Në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, një tërmet i fuqishëm goditi Maqedoninë e Veriut. Lëkundjet e fuqishme me magnitutë 5.5 të shkallës rihter e kishin epiqendrën në fshatin Leunovë, ndërsa dridhjet u ndjenë edhe në vendin tonë.
Ky tërmet i parë, u shoqërua edhe me një tjetër i fuqishëm, me magnitutë 5.2 të shkallës rihter. Epiqendra e saj ishte pak kilometra larg kryeqytetit të Shkupit, ndërsa edhe në këtë tërmet të dytë lëkundjet u ndien në vendin tonë.
Për të folur rreth këtyre lëkundjeve sizmike, në “Ftesë në 5” me anë të një lidhje direkte ishte i ftuar sizmologu Rrapo Ormeni.
Sipas tij, lëkundjet kanë qenë relativisht të forta dhe nuk paraqesin dëme materiale. Rrapo theksoi se në orët në vazhdim mund të ketë paslëkundje por me magnitutë më të vogël. Gjithashtu, theksoi se tërmete me magnituta të kësaj natyre është mirë të bien, pasi toka çliron energji por pa shkaktuar dëme.
“Ditën e sotme kanë rënë dy tërmete në orën 5 pa 6 minuta në mëngjes dhe në 3 e 25. Epiqendra ka qenë në Maqedoni. Janë dy tërmete, tërmeti i parë i shoqëruar me qindra pasgoditje dhe më e madhja prej tyre ka qenë 3.5 ballë. Ky nivel magnitute nuk ka rrezik për dëme serioze, ndihet nga njerëzit, është ndjerë edhe në Kosovë deri në Tiranë.
Është ndier në Tiranë, disa nuk e kanë ndier, disa e kanë ndjerë goxha. Por kjo rritet edhe me thellësinë e tërmetit, nëse do të ishte më i thellë ndjeshmëria do të ishte më e vogël, por tërmeti ka pasur një thellësi 11 kilometra. Këto janë të zakonshme, nuk kanë rrezik. Është mirë që këto të bien dhe energjia të çlirohet. Kjo nuk ka lidhje me tërmetin e Durrësit.
Po thuhet se njerëzit nga ndjesia që kanë pasur nga tërmeti i 26 nëntorit krijohet ndjesia e frikës, për vetë faktit që kemi dy të njëjtin nivel, këto janë një grumbuj tërmetesh që shoqërohet me pasgoditje të vogla, ku magnitutat do të jenë më të ulëta”, tha Ormeni./TCh/