Në një zhvillim të papritur Departamenti i Drejtësisë u përpoq të largojë nga detyra Geoffrey S. Berman, prokurorin e Manhatanit i cili po mbikqyr çështje të aleaëve kryesore të Presidentit Donald Trump si dhe një hetim ndaj avokatit të tij personal Rudy Giuliani. Por zoti Berman tha se ai nuk pranon të largohet nga detyra dhe se do t’i vazhdojë hetimet.
“Nuk e kam dhënë dorëheqjen dhe nuk kam ndërmend ta jap” tha zoti Berman.
Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr tha se zoti Berman po largohej nga nga pozicioni i tij. Situata krijon një përplasje të pazakontë e cila ka të ngjarë të thellojë edhe më shumë tensionet mes Departamentit të Drejtësisë dhe Demokratëve të Kongresit që e kanë akuzuar drejtpërdrejt zotin Barr për politizimin e agjencisë dhe se ka vepruar më shumë si prokuror personal i zotit Trump sesa si udhëheqës i një strukture të zbatimin të ligjit.
Vendimi për të larguar zotin Berman vjen disa ditë pas akuzash nga ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të zotit Trump, John Bolton se presidenti kërkoi të ndërhynte në një hetim ndaj bankës shtetërore turke në një përpjekje për të mbyllur një marrëveshje me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Zoti Barr nuk dha asnjë shpjegim për masën në deklaratën që lëshoi të premten vonë. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se do të emëronte në këtë detyrë kryetarin e Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës, me profesion avokat por pa përvojë si prokuror federal.
Disa orë më vonë, zoti Berman lëshoi një deklaratën ku tha se mësoi se po e largonin përmes një njoftimi për shtyp të zotit Barr. Por ai tha se qëndrojë në detyrë derisa kandidati i zotit Trump të konfirmohet nga Senati dhe se do të vazhdojë çështjet hetimore që po trajton, duke sfiduar autoritetin e zotit Barr për ta shkarkuar, pasi ishte emëruar nga gjykatës federalë dhe jo nga presidenti.
Sipas ligjit federal, një prokuror amerikan që është emëruar nga gjykatësit, mund të shërbejë në post “deri kur ai post të plotësohet”.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë tha se departamenti do të vazhdojë të ndjekë planin e vet, dhe do të vendosë përkohësisht në atë post, prokurorin e shtetit të Nju Xhërsit, Craig Carpenito, duke filluar nga 3 korriku. Zyrari nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje dhe foli me agjencinë AP, me kusht që të mos identifikohej.
Demokratët e kanë akuzuar vazhdimisht Departamentin e Drejtësisë nën presidentin Trump për ndërhyrje politike dhe këtë shqetësim e kanë edhe shumë punonjës të agjencisë. Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler tha se komisioni i tij po e thërriste zotin Berman të dëshmonte javën e ardhshme.
Prokurorët federalë në Nju Jork kanë kryesuar shumë çështje penale dhe hetime të lidhura me presidentin Trump vitet e fundit. Një prej tyre është një hetim që po vazhdon lidhur me marrëdhëniet e biznesit të zotit Giuliani, përfshirë nëse ai nuk u regjistrua si person që punonte për interesa të huaja, sipas njerëzve që kanë dijeni për hetimin dhe që folën me kushtin që të mos identifikoheshin, meqë nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht për hetimin.
Ata kanë kanë ndjekur penalisht një numër bashkëpunëtorësh të zotit Trump, përfshirë ish-avokatin personal të zotit Trump, Michael Cohen, i cili u dënua me burg sepse kishte gënjyer Kongresin dhe për krime të lidhura me financim fushate.
Prokurori Berman ka mbikqyrur gjithashtu edhe rastet e dy biznesmenëve nga Florida, Lev Parnas and Igor Fruman, që ishin bashkëpunëtorë të zotit Giuliani dhe të lidhur me hetimin për shkarkimin e mundshëm lidhur me Ukrainën. Ata u akuzuan në tetor me shkelje për financim fushate, përfshirë fshehjen e prejardhjes së një dhurimi prej 325 mijë dollarësh për një grup që mbështeste rizgjedhjen e zotit Trump.
