Futbollisti i njohur, Edon Hasani, është viktima më e fundit e grabitqarëve të jetës virtuale që iu drejtua policisë dhe kërkoi ndihmë. Siç tregon një burim ekskluziv i gazetës Si, mesfushorit të klubit Tirana, i kanë bllokuar të drejtën për të aksesuar llogarinë e tij në Instagram.
Para policisë, 28-vjeçari rrëfen se në momentin që arriti 14 mijë ndjekës, ai siguroi edhe verifikimin e Instagram. “Nuk e di se si ndodhi, por një moment mendova që humba fjalëkalimin, mirëpo kur bëra procedurat e rikuperimit të fjalëkalimit, konstatova se ishin ndryshuar të dhënat, si numri dhe adresa e emailit”, ka thënë ai. Hasani u tërheq vëmendjen efektivëve të policisë se kjo ndërhyrje në llogarinë e tij është një dëm shumë i madh, pasi ai është futbollist dhe person publik.
“As nuk i përfytyroj pasojat nëse ky person do shkruajë nën identitetin tim”, mbyll dëshminë futbollisti i njohur që kërkon zbulimin e autorëve dhe rikuperimin e adresës.
Përse kaq e vështirë?
Krimet kibernetike janë të vështira për t’u zbardhur nga policia dhe kërkojnë kohën e tyre. Dikush mendon se po komunikon me personin më të besuar ndaj dhe i dërgon fotografi intime. Ky gabim më pas rezulton fatal, pasi viktima përfundon e gjobitur nën kërcënimin e shpërndarjes së fotove apo videos. Dikush poston shumë të dhëna nga jeta private, pushimet, luksi në shtëpi, veshjet e shtrenjta. Sapo largohet nga banesa, kur kthehet e gjen shtëpinë të boshatisur. Të dy këto shembuj janë çështje penale të denoncuara e të kthyera në makthin më të madh të atyre që kanë rënë në grackë dhe më pas kërkojnë ndërhyrjen e policisë. Më fatlumët mashtrohen nga dikush online dhe e shumta që humbasin është vlera monetare. Më fatkeqët, ata ose ato që nuk janë të sensibilizuar për rrezikun që vjen nga jeta virtuale bien pre e agresorëve seksualë.
Gazeta Si po sjell rastin më të fundit të viktimizimit të një gruaje që mendoi se njohu online partnerin ideal. Ajo kishte pritur për njeriun e duhur dhe askush nuk ia mbushte mendjen derisa një ftesë në Facebook i ndryshoi opinion. Vajza pak nga pak filloi të komunikojë për tema neutrale, derisa përfundoi në viktimën tipike të internetit. Nga një e dashuruar në prostitutë. Sipas dosjes policore që gazeta Si disponon, shtetasja e diplomuar për infermieri u shfrytëzua për disa ditë si prostitutë në Itali derisa ajo u largua fshehtas. 29-vjeçarja, emrin e të cilës Gazeta Si e disponon, por që paraqitet me emrin e ndryshuar për shkaqe hetimore si Vana, jep të dhëna se si historia e saj e dashurisë përfundoi në një jetë ferri.
“U njoha në muajin shtator 2019 me A. M, jetonte dhe punonte në Itali. Filluam të flasim ditë pas dite dhe kur po i hapeshim njëri-tjetrit dhe po tregonim gjithçka më rrëfeu se në Itali merrej me vjedhje”. 29-vjeçarja kujton se si gjatë atyre javëve ajo mori rolin e këshillueses dhe se si ai në një çast i kishte premtuar “nëse vjen të jetosh me mua, të betohem do ndryshoj”. Për infermieren ky ishte një propozim, ndonëse asnjëherë nuk e kishte takuar përballë, ai i dukej i përkushtuar dhe i vëmendshëm ndaj saj. Vana nuk kishte udhëtuar asnjëherë jashtë Shqipërisë, ndaj dhe për të fillimisht ishte e vështirë si do të orientohej. Në kallëzimin depozituar pranë zyrës së antitrafiqeve në Policinë e Tiranës, e reja shton nisjen e rrugës aspak si ajo e premtua në Facebook. “Në fund të dhjetorit vendosa t’i bashkohem të dashurit. U nisa me traget nga Durrësi, më kishte dërguar 300 euro”. E mashtruara kujton se kur ka mbërritur në tokën italiane i janë dashur edhe dy-tre orë për të shkuar në Frignane, ku në një pikë karburanti pa për herë të parë duke e pritur i dashuri që njohu në rrjetet sociale. Por për 29-vjeçaren, i riu dy ditët e para ishte aq i sjellshëm dhe aq i vëmendshëm sa ajo ka falënderuar pa zë Facebook-un.
