MBPEU do të jetë partner me bujqit, ndërsa bashkë me ta do të jetë edhe partner me blerësit që të mund ta përforcojmë bujqësinë si degë, sepse nga ajo varet edhe zhvillimi i ekonomisë së shtetit tonë, porositi ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Arianit Hoxha pas marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Trajan Dimkovski.
Më vjen mirë që në Ministri gjej ekip i cili ka punuar dhe ka projekte të mira të cilat po vijojnë, por ne mundemi edhe më shumë dhe më mirë të punojmë. Prioritet do ta kemi që të jemi partnerë me bujqit dhe blerësit që bashkërisht ta zhvillojmë këtë degë. Njëherësh, prioritet do ta kemi edhe harmonizimin e legjislacionit me atë evropian që të mundemi më shpejtë të kemi qasje te fondet si të gjitha shtetet e tjera evropiane.
Përmes bujqësisë do të përpiqemi që të hapim vetëpunësim për bujqit që të munden të kenë jetë dinjitoze dhe të ardhmen e tyre ta ndërtojnë këtu në shtetin tonë dhe në këtë mënyrë të mund ta shfrytëzojmë gjithë mundin e bujqve që të ecim para, tha Hoxha.
MBPEU, siç theksoi, është Ministri komplekse dhe sfidë e madhe për të dhe për partinë që e ka propozuar që të munden të punojnë në interes të bujqve.