Amy Klobuchar njoftoi se ka hequr dorë nga kandidimi për të qenë Nënpresidente dhe i ka kërkuar kandidatit të mundshëm të demokratëve për garën presidenciale, Joe Biden, të zgjedhë një grua me ngjyrë për këtë post. Senatorja e Minesotës tha të enjten se ajo ia kishte bërë këtë sugjerimin zotit Biden gjatë një bisede telefonike të mërkurën.
Zoti Biden e ka bërë tashmë të ditur se do të zgjedhe një grua për postin e Nënpresidentit.
“Mendoj se ky është një moment për të vendosur një grua me ngjyrë në atë pozitë” tha zonja Klobuchar për rrjetin televiziv MSNBC. “Nëse doni ta shëroni kombin, kjo është e mënyra e sigurt për ta bërë këtë“, tha ajo.
Në një postim në twitter të enjten zoti Biden vlerësoi zonjën Klobuchar duke përmendur “kurajon dhe vendosmërinë” e saj. Ai tha se: “me ndihmën tuaj, ne do ta mposhtim Donald Trump”.
Shanset e zonjës Klobuchar për të kandiduar si Nënpresidente në emër të demokratëve u zvogëluan pas vdekjes së George Floyd. Vite më parë ajo ka shërbyer si prokurore në qarkun që përfshin Mineapolisin dhe gjatë asaj periudhe, më shumë se 20 persona, që i përkisnin kryesisht komuniteteve pakicë, humbën jetën në ndërveprime me policinë.
Vdekja muajin e kaluar e zotit Floyd shkaktoi protesta në të gjithë vendin dhe nxiti kritika se zonja Klobuchar në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme nuk kishte paditur asnjë prej oficerëve të përfshirë në vdekjet e këtyre qytetarëve. Oficeri i policisë Derek Chauvin, nën akuzë për vrasjen e George Floyd ka qenë i përfshirë në një nga ato raste, kur policia qëlloi me armë zjarri për vdekje në vitin 2006 një person të akuzuar se kishte qëlluar me thikë disa persona të tjerë si dhe se i kishte drejtuar një armë zjarri policisë.
Zonja Klobuchar, 60 vjeç, ishte një nga pretendetet për të siguruar kandadimin në emër të demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ajo u tërhoq dhe deklaroi mbështetjen e saj për zotin Biden përpara përballjes vendimtare të njohur si “Super Marta” zhvilluar më 3 mars, vendim që erdhi pas vështirës për të siguruar mbështetje nga votuesit e komunitetit afrikano-amerikan të cilët janë vendimtarë për fitoren e demokratëve në zgjedhje. Rezultati i saj më i mirë ishte ai shënuar në Nju Hampshër, që dominohet nga amerikanët e bardhë, ku ajo u rendit e treta.
Senatorja prej tre mandatesh u detyrua të anulojë një nga tubimet përfundimtare të fushatës së saj pasi aktivistët e “Black Lives Matter” dhe jo vetëm, protestuan në Minesota kundër mënyrës se si ajo e ka trajtuar një çështje për vrasje kur ishte prokurore, gjë që çoi në dënimin me burgim të përjetshëm të një adoleshenti afrikano-amerikan.
Ligjvënësi James Clyburn i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i zotit Bidenit bëri të ditur disa ditë pas vdekjes së zotit Floyd se ai besonte se zonja Klobuchar do të ishte një zgjedhje më pak e mundshme për Nënpresidente, megjithëse besonte se ajo ishte “absolutisht” e kualifikuar për këtë detyrë, siç tha ai.
“Kjo është një periudhë shumë e vështirë për të“, tha zoti Clyburn.
Edhe para vdekjes së zotit Floydit, aktivistët i kanë kërkuar zotit Biden të konsiderojë mundësinë për të zgjedhur një grua me ngjyrë, duke thënë se kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një koalicioni të përbërë nga përfaqësues që i takojnë racave të ndryshme si dhe do të motivojë njerëzit, veçanërisht votuesit e rinj. Të tjerët aktivistë i kanë kërkuar zotit Biden të zgjedhë një kandidat progresiv që mund të siguronte mbështetje nga votuesit që mbështesin Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren. Ashtu sikurse zoti Biden, zonja Klobuchar nuk u pajtua me zotin Sanders dhe zonjën Warren gjatë fushatës për çështje madhore të tilla si kujdesi shëndetësor.
Demokratë të cilët janë në dijeni të procesit i thanë “Associated Press” javën e kaluar se lista e personave që po konsiderohen për postin e Nënpresidentes është ngushtuar në gjashtë persona. Mes tyre janë në diskutim Elizabeth Warren, Kamala Harris dhe Susan Rice, kjo e fundit ka shërbyer si këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Barack Obama. Zonja Warren është një amerikane e bardhë ndërsa si zonja Harris dhe zonja Rice janë afrikano-amerikane. Zoti Biden ka bërë të ditur se do ta njoftojë vendimin e tij për postin e Nënpresidentit më 1 gusht.