Qyteti i Tetovës gjatë ditës së sotme ka shënuar 13 raste të reja me Covid 19, ndërsa 358 raste janë aktiv. Por numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i madh pasi shumë persona fshehin se janë të infektuar dhe nuk paraqiten tek mjeku amë. Televizioni 21 bisedoi me një person i cili ndonëse ka pasur simptome, nuk është paraqitur spital, pasi siç thotë, nuk ka sigurim shëndetësor. Ai tha se nuk ka pasur mundësi për shpenzime, sepse gjendja e tij financiare nuk ia ka mundësuar një gjë të tillë.
Gazetari: Kur i keni pasur simptomat e para?
–“Nuk kam pasur shije në ushqim, kam pasur temperaturë, e kam ndjerë vetën të lodhur. 14 ditë i kam pas të vështira, në spital nuk kam shkuar se nuk kam pas para, kushtet e mia ato kanë qenë. Me çaj dhe limon jam munduar, edhe infuzion në shtëpi kam marrë, këto gjëra …”
Gazetari: Nuk keni qenë në spital se s’keni pasur para ?
-“Ashtu, asnjë ndihmë nga shteti nuk kemi pasur, mundësinë finaciare të dobët e kam pasur.”
Edhe mjeku Ilir Jaji thotë se ka shumë pacientë që nuk i tregojnë simptomat dhe i fshehin dhe se ka ende qytetarë që nuk besojnë se ekziston Covdid 19. Sipas tij shumë personave u përkeqësohet gjendja shëndetësore pikërisht duke i fshehur simptomat.
“Ka pacientë që kanë simptoma të tilla dhe problem është se i fshehin. Nuk është problem tek diagnostifikimi. Simptomat i fshehin, ndërsa siç dihet e vetmja mënyrë për ta diagnostikuar një pacient me Covid 19 është testimi me PCR që bëhet tash dhe ne shpesh hasim në vështirësi me pacientët për t’i bindur”, tha Ilir Jaji, mjek.
Një test në një laborator privat kushton rreth 4 mijë denarë dhe numri i qytetarëve që nuk kanë sigurim shëndetësor në rajonin e Tetovës është i madh. Shumica prej tyre nuk kanë sigurim shëndetësor për shkak se nuk kanë as shtetësi.