Një nga familjet me influencë në botën shqiptare, ajo e biznesmenit Sal Rusi, e cila është bërë e njohur pasi ka lidhje të larta politike në SHBA dhe u caktua konsull nderi në Nju Jork për Kosovën dhe Serbinë, po angazhohet për të lehtësuar afrimin e partive shqiptare në Maqedoni që të koordinojnë qëndrimet politike për të fuqizuar pozitën ngaqë së bashku përbëjnë 32 vota, shkruan Shqip.
Disa nga pjesëtarët e kësaj familje kanë mbërritur në Tiranë me avion privat nga SHBA dhe siç mësohet kanë pasur takim në një lokal të Llogarasë me Kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Ata kanë biseduar pikërisht për rrugët e gjetjes së një baze të përbashkët dialogu. Më pas, ata së bashku edhe me figura të tjera të shoqërisë dhe biznesit në Maqedoninë e Veriut, kanë nisur përpjekjet për të unifikuar faktorin shqiptar, ku më në fund u ra dakord për një takim të premten.
Kryetari i B D I-së, Ali Ahmeti pas takimit me kreun Socialdemokrat Zoran Zaev, tha se bisedimet tani kanë filluar, por shpreson që palët të kenë vullnetin e fortë për t’i tejkaluar dallimet.
“Ne tani kemi filluar nuk ka shumë takime që janë bërë sot është takimi i dytë dhe unë shpresoj që të gjitha palët do të kenë vullnetin e fortë për t’i tejkaluar ato dallime, vështirësitë të cilat janë duke u menduar”, tha Ali Ahmeti, kryetar i B D I-së.
Për bisedimet me LSDM, kreu integrist tha se sa janë afër, aq janë edhe larg. “Unë mendoj se sa jemi afër, aq jemi edhe larg, por gjithmonë palët duhet të kenë parasysh interesat madhore të shtetit”, theksoi kreu i B D I-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq, para takimit të së premtes, përfaqësues së B D I kanë bërë të ditur se tashmë është vendosur se qeveria e Maqedonisë së Veriut do të drejtohet nga një shqiptar, por ende nuk dihet se për çfarë përiudhe bëhet fjalë.
Sipas gjasave mund të jetë kur të mbyllet mandati i Presidentit të tanishëm Stevo Pendarovski./DITA