapet në të gjithë vendin.

Legjitimiteti i Putinit, që ishte duke u dobësuar para krizës, mund të jetë duke u zbehur më tej. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, si midis njerëzve ashtu edhe vendeve, është thelluar nga kriza, dhe do të rritet më tej gjatë një stanjacioni të zgjatur ekonomik.

Por bashkë me problemet, kriza ka zbuluar edhe aftësinë e qeverive për të ofruar zgjidhje, duke u mbështetur në burimet kolektive. Një ndjenjë e vazhdueshme e “vetëm së bashku” mund të nxisë solidaritetin social, por edhe zhvillimin e mbrojtjeve sociale më bujare, ashtu siç vuajtjet e mëdha kombëtare të Luftës së Parë Botërore dhe Depresionit, stimuluan rritjen e shteteve të mirëqenies në vitet 1920-1930.

Në prill, Kongresi i SHBA miratoi një paketë ndihme prej 2.3 trilionë dollarësh për të mbështetur bizneset dhe individët e dëmtuar nga pandemia. Dhe kjo krizë mund të rrisë mbështetjen për ndërhyrjet e qeverisë në adresimin e problemeve të tjera të mëdha sociale.

Dhe së fundmi, kriza mund të nxisë një bashkëpunim ndërkombëtar të ripërtërirë. Ndërsa udhëheqësit kombëtarë po merren me lojën se kush e ka fajin për pandeminë, shkencëtarët dhe autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën, po thellojnë rrjetet dhe lidhjet mes tyre.

Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al