Me rastin e festës së Bajramit të Vogël, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në emrin e tij personal dhe në emër të partisë dërgoi urim për të gjithë besimtarët e besimit islam.
“Të nderuar qytetarë, pjesëtarë të bashkësisë fetare islame ua uroj festën e Bajramit të Vogël, me dëshirat më të mira që këtë festë ta kaloni në disponim të mirë me më të afërmit tuaj dhe gjithsesi me respektimin e masave për mbrojtje nga koronavirusi”, qëndron në urimin e Zaevit.
Kjo festë, potencoi lideri i LSDM-së Zaev, është festë përmes së cilës përhapet mirësia dhe është përkujtim se pikërisht solidariteti, barazia dhe ndihmesa e ndërsjellë dhe respektimi janë vlerat rreth së cilave të gjithë duhet të jemi të bashkuar.
“Vetëm në këtë mënyrë, nëse vërtetë e ndihmojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin, nëse jemi solidarë me njëri-tjetrin do t’ia dalim ta ndërtojmë një shoqëri të barabartë dhe të drejtë të individëve të respektuar dhe të kënaqur. Vlerat dhe fryma që kjo festë na e sjellë me vete le të na udhëheqin në rrugën e një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për të gjithë”, qëndron midis tjerash në urimin e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka uruar festën e Bajramit të Vogël. Përmes Facebookut të tij ai ka u dëshiruar besimtarëve sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim, paqe, lumturi, begati, mirëqenie, atmosferë hareje dhe gëzimi në familje!
“Festa e Bajramit të Vogël le të shërbejë si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona! Situata që kemi në vend me pandeminë COVID -19, na obligon edhe gjatë këtyre ditëve festive, t’u përmbahemi protokolleve shëndetësore” ka shkruar Sela.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar besimtarët musliman për festën e Bajramit të Vogël.
“Përshëndetje në këtë ditë të bekuar miq, me uratat më të sinqerta dhe më dashamirëse për shëndet, fat dhe lumturi në familjet e juaja.
Festën e sivjetme të sakrificës së Kurban Bajramjt po e shënojmë në kushte të veçanta të kujdesit për shëndetin publik, andaj dhe ju lus shumë që ti përmbahemi rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore dhe fetare.
Uroj që festa t’ju gjejë në shëndet të mirë të gjithë juve dhe familjeve tuaja si dhe t’ju sjellë mbarësi e gëzime për juve, për kombin dhe për vendin.
Të lutemi bashkarisht për shëndetin e të gjithë të prekurve dhe për tejkalimin sa më të shpejtë e më të lehtë së kësaj gjendje të vështirë që po na e ndryshon mënyrën e jetesës.
Gëzime e mbarësi të keni përgjithmonë miq, shumë urime dhe të fala të gjithëve.” shkruan Ahmeti në uratën e tij me raatin e festës së Kurban Bajramit.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përmes Facebookut të tij ka uruar për festën e Bajramit të Vogël.
“Në këtë ditë dëshmohet sakrifica, solidariteti ndaj skamnorëve dhe ndaj njëri tjetrit. Në këto kushte të pandemisë, duhet të jemi vigjilent, t’i respektojmë rekomandimet e institucionëve shëndetësore, mbajtjen e maskave si dhe ruajtjen e distancës sociale. Lusim Zotin t’i shpërblejë të gjithë ata që në ditë feste kujtojnë skamnorët dhe ndajnë me ta kafshatën e tyre. Kjo festë le të shërbejë si mesazh i paqes, lirisë dhe i unitetit për të gjithë muslimanët anë e mbanë botës. Urime Kurban Bajramin, mbizotroftë paqja dhe toleranca në familjet tuaja” ka shkruar Kasami.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dërgoi urim për qytetarët pjesëtarë të besimit islam me rastin e festës së Bajramit të Vogël.
“Kam nderin që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju uroj festën e madhe myslimane, Kurban Bajrami, me dëshirë që festa t’ju gjejë me shëndet të mirë dhe paqe shpirtërore. Kjo është festë e cila në vete e bart mesazhin e solidaritetit, afërsisë dhe bashkëndjesisë ndaj të gjithë njerëzve, të afërm apo të largët, fqinjë apo familje, të njohur apo të njohur të rastësishëm. Festë në të cilën ndahet fjala edhe mendimi i bukur, edhe begatitë e tryezës, edhe respekti dhe falja”, thekson Xhaferi.
