Nga Pierre Haski
Tanimë është sfida kryesore për çdo president të ri të Shteteve të Bashkuara:të përcaktojë një “politikë të qartë ndaj Kinës”. Në fakt, marrëdhënia midis Uashingtonit dhe Pekinit është themeli i marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin XXI.
Kina nuk ka reaguar ende zyrtarisht për fitoren e Xho Bajden. Sigurisht kjo zgjedhje, nuk është diktuar nga dëshira për të shmangur zemërimin e Donald Trump, por nga fakti se marrëdhëniet midis 2 gjigantëve janë bërë aq konfliktuale, saqë qeveria kineze preferon ta shtyjë këtë moment.
Bajden ka një avantazh ndaj Trumpit:ai e njeh Kinën prej shumë kohësh. Në fakt qasja e tij e parë ndaj vendit komunsit daton që në vitin 1972, kur ai ishte një senator i ri dhe kur dy vendet sapo kishin vendosur marrëdhëniet diplomatike.
Më vonë, si zëvendëspresident, Barack Obama e ngarkoi më detyrën e zhvillimit të një marrëdhënie me Xi Jinping, asokohe numri 2 i regjimit në përgatitetje për t’u bërë numri 1. Bajden ka deklruar se Kina do të jetë marrëdhënia më e rëndësishme ndërkombëtare për Shtetet e Bashkuara.
Por kjo nuk do të thotë se pozicioni i Uashingtonit do të jetë “më i butë”, siç e nënkuptoi menjëherë Donald Trump. Në një shkrim të botuar nga revista “Foreign Affairs” në muajin mars, Bajden e pranoi se ka nevojë për një “ashpërsim të tonit” ndaj Pekinit.
Me siguri ky është i vetmi lëshim i bërë nga nisma e Trump. Xho Bajden e ka vënë theksin tek të drejtat e njeriut në Kinë, por sa larg synon të shkojë ai? Në çdo rast Bajden kundërshton metodat e përdorura nga paraardhësi i tij, duke filluar me mungesën e koordinimit me aleatët e SHBA-së në Evropë dhe Azi.
Ka të ngjarë që në të gjitha diskutimet me administratën e re, të përfshihet një parantezë kushtuar Kinës. Në këtë pikë udhëheqësit kinezë do të donin të kuptonin se cili është qëllimi i Bajden. Trump kishte dhënë përshtypjen se e konsideronte “luftën e ftohtë” me Kinën një qëllim më vete, duke adoptuar një diplomaci të bazuar tek transaksioni (ku SHBA i shiste Kinës më shumë sojë) dhe ndonjëherë ndëshkuese.
Efektiviteti i metodës ishte tashmë i diskutueshëm edhe 4 vjet përpara se Covid-19 t`i acaronte shumë gjëra. Presidenti i ri premton të adresojë sfidën politike, teknologjike dhe ushtarake të lëshuar nga Pekini. Por ka nga ata në Kinë që dëshirojnë të besojnë se Bajden do t’i lërë vend bashkëpunimit.
A do të jetë në gjendje ai të rihapë një dialog me Kinën? Fillimisht kjo gjë do të jetë mjaft e ndërlikuar, pasi lista e mosmarrëveshjeve është shumë e gjatë. Për më tepër, prioriteti i presidentit të ri do të jetë rikthimi i SHBA-së në rrugën e duhur.
Por Bajden është një njeri pragmatik, dhe ka të ngjarë që nëse mbështetet nga aleatët e tij dhe ruan konsensusin ndërsektorial mbi politikën kineze që ekziston sot në Shtetet e Bashkuara, ai do të përpiqet të realizojë një hapje ndaj Pekinit. Dhe topi do të kalojë në fushën e këtij të fundit.
Për momentin, udhëheqësit kinezë duket se nuk e kanë kuptuar ende se për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve të tyre me Perëndimin, do të jetë e nevojshme të pranohen rregulla të ndryshme loje.
Në Kinë, Xi Jinping e vë vazhdimisht theksin tek vetë-mjaftueshmëria teknologjike, i bindur se përmirësimi i marrëdhënieve është shumë larg, dhe se Shtetet e Bashkuara janë në një fazë rënieje. Rreziku sot është që ndryshimi i lidershipit në Uashington, të kthehet në një mundësi të humbur për të shmangur një rivalitet sistematik me pasoja të paparashikueshme. / “Internazionale” – Bota.al