Ballina Aktualitet ANALIZË: Hendek i thellë në standard – Rajoni i Pollogut “më...

ANALIZË: Hendek i thellë në standard – Rajoni i Pollogut “më i varfri”, në rajonin e Shkupit rrogat më të larta!

Papunësi më të madhe ka në rajonin Verilindor, ndërsa rrogë mesatare më të ulët ka në rajonin e Pollogut. Hulumtimi i fundit i Entit të Statistikave e konfirmon realitetin e një hendeku të thellë në standardin e qytetarëve të tetë rajoneve planifikuese në vend. Diferenca në rrogën mesatare nga një rajon në tjetrin shkon deri në 10.000 denarë në muaj, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Dallimet në PBB për krye banori deri në 5.000 euro…

Vetëm 2.420 euro është PBB-ja për krye banori në rajonin e Pollogut, që është 46.7% e PBB-së për krye banori frymë në vend. Kjo tregon se qytetarët e komunave më të mëdha të Tetovës dhe Gostivarit dhe ata që gravitojnë në këtë pjesë si Jegunovca, Zhelina, Mavrova dhe Rostusha, Tearca dhe të tjerat kishin standardin më të ulët krahasuar me bashkëqytetarët e tyre në shtatë rajonet e tjera planifikuese.  Me përjashtim të rajonit të Pollogut – nën mesataren e PBB-së për krye banori të vendit është PBB-ja edhe në tre rajone të tjera, në rajonin Jugperëndimor, rajonin Lindor dhe rajonin Verilindor.

“Në krahasim me mesataren, Rajoni i Shkupit ka Prodhim të brendshëm bruto më të lartë për krye banori me indeks 142.0, Rajoni Juglindor me indeksin 112.2,Rajoni i Vardarit me indeksin 104.6 dhe Rajoni i Pellagonisë me indeksin 101.7. Të gjitha rajonet e tjera kanë Prodhim të brendshëm bruto nën mesataren e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sa i përket mesatares kombëtare, Prodhim të brendshëm bruto më të ulët për krye banori ka në rajonin e Pollogut me indeks prej 46.7” – thuhet në hulumtimin e sapo publikuar të Entit të Statistikave.

Analiza krahasuese e bërë nga “Portalb”-i në bazë të të dhënave të publikuara tregon një ndryshim të madh në PBB për krye banori midis rajonit më të varfër dhe atij më të pasur – PBB-ja për krye banori në rajonin e Pollogut është gati 5.000 euro më e ulët se PBB-ja për krye banori në rajonin e Shkupit.

Një tregues tjetër i ndryshimeve të thella në standardin e jetesës së qytetarëve janë rrogat. Fakti që vetëm në rajonin e Shkupit rroga mesatare neto është mbi mesataren e vendit është shqetësues. Konkretisht, rroga mesatare më e lartë neto është në rajonin e Shkupit, në nivelin prej 28.872 denarë, ndërsa më e ulëta në rajonin Verilindor ku ajo ishte 19.761 denarë – ose diferenca është gati 150 euro.

Rroga mesatare neto në nivelin shtetëror vitin e kaluar ishte 25.213 denarë dhe në të shtatë rajonet, përveç rajonit të Shkupit, rroga mesatare është më e ulët se mesatarja e vendit.

Përqindje më e lartë e papunësisë – numër më i lartë i shfrytëzuesve të ndihmës sociale…

Edhe papunësia është me intensitet të ndryshëm në rajone të ndryshme. Kratova, Kriva Pallanka, Kumanova, Likova, Rankovci dhe Nagoriçani i Vjetër e përbëjnë rajonin Verilindor, i cili është në krye për sa i përket papunësisë, me një përqindje prej 33%. Pas tij me përqindje të papunësisë prej 28.5% është rajoni i Pollogut, i ndjekur nga rajoni Jugperëndimor me 24.4%, rajoni i Shkupit me 14.7%, rajoni i Pellagonisë me papunësi prej 13.1%, rajoni i Vardarit me 10.8%, rajoni i Lindjes me 7.8%, ndërsa përqindje më të ulët të papunësisë ka në rajonin Juglindor me 6.3%.  Tre rajone kanë përqindje më të larta punësimi sesa mesatarja e vendit.

“Përqindja e punësimit në rajonin e Vardarit, Lindor, Juglindor dhe të Pellagonisë në vitin 2019 është mbi përqindjen e përgjithshme në nivelin kombëtar, me ç’rast shkallë më të lartë të punësimit ka rajoni Juglindor, edhe atë 63.3%. Përqindje më të ulët të punësimit në vitin 2019 ka në rajonin Verilindor ” – thuhet në hulumtim.

Rajoni Verilindor, i cili renditet i pari për nga përqindja e papunësisë dhe për nga rroga mesatare më e ulët neto – renditet gjithashtu i pari edhe për sa i përket numrit të shfrytëzuesve të ndihmës financiare sociale nga shteti. Konkretisht, në 1.000 banorë, madje 30.1 janë shfrytëzues të ndihmës sociale, shumë më tepër se mesatarja e vendit, e cila për 1.000 banorë është 14.1 shfrytëzues të ndihmës sociale. Menjëherë pas këtij rajoni është rajoni i Pelagonisë me 16.5 shfrytëzues të ndihmës sociale në 1.000 banorë, i ndjekur nga rajoni më i varfër për sa i përket PBB-së për krye banori – rajoni i Pollogut me 15.7 shfrytëzues/amvisëri në 1.000banorë.

Në mënyrë që të zbuten këto dallime të mëdha në “jetën” ekonomike të komunave, me vite të tëra realizohen projekte në koordinim të pushtetit lokal me qeverinë qendrore përmes Qendrave për Zhvillim të Barabartë Rajonal. “Portalb”-i ka analizuar disa herë se cilat projekte, të financuara kryesisht me para të qytetarëve dhe me grante, mbetën vetëm premtim, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e Qendrave për Zhvillimin e Rajoneve Planifikuese për atë çfarë dhe sa kanë realizuar.