Ai njëherë e potencon edhe nevojën që shënimi i festës të kalojë me respektimin e protokolleve shëndetësore për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi.
“Jemi mësuar që festën ta kalojmë të rrethuar me zhurmë të hareshme dhe përqafime të ngrohta, buzëqeshje të sinqerta. Për fat të keq, pothuajse prej fillimit të këtij viti jemi të detyruar ti ndryshojmë shprehitë tona të përditshme të funksionimit dhe gjithsesi, te festimit. Pandemia me Kovid – 19 është këtu dhe si duket do të zgjasë. Ne, dhe natyrisht gjithë bota, mësojmë mënyra të reja të jetës dhe punës. Përveç kësaj, në rast se deri tani nuk mësuam, tani mësojmë për vetëdijen dhe ndërgjegjen kolektive, për atë se sa me rëndësi është që çdo individ të mbajë llogari për veprimet e veta, që të njëjtat mos reflektojnë negativisht mbi familjet tona të afërme dhe mbi gjithë të tjerët. Ti respektojmë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, që ti ndihmojmë vetes dhe sistemit tonë shëndetësor”, porosit Xhaferi.
Kurban Bajrami është festë e mirënjohjes dhe shprehu mirënjohje ndaj të gjithë punëtorëve shëndetësorë mirëpo edhe ndaj të gjithë të tjerëve që për çdo ditë angazhohen maksimalisht që të mundësojnë funksionim normal në këtë kohë të normalitetit të ri.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski dërgoi urim për pjesëtarët e besimit islam me rastin e Bajramit të Vogël.
“Më lejoni në emrin tim personal dhe në emër të anëtarëve të VMRO-DPMNE-së të gjithë pjesëtarëve të besimit islam ua uroi festën e madhe fetare Kurban Bajrami. Sinqerisht nga zemra ju uroj shumë shëndet, fat dhe suksese dhe këtë festë uroj ta kaloni në paqe, dashuri dhe gëzim me më të afërmit. Kjo festë është një ndër festat më të mëdha në islam e cila gjithmonë na përkujton në humanizmin dhe solidaritetin si vlera themelore të njeriut. Dashuria midis njerëzve dhe mirëkuptimi bazohen në mirëqenien e përgjithshme të një shoqërie”, thotë Mickoski.
Maqedonia, shton ai, ka qenë dhe do të jetë vend në të cilin fryma e traditës, por edhe respektimi i ndërsjellë kanë qenë ura të cilat i kanë lidhur njerëzit e besimeve dhe etnive të ndryshme.
Urimi i kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi:
Bajrami i Vogël vjen përmes madhështisë së kurbanit si simbol i sakrificës dhe gatishmërisë për të sakrifikuar gjërat më të dashura në jetë për hirë të një ideali të lartë. Zaten, vetëm ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka pa asnjë hezitim dhe që e bëjnë këtë në emër të vlerave më sublime, e arrijnë shkallën e Ibrahimit dhe të Ismailit, që janë dy protagonistët e historisë botërore të sakrificës.
E duke u gjendur në këtë festë të kujtimit të sakrificës, si dhe duke jua uruar Bajramin e Kurbanit, uroj që këtë festë ta kaloni pranë familjeve tuaja, pranë të dashurve tuaj dhe duke i kujtuar ata që, përveç lëmoshës, kanë nevojë edhe përbuzëqeshjen tonë festive.
Gëzuar për shumë vjet Bajramin e Kurbanit!
Menduh Thaçi uron Bajramin e Vogël:
Të nderuar besimtarë të fesë islame,
Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, moralit dhe respektit, andaj uroj që të vazhdojmë t’i kultivojmë këto vlera të mirëfillta.
Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal ju uroj të gjithë besimtarëve të fesë islame festën e Kurban Bajramit, duke ju dëshiruar shumë shëndet, mirëqenie dhe gëzim.
Me respekt,
Menduh Thaçi
Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare