Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Uashington, në takimin me Serbinë, të planifikuar më 27 qershor, pas ngritjes së akuzës nga Gjykata Speciale.
Në një njoftim për media, Zyra e Presidencës ka bërë të ditur se Thaçi ka ndërprerë udhëtimin për në SHBA dhe nesër do të kthehet në Kosovë:
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë e ka informuar edhe Shtëpinë e Bardhë.”
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Richard Grenell, ka thënë se e mirëkupton vendimin e Thaçit dhe ka bërë të ditur se megjithatë takimi do të mbahet, me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
“Presidenti i Kosovës sapo na ka njoftuar se ka anuluar udhëtimin për në Uashington, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit Special.
E respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa të zgjidhen këto çështje.
Presim diskutimet e së shtunës të cilat do të udhëhiqen nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti”, ka shkruar ai në Twitter.
Zyra e prokurorit të specializuar ka ngritur një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në një komunikatë për media, Zyra e prokurorit ka bërë të ditur se në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për afërsisht 100 vrasje.