PBB është rreth 2400 euro për frymë në rajonin e Pollogut, ndërsa në rajonin e Shkupit është rreth 7300 euro. Kjo tregon se qytetarët e komunave më të mëdha të Tetovës dhe Gostivarit, si dhe ata në zonat si Jegunoci, Zhelina, Tearca e të tjerët, kanë standardin më të ulët të jetesës krahasuar me bashkëqytetarët e tyre në shtatë rajonet e tjera
Evis HALILI
Shkup, 12 nëntor – Hendeku i zhvillimit ekonomik mes rajoneve në Maqedoni po thellohet. Diferencat janë të theksuara mes Shkupit dhe shtatë rajoneve të tjera, sidomos me atë të Pollogut ku standardi i jetës është më i ulët. Dallimet rajonale dhe pozicionimi më i keq i rajonit të Pollogut, siç thonë ekspertët, mes të tjerash vjen edhe si pasojë e riorientimit të të rinjve në sektorin publik, si punëdhënësi më i madh pas arritjes së Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Fuqia tërheqëse e metropolit, por edhe punësimi në administratën shtetërore, sipas ekspertëve, kanë dobësuar ekonominë në vend për vite me radhë, ndërsa me shembullin më të spikatur është rajoni i Pollogut, ku sipas të dhënave më të fundit nga Zyra e Statistikave të Shtetit, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është pothuajse 5000 euro më i ulët se PBB për frymë në Rajonin e Shkupit.
Sipas të dhënave të botuara së fundmi nga Enti Shtetëror i Statistikave, PBB është rreth 2400 euro për frymë në rajonin e Pollogut, ndërsa në rajonin e Shkupit është rreth 7300 euro. Kjo tregon se qytetarët e komunave më të mëdha të Tetovës dhe Gostivarit dhe ata në zonat, si Jegunoci, Zhelinë, Mavrovë dhe Rostushë, Tearca e të tjerët, kanë standardin më të ulët krahasuar me bashkëqytetarët e tyre në shtatë rajonet e tjera planifikuese. Po ashtu, nën mesataren e PBB-së për frymë jetojnë edhe banorët në Rajonin Jugperëndimor, Lindor dhe Verilindor. Një tregues tjetër i ndryshimeve të thella në standardin e jetesës së qytetarëve janë pagat. Fakti që vetëm në Rajonin e Shkupit paga mesatare neto është mbi mesataren në vend – është i habitshëm. Konkretisht, paga mesatare më e lartë neto është në rajonin e Shkupit, në nivelin 28.872 denarë, dhe më e ulta në rajonin verilindor – 19.761 denarë. Diferenca është rreth 9000 denarë. Ndryshimet rajonale dhe pozita më e keqe e Rajonit të Pollogut krahasuar me të gjitha rajonet e tjera të planifikimit ka qenë e tillë që nga viti 2006, sqaron akademiku Abdylmenaf Bexheti. Sipas tij, standardi mund të përmirësohet përmes përpjekjeve për investime, si në sektorin privat, i cili kërkon një klimë të qëndrueshme biznesi dhe institucione, ashtu edhe përmes investimeve kapitale nga sektori publik, të tilla si gazifikimi, energjia, mjedisi, arsimi, shëndetësia.
“Së pari, një problem i veçantë është prirja përkeqësuese e përhershme që ka çuar në një hendek kaq të madh dhe ka të ngjarë të vazhdojë, sepse politikat dhe masat për një zhvillim më të ekuilibruar ekonomik janë lënë pas dore prej kohësh. Ato ishin kaq të parëndësishme ose, nëse i përcaktojmë sasiorisht ato financiarisht, ishin diku 17 -18 herë më i ulët se sa kërkohet nga ligji. Buxheti i Byrosë për Zhvillimin e Balancuar Ekonomik është rreth gjashtë milionë euro në vit dhe i duhen të paktën 100 milionë”, thotë Bexheti. Ai shton se përveç mungesës së masave, ndryshimet drastike në strukturën ekonomike të rajoneve, nga deindustrializimi ekstrem i rajonit në bujqësinë joprodhuese dhe jofitimprurëse në rajonin e Pollogut, gjithashtu kontribuan në krijimin e këtij problemi.
Këto të dhëna tregojnë një politikë të keqe rajonale, sipas analistit Zdravko Savevski. “Përveç problemit të migrimit jashtë vendit, ekziston një migrim i madh në Rajonin e Shkupit, për shkak të mundësive më të mira të punësimit dhe pagave më të larta. E gjithë kjo do të thotë që angazhimi për zhvillimin e ekuilibruar rajonal duhet të pushojë së qeni një frazë e zbrazët dhe të fillojë të zbatohet në praktikë”, shpjegon Savevski. Shteti, sipas Savevskit, duhet të parashikojë investime më të mëdha kapitale në zona më pak të zhvilluara, nxitje më të mëdha për punësim në rajone të tjera përveç Shkupit, si dhe përfitime të ndryshme për investitorët e huaj në rajone të tjera përveç Shkupit. Efektet negative në të gjithë situatën në vend jepen nga papunësia e lartë në sektorin real dhe riorientimi i të rinjve në sektorin publik si punëdhënësi më i madh pas arritjes së marrëveshjes kornizë. Sipas hulumtimit të ESHS-së, papunësia është me intensitet të ndryshëm në të gjitha rajonet. Rajoni Verilindor është në krye për sa i përket papunësisë, me një normë prej 33 për qind. (koha.mk)