Në një moment i dyshuari ka telefonuar edhe familjen e saj për t’iu thënë mos kini merak për vajzën, ajo është e sigurt, jeton me mua. Por parajsa e vajzës që nuk kishte pasur histori më para, zgjati vetëm dy ditë. Të tretën perdja u hap dhe ajo ra nga qielli virtual në realitet. Dëshmia ekskluzive po zbardhet nga Gazeta Si pa identitetin e të dyshuarve.
“A. M më tha se duhet të punoja, e pyeta çfarë pune dhe më tha ta sqaroj rrugës. Më hipi në makinë me një vajzë tjetër që nuk e njihja, aty vura re që ishin edhe dy të tjera. Vajza kryesore, pasi udhëtuam më tha të zbrisja se i dashuri im i kishte thënë ku do qëndroja. Nuk po e kuptoja akoma ç’po ndodhte. Ishte darkë dhe ajo që më foli italisht më zbriti në mes të rrugës”.
Vana kujton se në vendin ku e kishin zbritur ishte gjithashtu edhe një vajzë tjetër shqiptare që e ka pyetur në shqip “ çdo ti kë tu?”. “Më erdhi shumë zor pasi e kuptova që ishte vend për prostitucion dhe bëra sikur nuk po kuptoja shqip”, mbyll me dhimbje e reja. “Pak më vonë erdhi A. M, më solli red bull dhe cigare, më porositi ki kujdes nga ajo vajza bionde, mos ju hap asaj më tha. Unë vetëm qaja i thosha më kthe në shtëpi, por ai më premtonte se sa të bënim lekë e ai ta merrte veten, ne do ishim çifti më i lakmuar”. Sipas një burimi të gazetës Si vajza e mashtruar nga jeta virtuale, shtoi se teksa ajo e kundërshtonte dhe i lutej ta kthente në shtëpi, ai i tregoi ca fotografi që ia kishte bërë në trotuar dhe e pyeti me kërcënim “A do ti që këto fotografi në rrugë t’i shikojë vëllai yt?’. Për gjashtë ne me radhë 29-vjeçarja me profesion infermiere u shfrytëzua për prostitucion dhe sikurse ajo thekson i dorëzonte të ardhurat të dashurit që i kishte premtuar një të ardhme të ndritur dhe i ishte prezantuar si “burri më i veçantë që ke takuar në jetë”. Por grabitqarët seksualë sipas sektorit të krimeve kibernetike janë ata më tipikët, të cilët shfrytëzojnë padijeninë e presë së tyre dhe qëndrojnë gati për të zënë prenë e radhës. Ngjarja më e rëndë e “grackës” në jetën virtuale është ajo e “peshkimit” në Instagram të Hekuran Billës. Atij ju dërgua ftesë nga hasmi, përmes telefonit të Adjola Lakrës, që dyshohet se u përdor nga Sebastian Mali për ta nxjerrë në pritën ku dhe më pas u vra . Të tjerët, sipas burimeve të Gazetës Si pranë hetimit të krimeve kibernetike, janë të lodhurit nga monogamia, që shfrytëzojnë çdo llogari online për të filtruar e për të tradhtuar.
Një vend pune te coca cola…
Por 21-vjeçari L. Q nga Elbasani kishte vetëm një problem e për rrjedhim një ëndërr. Një vend pune të mirë. “Në Facebook pashë një njoftim për vende pune në SHBA, pranë Coca Cola-s. Konkretisht në Atlanta Xhorxhia”. I mashtruari bëri një kërkesë për vend pune, dhe nga ana tjetër ju postua një format aplikimi. “Pas kësaj m’u tha se duhet të aplikoja për vizë amerikane dhe duhet të paguaja 500 dollarë. Menjëherë pagova shumën në llogarinë e Teresa O Blair. Më pas dërgova shumën prej 300 dollarë sipas kërkesave”. Por siç ndodhi më vonë, pala tjetër insistonte sërish si kush edhe postimin e 300 dollarëve të tjerë dhe në këtë moment i riu nga Elbasani e ka kuptuar që kishte rënë në kurth dhe se nuk bëhej fjalë për një vend pune në USA ku do të superpaguhej, por për një mashtrim që po i vilnin të ardhurat.(Gazeta “Si”)