Nga Xhelal Zejneli
Dora d’Istria (1828-1888), pseudonim i Elena Gjikës, ka qenë një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit XIX. Është publicistë, feministë, etnologe dhe shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare. Lindi në Bukuresht më 22 janar 1828 në familjen aristokrate Gjika, të ardhur nga Parga, Maqedoni e Egjeut. Pra, prejardhja e saj është nga ngulimi labovit i Pargës. Këtë e vërteton vetë ajo. Shkonte shpesh në brigjet e Pargës, ku kishte dhe shumë labovitë të tjerë të cilët në shek. XVII kishin ardhur nga Labova, duke krijuar kësisoj ngulimin labovit që ekziston sot e kësaj dite. Prindërit e Elena Gjikës kishin emigruar në Rumani. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. I ati Mihal Gjika, në fillim të viteve 1800, ishte ministër në Moldavi – Vllahi. Prindërit e saj jetën e mbyllën në Pargë kah mesi i shekullit XIX.
Elena Gjika mori pjesë në lëvizjen kulturore të Evropës si një luftëtare e madhe e mendimit të lirë dhe si kundërshtare e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes kombëtare.
Për historinë e familjes së vet, Dora d’Istria botoi një vepër 455 faqesh me titull Gli “Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX”, Firenze, 1873 (Shqiptarët e Rumanisë. Historia e princërve Gjika në shekujt XVII, XVIII dhe XIX).Ky studim pasi u botua në revistën Europea (1871-73), në vitin 1873 doli edhe si vëllim më vete, i përkthyer në italisht nën kujdesin e Bartolomeo Çeçetit (Bartolomeo Ceccheti, 1838-1889). Në këtë përmbledhje studimesh trajtohet edhe çështja e prejardhjes së familjes Gjika. Ajo tregon në mënyrë të qartë se Gjikajt kanë prejardhje shqiptare, duke shmangur kështu të gjitha hipotezat që synonin ta shtrembërojnë origjinën e kësaj familjeje. Mirëpo, ajo rezervohet në njëfarë dore kur i duhet të përcaktojë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për ç’farë arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azi të Vogël.
* * *
Që në moshë të re Elena Gjika udhëtoi me prindërit dhe vizitoi oborret e Vjenës, të Drezdenit dhe të Berlinit. Kudo u adhurua për talentin dhe bukurinë. Studioi në Rumani, në Itali, në Francë, në Gjermani. U mbrujt me kulturë të gjerë perëndimore në shkollat më të mira të Evropës.
Më 1849, martesa me princin Aleksandër Koltov Massalskij e shpuri në Rusi ku kaloi gati gjashtë vjet. Sipas disa studiuesve, nga martesa me princin rus, mori titullin princeshë. Në oborrin perandorak të Nikollës I (Nikolaj Pavlovič Romanov, 1796-1855) kaloi një jetë të trazuar. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul dhe vajti në Zvicër. U bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau. Më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali.
Ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe ndaj arsimimit të popujve e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Duke qenë një veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kulturore evropiane si dhe kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë quajtur edhe pioniere të Evropës së bashkuar. Duke qenë se kishte gjak princëror, nuk e kishte të vështirë të vendoste kontakte të shumta me rrethet intelektuale, shkencore, politike dhe letrare të Evropës. Fama e kësaj zonje fisnike shpejt u përhap në mbarë Evropën, por edhe përtej kontinentit të vjetër.
Ajo kishte kontakte me personalitete të njohura të kohës, si p.sh. me njërin nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, albanologun gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Hahn (1811-1869), me patriotin dhe figurën e shquar për çlirimin e bashkimin e Italisë, gjeneralin Xhuzepe Garibaldi (Giuseppe Garibaldi, 1807-1882), me Adam Volfin etj. Ishte një mike e poetit romantik amerikan Henri Uodsuërth Longfelou (Henry Wadssworth Longfellow, 1807-1882), autor i poemës romantike “Skënderbeu” (1873). Nën ndikimin e Dora d’Istrias, Lonfelou hartoi poemën romantike “Skënderbeu” (1873), me temë kthimin e heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Në vitin 1916 vepra u shqipëruar mjeshtërisht nga poeti, figura e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politike shqiptare Fan S. Noli (1882-1965).
