Më 4 shtator, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Askush nuk priste që Kina të përmendej, e aq më pak të ndikohej nga një marrëveshje që adreson konfliktet ballkanike
Nga Vuk Vuksanovic, The Diplomat
Kina nuk u përmend konkretisht në marrëveshje, por nuk ishte e nevojshme. Një nga dispozitat e marrëveshjes së nënshkruar thotë: “Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G në rrjetin e tyre të komunikimit, të furnizuar nga shitës të dyshimtë. Sipas marrëveshjes, të dyja palët zotohen në përpjekjet e ndërmjetësimit në kohën e duhur”.
“Shitësit e dyshimtë” nuk u identifikuan. Megjithatë, nuk ka dyshim se fraza i referohej gjigantit kinez të teknologjisë, Huawei, dhe ajo ka si objektiv Serbinë, e cila ka partneritet me Huawei. Si pasojë, fati i ndikimit dixhital të Kinës në Serbi, është i pasigurt dhe varet nga politika e SHBA-së ndaj Beogradit.
Në dekadën e kaluar, prania kineze në Ballkan është rritur gradualisht dhe partneriteti me Serbinë ka qenë themeli i saj. Ky partneritet ka përfshirë edhe fushën teknologjike. Huawei vendosi një prani të fortë në Serbi, duke i dhënë Beogradit një pozicion të veçantë në atë që quhet “Rruga Dixhitale e Mëndafshit”. Themeli për këtë partneritet u vendos në vitin 2009, kur Serbia dhe Kina nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik dhe Teknik në Fushën e Infrastrukturës.
Kohët e fundit, Ministria e Brendshme e Serbisë zgjodhi Huawei si partnerin e saj për projektin “Qyteti i Sigurt”, ku 1.000 kamera vëzhgimi të prodhuara nga Huawei dhe të pajisura me softuerë të përparuar për njohjen e fytyrës dhe targave, do të instalohen në të gjithë Beogradin.
Vendndodhjet e shumicës së këtyre kamerave nuk janë zbuluar. Ministria e Brendshme e Serbisë siguroi për publikun një listë të disa vendeve në Beograd ku janë vendosur kamera vëzhgimi, por Huawei nuk përmendet. Në zbatimin e projektit Qyteti i Sigurt, Ministria e Brendshme do të mbështetet gjithashtu në eLTE, një sistem i përparuar wireless, i furnizuar nga Huawei.
Operatori shtetëror i telekomunikacionit, Telekom Srbija, ka një projekt prej 150 milionë eurosh (177 milionë dollarë) me Huawei, mbi krijimin e një lidhjeje interneti me shpejtësi të lartë, e cila mund të jetë një trampolinë për infrastrukturën e ardhshme 5G në Serbi. Përveç kompanisë shtetërore, një kompani private telekomunikacioni, Telenor Serbia, e cila dikur ishte në pronësi të norvegjezëve dhe tani të një grupi nga Republika Çeke, gjithashtu ka një partneritet me Huawei.
Bazuar në faktet e mësipërme, nuk është për t’u habitur që Nenad Popovic, ministri serb për Zhvillimin Teknologjik, tha në maj të vitit 2020, se “Huawei ka mbërritur në Serbi për të qëndruar për një kohë të gjatë”.
Tani, kjo listë e hollësishme e projekteve të bashkëpunimit është në rrezik, pasi presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përsëri në shënjestër Huawei dhe Kinën. Në maj të vitit 2019, Trump vendosi sanksione kundër Huawei, duke i ndaluar kompanitë amerikane të shesin teknologji tek kompania kineze dhe duke e vendosur Huawei në zemër të asaj që zakonisht quhet një luftë teknologjike SHBA-Kinë.
Pas një periudhe të qetë, tani Trump duket se po e përshkallëzon sërish konfliktin. Pasi Mbretëria e Bashkuar, aleati kryesor europian i Shteteve të Bashkuara, e ndaloi Huawei nga rrjeti i saj 5G, Trump po ushtron presion ndaj aleatëve të tjerë europianë që të bëjnë të njëjtën gjë. Në gusht 2020, administrata Trump urdhëroi që prodhuesit në nivel global nuk duhet të përdorin teknologjinë dhe softuerin amerikan për prodhimin e pajisjeve Huawei.
Teksa Trump përballet me shanse të ulëta për rizgjedhje mes pandemisë COVID-19, ai e sheh ndëshkimin e Kinës për shpërthimin e virusit, si pjesë e strategjisë elektorale dhe Huawei është gjithashtu në listën e sulmeve. Por kjo strategji nuk është një tentativë e dështuar politike. Sipas sondazheve të Pew Research Center, 73% e të rriturve amerikanë, kanë një pikëpamje të pafavorshme mbi Kinën dhe kundërshtimi i Kinës (dhe konkretisht Huawei-t) është një nga çështjet e rralla mbi të cilën republikanët dhe demokratët bien dakord.
Kështu që ishte vetëm çështje kohe derisa lidhjet serbe me Kinën do ta vendosnin Serbinë në radarin e Shteteve të Bashkuara. Riangazhimi i Trump me mosmarrëveshjen e Kosovës u motivua nga dëshira për të shënuar një fitore në politikën e jashtme për fushatën e tij të rizgjedhjes. Sidoqoftë, zgjidhja e asaj që për shumicën e amerikanëve është një mosmarrëveshje e errët e Ballkanit, nuk është e mjaftueshme në botën e COVID-19. Pra, ndërmjetësimi i Trump në mosmarrëveshjen e Kosovës ishte i lidhur drejtpërdrejt me politikën e tij ndaj Kinës.
Tani, Beogradi është zënë ngushtë midis Uashingtonit dhe Pekinit. Për Serbinë dhe Vuçiç, Trump mund të jetë basti më i mirë për të arritur një zgjidhje më pak të dhimbshme në mosmarrëveshjen e Kosovës. Në të vërtetë, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiç tha për publikun serb se Serbia më në fund kishte arritur të hapte derën për në Shtëpinë e Bardhë. Sidoqoftë, nuk do të jetë e lehtë ose e lirë për Serbinë të heqë dorë nga partneriteti i saj me Huawei.
Në të vërtetë, një vendim për të hequr Huawei nga sistemi i telekomunikacionit do t’i kushtojë 2 miliardë paund Mbretërisë së Bashkuar, një vend shumë më i madh dhe i pasur. Nuk ekzistojnë llogaritje të ngjashme se sa do t’i kushtonte Serbisë ndërprerja e bashkëpunimit me Huawei. Edhe pa stacione 5G, heqja qafe e teknologjisë së Huawei do të jetë pa dyshim e shtrenjtë.
*Studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.