Ballina Bota ”Nën rrënoja ende dëgjohen zëra”, gazetari shqiptar në Izmir: Tërmeti la rreth...

”Nën rrënoja ende dëgjohen zëra”, gazetari shqiptar në Izmir: Tërmeti la rreth 20 mijë të pastrehë

Në një intervistë për Euronews Albania, gazetari shqiptar në Izmir, Sokol Brahaj foli më shumë rreth gjendjes në Izmir pas tërmetit shkat*ërrues të së premtes.

Ai raportoi se shumica e njerëzve e kanë kaluar natën në shtëpinë e tyre dhe nata ka qenë e qetë por ajo që vërtet ka frikësuar ishte një lëkundje mbi 5 ballë, që siç tregoi dhe gazetari ndodhi në orën 8 e gjysmë të mëngjesit me orën lokale.

https://www.youtube.com/watch?v=BxQZBc_kI9I&t=7s

Përveç zonës ku kanë qenë rrënojat, pjesa tjetër e njerëzve kanë zgjedhur ta kalojnë natën në shtëpi dhe vetëm një pjesë e vogël i është trembur një tërmeti të dytë të fuqishëm.

“Gati 500 lëkundje kanë qenë të vazhdueshme prej të cilave mbi 35 kanë qenë më shumë se katër ballë e disa kanë qenë mbi pesë ballë e më të larta,” – tha Brahaj.

Ai sqaroi se operacionet e shpëtimit kanë vazhduar pa ndërprerje punën e tyre dhe shpesh herë nga grupet e shpëtimit është kërkuar heshtja e qytetarëve sepse nga poshtë rrënojave vinin zëra.

https://youtu.be/jfLTcxmK5bU

“Edhe tani po vazhdojnë të nxjerrin nën gërmadha një nënë me katër fëmijët e saj që ja kanë arritur t’i dëgjojnë zërin dhe të flasin që ende janë gjallë nën gërmadha,” – tregoi gazetari.

Ndër të tjera Sokol Brahaj raportoi se operacionet e kërkim shpëtimit janë përqendruar në Bajrakli ku janë rrëzuar katër pallate që janë bërë rrafsh me tokën dhe te 17 të tjerë po vazhdojnë kërkimet.

Në po të njëjtën zonë siç tha dhe gazetari janë mbaruar kërkimet ndërkohë që kërkimet po vazhdojnë intensivisht në tetë pallate të mëdha.

https://www.youtube.com/watch?v=p7F2idr_ORA

Operacionet po vazhdojnë edhe në bregdet për shkak të tsunamit të vogël që u shkaktua sepse dyshohet se disa njerëz mund t’i ketë marrë vala.

Autoritetet përkatëse po merren me shpëtimin e njerëzve ndërkohë që forcat e armatosura po përpiqen të ndihmojnë njerëzit me ruajtjen e qetësisë dhe me pastrimin e gërmadhave.

Rrotull lagjes ku ka ndodhur fatkeqësia që sipas Sokol Brahaj është sa gjysma e Tiranës, është ndaluar qarkullimi i makinave në mënyrë që të shmanget trafiku dhe sapo një person të shpëtohet të dërgohet me urgjencë në spital.

https://www.youtube.com/watch?v=Pf0MrAgAALk

“Sipas të dhënave nga vendi, jo të dhënave zyrtare por nga vendi përballë atij pallatit që është rrëzuar, mendohet të jenë mbi 20 persona, 12 prej banorëve kanë dalë të vdekur dhe mbi 13 të tjerë i kanë nxjerrë të gjallë ” – u shpreh gazetari Brahaj.

Përllogaritet të jenë mbi 20 mijë persona të pastrehë të cilët po strehohen në mbi 300 çadrat e ngritura nga autoritetet përkatëse.

https://www.youtube.com/watch?v=eG0glkX9FSw&t=8s

Sot në mëngjes Kryetari i Bashkisë ishte në kontakt me katër Ministrat e ardhur nga Ankaraja dhe bënte thirrje që të mos pengohen njerëzit që janë në operacionet e shpëtimit.

Thirrja e dytë ishte për karikuesa telefonash duke qenë se nëpër çadra nuk ka elektricitet në mënyrë që këta njerëz te vihen në kontakt me njerëzit e tyre ndërkohë që kanë theksuar se për çadra, batanije, ushqime apo pije nuk kanë nevojë.