Në saje të njohjes së nëntë gjuhëve të huaja, Dora d’Istria përktheu krijime nga letërsia botërore. Falë diturisë që kishte, tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, madje në një moshë të re, kur nuk ishte më shumë se 20 vjeçe. Bashkëkohësit e saj e renditën në radhën e personaliteteve më të shquara të Evropës së asaj kohe, siç ishin shkrimtarja franceze Zhorzh Sand* (Amandine-Lucie-Aurore Dupin, 1804-1876) dhe kontesha d’Agu (Marie d’Agoult Flavigny, 1805-1876). Arriti kulmin e lavdisë, ndaj princi i Rumanisë Karoli I ia dërgoi “Urdhrin e shkallës I” (Bene Merenti), vlerësim ky që në Perëndim u jepej dijetarëve meshkuj. Në Enciklopedinë e përgjithshme të Francës, për Elena Gjikën ndërmjet tjerash thuhet: “Princesha Elenë njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Njohja e këtyre gjuhëve dhe e kulturave të popujve që i flisnin gjuhët e sipërthëna, i mundësoi që të pajiset me një kulturë të gjerë, ndaj dhe studiuesi spanjoll Iriarte e quajti “enciklopedi e gjallë”.
Shënim: Zhorzh Sand jetoi në kohën e ligjit të Napoleonit (Napoleone di Bounaparte, 1769-1821, burrë shteti francez dhe prijës ushtarak) që u jepte meshkujve pushtet të pakufizuar ndaj grave, kur gruaja nuk kishte të drejtë për pasuri të vet, për shkurorëzim dhe liri për të lidhur sërish martesë. Personaliteti i saj i fuqishëm u rebelua. Herët u martua me baronin Kazimir Dudevent. Me të kishte dy fëmijë. Asaj i pengonte pabarazia me burrin që ia impononte martesa. Thoshte: “Burri im bën ç’të dojë, shkon me femra aq sa i do zemra, e ka në dispozicion pasurinë. Këtu s’do të kishte asgjë të keqe, sikur kjo të ishte e ndërsjellë, e dyanshme. Për këtë arsye dua të jem e pavarur. kthehem në shtëpi në mesnatë, për të mos thënë, në mëngjes”. Pas tetë vjet martese, e la vatrën martesore dhe u nis për në Paris. Aty punoi si gazetare, piktore e sidomos u mor me shkrime. Më 1836 takoi kompozitorin polak, pianistin virtuoz të epokës së romantizmit Fridrih Shopen (Fryderyk Franciszek Chopin, Zhelazowa Wola, Poloni, 1810 – Paris, 1849). Lidhja e tyre zgjati pothuajse 10 vjet (1838-1847). Pas kësaj, ajo i dha fund kësaj lidhjeje, plot zënka. Shopeni vdiq nga tuberkulozi. U varros në Paris, ndërsa sipas porosisë së tij, zemra iu dërgua në kishën e Kryqit të Shenjtë në Varshavë. Në varrimin e tij ku morën pjesë 3.000 vetë, u ekzekutua muzika e kompozitorit austriak të epokës së klasicizmit, një nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike Mocartit (Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791). Zhorzh Sand nuk mori pjesë në varrim. Ajo krijoi lidhje të tjera dashuria me personalitete të tjera të jetës letrare dhe artistike të Parisit.
* * *
Në saje të udhëtimeve dhe të shtegtimeve të shpeshta në vende të ndryshme dhe të largëta, shkroi një sërë artikujsh publicistikë, duke sjellë mbresa nga udhëtimet. Shumë shkrime të saj janë botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, “Ilustration” i Parisit, “Le Jour” i Triestes etj. Në Larousses, vëllimi VI, f. 1107, Paris 1870, thuhet se Dora d’Istria ishte “kampione e palodhur e çështjes së kombësive, e së ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”.
