Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se fati i njerëzimit nuk mund t’i lihet vullnetit të një numri të caktuar të vendeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Një reformë e shpejtë dhe e plotë e sistemit të Kombeve të Bashkuara është e nevojshme, duke filluar me Këshillin e Sigurimit të KB. Menjëherë në fillim të epidemisë, u shfaq një situatë në të cilën vendet u lanë të ruanin vetëm veten e tyre”, tha Erdogan në një fjalim me video në Asamblenë e Përgjithshme të KB. Ai shtoio se po këmbëngul për vite me radhë për këtë reformim.
Ai gjithashtu tha se vaksinat e koronavirusit që janë në fazën e zhvillimit duhet të jenë në dispozicion për të gjitha vendet në botë.
“Pavarësisht se në cilin vend prodhohen, vaksinat që janë gati për përdorim duhet t’i shërbejnë mirëqenies së gjithë njerëzimit,” tha Erdogan.
Ai preku gjithashtu çështje në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje se vendet që shpallin hapjen e ambasadave në Jeruzalem e ndërlikojnë më tej krizën.
“Turqia nuk do të mbështesë asnjë zgjidhje që nuk mbështet popullin palestinez,” tha udhëheqësi turk, duke kujtuar se Turqia është vendi që ka marrë më shumë refugjatë në botë.
“Vende të tilla si Turqia, të cilat kanë marrë më shumë migrantë në botë, po ruajnë nderin e gjithë njerëzimit sot me përkushtimin e tyre,” tha presidenti turk.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në Mesdheun lindor, ai tha se Turqia mbron të drejtat e saj vetëm në përputhje me normat ndërkombëtare.
“Pas tensioneve që kanë vazhduar për ca kohë në Mesdheun lindor, janë vendet që drejtohen nga logjika se ‘fituesi merr gjithçka’. Hapat e kotë për të lënë jashtë vendin tonë nuk kanë asnjë shans suksesi,” tha Erdogan, duke prekur çështjen e Qipros.
“Arsyeja për problemet e sotme në rajon janë hapat e njëanshëm që Greqia dhe grekët qipriotë kanë ndërmarrë që nga viti 2003, të shtyrë nga kërkesat maksimaliste. Ne sugjerojmë të zhvillojmë një konferencë rajonale, me prani dhe të qipriotëve turq, për të diskutuar të drejtat dhe interesat e të gjitha vendeve në rajon,” tha Erdogan.
Ai tha se pengesa për të arritur një zgjidhje ishte qasja pa kompromis, e padrejtë dhe e prishur e grekëve qipriotë.
“Ne do të mbështesim çdo zgjidhje që do të garantojë përgjithmonë sigurinë e komunitetit turk qipriot dhe të drejtat e tyre historike dhe politike në ishull,” tha Erdogan.