Turqia ka ndaluar të mërkurën konsumimin e duhanit në ambientet publike, për të ngadalësuar rritjen e pacientëve me simptoma të koronavirusit.
Ministria e Brendshme tha në një njoftim se ndalimi i pirjes së duhanit synonte që qytetarët të respektonin rregullat për të mbajtur maskat mbrojtëse siç duhet në publik, sepse njerëzit janë parë t’i ulnin ato ndërsa pinin duhan.
“Për këtë arsye, në mënyrë që të sigurohemi që maskat të përdoren në çdo kohë dhe siç duhet, që nga 12 nëntori 2020, do të vendoset një ndalim i pirjes së duhanit në zona dhe rajone të tilla si rrugët e mbushura me njerëz, sheshet e nevojshme publike dhe ndalesat e transportit publik.”– tha ministria, citon Reuters.
Më parë, ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca u kishte bërë thirrje qytetarëve të respektojnë plotësisht rregullat e mbajtjes së maskave dhe distancës shoqërore. “Unë po ju kërkoj vetëm të bëni atë që mundeni. Asgjë më shumë.”- shkroi Koca në Twitter.
Në fillim të kësaj jave, një bllokim i pjesshëm për të moshuarit u vendos në disa provinca, duke përfshirë Ankaranë dhe Stambollin. Qytetarët mbi 65 vjeç ndalohen të jenë jashtë midis orës 10 të mëngjesit deri në 4 të pasdites.
Presidenti Tajip Erdogan njoftoi javën e kaluar se të gjitha bizneset, përfshirë restorantet, kafenetë, pishinat dhe kinematë, do të mbyllen në orën 10:00 çdo ditë si pjesë e masave kundër pandemisë.