Vëmendja u rikthye këtë javë përsëri tek zyra e prokurorisë drejtuar nga zoti Berman, pasi organizata mediash përfshirë Associated Press, morën kopje të librit të ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton. Ai shkruan në libër se Presidenti Trump u përpoq të realizonte një marrëveshje për t’i ndaluar prokurorët federalë në Nju Jork të hetonin nëse Halkbank kishte shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit, në këmbim të lirimit të një prifti amerikan të burgosur në Turqi.
Gjashtë javë pas lirimit të priftit, zoti Bolton shkruan se në një telefonatë me presidentin turk, zoti “Trump i tha Erdoganit se do t’i rregullonte punët, duke shpjeguar se prokurorët e Qarkut të Jugut (të Nju Jorkut) nuk ishin njerëz të tij, por të Obamës, një problem që do të zgjidhej, kur ata të zëvendësoheshin nga njerëzit e tij”.
Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bllokojë daljen në treg të librit të zotit Bolton, duke thënë se po botohet pa autorizimin zyrtar se dorëshkrimi nuk përmbante informacion sekret.
Episodi që përshkruan zoti Bolton, ndodhi disa muaj pasi zoti Berman mori detyrën si prokuror.
Një republikan që kishte kontribuar në fushatën zgjedhore të Presidentit Trump, zoti Berman kishte punuar për të njëjtën firmë ligjore si Giuliani dhe ishte vendosur në post nga administrata e Presidentit Trump. Por si prokuror, ai ua ndryshoi mendjen disa skeptikëve, pasi nuk i kurseu aleatët e zotit Trump dhe është angazhuar drejtpërdrejt në hetime të tjera që kanë zemëruar presidentin.
Zoti Berman u emërua nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions në janar 2018, pasi Preet Bharara, në atë kohë prokuror në Nju Jork, u shkarkua. Bharara kishte refuzuar të jepte dorëheqjen, ashtu si edhe dhjetra prokurorë të tjerë federalë të emëruar nga ish- Presidenti Barack Obama.
Disa muaj më pas, agjentë të FBI-së bastisën zyrat e zotit Cohen, një veprim që presidenti e kritikoi si gjueti shtrigash të motivuar politikisht. Zoti Berman e hoqi veten nga çështja e zotit Cohen megjithëse asnjëhere nuk u bë e qartë arsyeja.
Në prill të vitit 2019, në mungesë të një emërimi zyrtar nga ana e zotit Trump, anëtarët e gjykatës federale të Manhatanit votuan për ta caktuar zotin Berman në atë post në bazë të përhershme. Shtëpia e Bardhë asnjëherë nuk shpjegoi se pse zoti Trump nuk e emëroi zyrtarisht zotin Berman.
Megjithatë lidhjet mes Shtëpisë së Bardhë dhe disa prej hetimeve të zotit Berman ishin të qarta. Zyra e tij i bëri kërkesë detyruese komisionit për inaugurimin e Presidentit Trump për një numër të madh dokumentash si pjesë e hetimit lidhur me disa krime të mundshme, përfshirë kontribute të mundshme të paligjshme nga të huaj për ceremonitë e inaugurimit.
Dhe disa javë para zgjedhjeve të Kongresit në vitin 2018, zoti Berman njoftoi për akuza për veprime në bursë bazuar në informacion të brendshëm ndaj një përkrahësi të flaktë të Presidentit Trump, kongresmenit republikan Chris Collins. Collins, që përfaqësonte zonën perëndimore të shtetit të Nju Jorkut, ka dhënë dorëheqjen.
Zyra e zotit Berman ka ngritur akuza edhe kundër Michael Avenattit, avokati që u bë i famshëm duke përfaqësuar aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels në një akt-padi që implikonte zotin Trump. Avenatti u shpall fajtor në shkurt për përpjekje për t’i bërë shantazh kompanisë Nike, pasi prokurorët thanë se ai kishte kërcënuar të përdorte qasjen e tij në media për të dëmtuar reputacionin e Nike-t dhe vlerën e aksioneve të saj, nëse gjiganti i mallrave sportive nuk e paguante me deri në 25 milionë dollarë.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të premten se zoti Trump po emëron Kryetarin e Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursës Jay Clayton për postin. Para se të merrte në dorë drejtimin e asaj agjencie, Clayton ishte një jurist me shumë lidhje në Wall Street që kishte përfaqësuar dhe këshilluar që numër kompanish të mëdha si Goldman Sachs, Barclays, Deutsche Bank dhe UBS.(VOA)