Qeveria italiane njoftoi të hënën masat e fundit që synojnë ndalimin e përhapjes së Covid-19, duke shpallur kështu dekretin e katërt të emergjencës të njoftuar që prej 13 tetorit.
Masat e reja do të përfshijnë mbylljen e vendit në mbrëmje, duke ndaluar daljen nga shtëpia dhe vendosjen e kufizimeve mbi udhëtimin midis rajoneve të rrezikuara.
Kryeministrit Xhuzepe Konte tha se tani që rastet e reja kanë arritur në mbi 30,000 në ditë, qeveria është e detyruar të vendosë një orë policore në mbrëmje në të gjithë vendin. Ai e bëri të qartë se mbetet kundër bllokimit të të gjithë vendit dhe në vend të kësaj vendosi të forcojë kufizimet në zonat me normat më të larta të transmetimit.
“Ne jemi të detyruar të ndërhyjmë, për të zbutur shkallën e përhapjes së virusit me një strategji që duhet të korrespondojë me situatat e rajoneve”, tha Konte në një fjalim në parlament.
Bllokime lokale apo rajonale?
Konte konfirmoi se qeveria nuk po planifikon të sjellë masa gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin, por “do të ketë ndërhyrje në përputhje me rreziqet në rajone të ndryshme”.
Ai tha se kjo do të përfshinte një “ndalim të udhëtimit në rajonet me rrezik të lartë, kalimin në mësimin online dhe kufizimin e transportit publik me 50 për qind”.
Guvernatorët rajonalë kishin bërë presion që rregullat të zbatoheshin në nivelin kombëtar, por qeveria tha se dëshiron të kufizojë masat në “zonat e kuqe”.
Ende nuk dihet se në cilën orë do të fillojë ora policore. Krerët rajonalë thuhet se po bëjnë presion për orën 21:00 ndërsa ekspertët rekomandojnë orën 18:00.
Konte nuk specifikoi kohën, vetëm duke thënë se do të ishte në “mbrëmjen e vonë”. Ai tha se dekreti i ri do të mbyllte muzeumet, galeritë, dyqanet e basteve dhe palestrat e pishinat.
“Ne do të mbyllim qendrat tregtare në festat zyrtare, me përjashtim të dyqaneve ushqimore, farmacive dhe stendave brenda qendrave”, tha ai, duke shtuar se këto ishin “masa specifike që ndihmojnë për të forcuar kontrollin dhe zbutjen e pandemisë. “
Kjo ka të ngjarë të jetë masa më e diskutueshme pas protestave të përhapura javën e kaluar mbi kufizimet aktuale në oraret e hapjes së restoranteve, por ministrat këmbëngulin se mbështetja financiare do të jetë në dispozicion për bizneset e prekura.
‘Ne duhet të ndjekim këshillat shkencore. Është e pashmangshme në këtë valë të dytë që të merren masa të mëtejshme, shoqëruar me mbështetje ekonomike, ”tha Roberto Gualtieri, Ministri i Ekonomisë dhe Financave. “Kjo kërkon masa të dhimbshme”.