Gjuha shqipe u kushton tre fish më shtrenjtë qytetarëve shqiptar kur kanë nevojë për të verifikuar dokumente në noter. Kjo për shkak se, sipas nenit 10 të Ligjit për gjuhët, çdo dokument, fillimisht duhet të shkruhet dhe verifikohet në gjuhën maqedonase, e më pas, nëse do u duhej dokumenti edhe në gjuhën shqipe, bëhen shpenzime për përkthim, e më pas për notarizim. Në të shumtën e rasteve, vërehet se noterët nuk respektojnë Ligjin e gjuhëve edhe në vulat e tyre, të cilat i kanë vetëm në gjuhën maqedonase. Nga Oda e Noterëve, të pyetur nëse do të marrin masa që qytetarët shqiptar të mos shpenzojnë më shumë për të marrë dokumentet në shqip, përgjigjen duke cituar nenet 39 dhe 57 të Ligjit për noterë, por edhe duke respektuar rregulloret për punën e noterëve, të cilat miratohen nga Ministria e Drejtësisë.
Oda e Noterëve:
Oda e Noterëve dhe asnjë organ tjetër i saj nuk është kompetent që jashtë kornizave të Ligjit dhe rregulloreve të posaçme të cilat i miraton Ministria e Drejtësisë, vetë të vendos për çfarëdo qoftë ndryshimesh lidhur me shkrimin e dokumenteve noteriale dhe për formën dhe përmbajtjen e vulave të noterëve. Noteria është shërbim që bën autorizime publike, në mënyrë të saktë të rregulluar me ligj, e si e tillë bie nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, si ministri amë e cila vendos për çdo ndryshim në mënyrën e kryerjes së shërbimeve noteriale.
Në pyetjet drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, nëse do të ndërmarrin hapa që Ligji për gjuhët të përfshijë edhe dokumentet noteriale dhe vulat e tyre, përgjigja ishin e shkurtër se Ligji për gjuhët zbatohet.
Ministria e Drejtësisë:
“Ligji për gjuhët zbatohet drejtpërdrejt, dispozitë të tillë ka në të njëjtin. Çështja për vulat e noterëve nuk nënkupton asnjë harxhim për qytetarët, as selektim. Përdorimi i gjuhëve është rregulluar në Kushtetutë dhe Ligj dhe e njëjta duhet të zbatohet”.
Edhe nga inspektorati i gjuhëve, arsyetohen vetëm me citimin e nenit 10, të Ligjit të gjuhëve dhe thonë se Noterët respektojnë Ligjin për gjuhët.