Në kërkimet që i bëri në Venecie, Elena Gjika flet për marrëdhëniet intime dhe të gjata të kësaj pjese të Evropës me Shqipërinë, madje edhe për një bashkë-vëllazëri shqiptare. Ajo ishte për përgatitjen e një kryengritjeje shqiptare me armë. Një kryengritje të këtillë e mbështeste edhe gjeneral Garibaldi, i cili Elena Gjikës i drejtohej me fjalët “motër heroike”.
Për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e kësaj zonje fisnike, duhet lexuar punimin voluminoz të ish-drejtorit të arkivave veneciane, Bartolomeo Çeçeti (Bartolomeo Cecchetti, 1838-1889) e sidomos bibliografinë e punimeve të saj, të ndarë në disa pjesë.
Në pjesën e parë janë përfshirë studimet dhe punimet letrare mbi poezinë popullore, portrete letrare të gadishullit Ballkanik e më gjerë, studime të poezisë indiane dhe të popujve të tjerë, kritika letrare etj. Në pjesën e dytë të bibliografisë ndodhen punimet mbi jetën në manastiret fetare, që e bënë Dora d’Istrian të famshme në Evropë. Në pjesën e tretë trajtohen problemet shoqërore të femrave si dhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën. Pjesa e katërt ndërlidhet me ekonominë politike dhe me agrikulturën. Në pjesët e tjera ndodhen artikujt me karakter politik, histori dhe udhëtime. Në fund janë përfshirë romancat dhe shkrime të tjera.
* * *
Si mbështetëse e madhe e lëvizjes kombëtare shqiptare, Elena Gjika u shqua si një veprimtare e dalluar. Ajo bën pjesë në plejadën e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare që bënë të pamundurën për të mirën e kombit, të sunduar nga Perandoria Osmane. Përkrahu dhe nxiti lëvizjen kombëtare shqiptare për liri dhe përparim. Zhvilloi korrespondencë me figura të njohura të kohës, si p.sh. me De Radën, Dhimitër Kamardën, Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Zef Seremben etj. Në letrat dërguar atdhetarëve të sipërthënë, shihet se ka rrahur mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, veçanërisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1981).
Shënim: Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX.. Lidhja e Prizrenit i nisi punimet tri ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit (1787).
* * *
Princeshën Elenë e konsideronin si modele të bukurisë së femrës shqiptare. Ajo ishte poete, piktore, publiciste e pasionuar, mbledhëse dhe studiuese e folklorit. Shkruante poezi dhe tregime. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore në shkrimet e para, nuk ka dyshim se studimi i saj i famshëm “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar në vitin 1866 në revistën letrare të Parisit “Revue des deux mondes”, luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në studimin e sipërthënë, midis tjerash shkruan: “Dashuria për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Shqiptarët janë një popull i fuqishëm, porsi shkëmbinjtë ku jetojnë”.
Filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882) këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin “Fyletia e arbenore prej kanekate laoshima”, Livorno, 1867. Ai e konsideronte Elenën “unazë që lidh qytetërimin e Lindjes me atë të Perëndimit”.
Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, atdhetarët rilindës dhe arbëreshët e Italisë e të Greqisë shkruan vepra dhe poezi që ia kushtuan asaj. Dhimitër Kamarda botoi një përmbledhje poezish atdhetare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno 1870 (Dora d’Istrias, shqiptarët). Kjo antologji poetike përmbante poezi nga poeti e kleriku Preng Doçi (1846-1917, veprimtari e ideologu i Rilindjes Kombëtare Zef Jubani (1818-1880), veprimtari i Rilindjes Kombëtare, folkloristi Thimi Kostë Mitko (1820-1890), figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare, katalizatori i ndërgjegjes kombëtare shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903), shkrimtari me talent origjinal, autori i së parës dramë të shkruar në gjuhën shqipe Françesk Anton Santori (1819-1894), poeti lirik Zef Serembe (1844-1901) etj.
