Një gjykatës federal hodhi poshtë të shtunën kërkesën e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të bllokuar hedhjen në treg të librit të ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, por tha se veprimet e tij ngjallnin “shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare”.
Administrata e Presidentit Donald Trump ishte përpjekur të bllokonte publikimin e librit, duke përmendur shqetësimin se mund të ekspozonte informacione sekrete.
Gjykatësi Royce Lamberth në Uashington, tha se ishte tepër vonë për një urdhër të tillë të ishte i suksesshëm.
“Me qindra-mijëra kopje (shpërndarë) në gjithë botën – shumë prej tyre nëpër redaksi – dëmi është bërë”, shprehet ai.
200 mijë kopje të librit “The Room Where it Happened”, “Dhoma ku Ndodhi”, u janë shpërndarë librarive në gjithë vendin.
Në libër, zoti Bolton flet negativisht për vendim-marrjen në politikën e jashtme të Presidentit Trump dhe jep hollësi për Shtëpinë e Bardhë, gjatë periudhës prej një viti e gjysëm, kur ai ishte Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.
Çështja e botimit të librit kishte të bënte nga njëra anë me Amendamentin e Parë të Kushtetutës që garanton lirinë e shprehjes dhe nga ana tjetër me shqetësime për sigurinë kombëtare.
Por gjykatësi shprehu gjithashtu shqetësimet se zoti Bolton kishte “vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, duke zgjedhur të mos i nënshtrohej një procesi shqyrtimi të dorëshkrimit para botimit, që synon të garantojë që zyrtarë qeveritarë të mos nxjerrin informacione sekrete në librat e tyre me kujtime.
Gjykatësi Lamberth tha se zoti Bolton e kishte marrë përsipër “të botonte librin pa siguruar miratimin përfundimtar të autoriteteve të zbulimit kombëtar” dhe ndoshta i kishte shkaktuar dëm të pariparueshëm sigurisë kombëtare.
Në opinionin e tij prej 10 faqesh, gjykatësi Lamberth la gjithashtu të kuptohej se zoti Bolton mund të humbasë 2 milionë dollarët pagesë që kishte marrë paraprakisht për librin, siç ka kërkuar Departamenti i Drejtësisë dhe mund të ndiqet penalisht.