Ndër pasuritë e saj letrare dhe shkencore, një vlerë të jashtëzakonshme ka letërkëmbimi i saj me rilindësit shqiptarë. Në epistolarin e saj tanimë të njohur dhe të publikuar, vërehet ndihmesa e saj e madhe në luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Në një letërkëmbim të saj me pishtarin e romantizmit shqiptar – De Radën, më 1859, përpos tjerash thuhet: “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit e Evropës, meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e veta krijuese”.
Vepra historike me interes për shqiptarët janë “Studimi për Bushatlinjtë e Shkodrës” (1868) si dhe “Studimi për Ali Pashë Tepelenën” (1870) me titullin e përbashkët “Shqiptarët myslimanë”, botuar në revistën “Nuova Antologia” të Firences.
Ajo ishte për krijimin e një akademie shqiptare në Kalabri, sipas shembullit të Akademisë Franceze të Risheljesë, e cila do të merrej me hartimin e një enciklopedie kombëtare e cila do të bëhej shpirt i popullit shqiptar.
Për rolin e çmueshëm në çështjen e çlirimit kombëtar të shqiptarëve, atdhetarët shqiptarë e quajtën “Ylli i Shqipërisë”.
* * *
Princesha Dora d’Istria është pranuar nga disa akademi: nga akademia e Italisë, e Francës, e Greqisë, e Turqisë evropiane, e Azisë së Vogël, e Austrisë. Është anëtare nderi e Shoqatës arkeologjike të Athinës (28. 05.1860); anëtare e Shoqatës së gjeografëve të Francës (19 janar 1866); anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias (8.03.1868); anëtare nderi e disa akademive italiane (1868-1873), mes të cilave edhe e Akademisë Fizio-Medistatika të Milanos (18 qershor 1868); anëtare nderi e Minervës të Triestes; anëtare nderi e Sillogut të Athinës (maj 1867); anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopolit (8.08.1870); Presidente nderi e Shoqatës Elikona të Smirnës (17.03.1871); Anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga Urbino (17.12.1871); anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence (21.01.1872); Nën-presidente nderi e Shoqatës së grave greke për institucionalizimin femëror (11.09. 1872); anëtare e Akademisë së Konsultës (Quiriti) në Romë (shkurt 1873); anëtare nderi e Paransios të Athinës (28.02.1873); anëtare nderi e Akademisë së Pitagorës të Napolit (24.05.1873); korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare të Letërsisë dhe të Shkencave të Barcelonës (Spanjë); korrespondente e huaj e Institutit Arkeologjik të Buenos-Airesit (30.05.1873); Presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark të Kostandinopolit (20.04.1873) etj.
* * *
Krijime dhe shkrime të caktuara të Elena Gjikës janë përkthyer dhe janë botuar edhe në shqip. Shumë studiues shqiptarë kanë shkruar për të dhe për veprën e saj një numër të madh artikujsh shkencorë, publicistikë si dhe një sërë monografish.
“Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003;
Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese Bargjini 2004;
Elena Gjika, “Fyletia arbënore nga kanekate laoshima”, përkthyer nga Dhimitër Kamarda, Livorno 1867.
* * *
Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias”, Mihal Duri, Tiranë 1967;
Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias)”, Rilindja, Prishtinë 1970;
Koli Xoxi, “Zvicra dhe Dora d’Istria”, Tiranë, Alta 1995;
Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë 1994;
Koli Xoxi, “Franca sipas Dora d’Istrias”, Tiranë 1997;
Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Flesh, Tiranë 2002;
Kristia Maksutoviq, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Çabej, Tetovë 2001.
Kristia Maksutoviq, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria” (Një emër i harruar me të padrejtë: Dora d’Istria), Ararat, Bukuresht 1997;
Kristia Maksutoviq, “Dora d’Istria, Kriterion”, Bukuresht 2004 etj.