Imuniteti ndaj Covid-19 pas infektimit të parë mund të zgjasë më shumë se ç’mendohet deri më tani. Në këtë përfundim arrin një studim i një grupi të gjerë virologësh në Shtetet e Bashkuara, publikuar nga portali Bajorksiv, i konsideruar si arkivi më i madh online në fushën e Biologjisë.
Pavarësisht se në studimet e mëhershme ishte arritur në përfundimin se antitrupat qëndrojnë jo më shumë se tre muaj në gjak pas kalimit të infeksionit të parë, grupi i virologëve amerikanë thotë se imuniteti ndaj koronavirusit mund të zgjasë të paktën 8 muaj, e ndoshta edhe me vite.
Kjo është konstatuar edhe nga analizat e gjakut të kryera 185 persona të shëruar nga Covid-19, që morën pjesë vullnetarisht në studim.
Konstatimi bazohet po ashtu edhe tek analizat e pacientëve që kanë kaluar infektimin nga SARS, një tjetër lloj koronavirusi shumë i ngjashëm me Covid-19.
Analizat konstatuan se në gjakun e këtyre pacientëve u zbulua prania e qelizave të rëndësishme imunitare edhe 17 vitë pas shërimit.
Virologët shpjegojnë se pavarësisht se niveli i qelizave imunitare bie tek pacientët e shëruar me kalimin e kohës, aktiv për një periudhë të gjatë vijon të jetë i ashtuquajturi “imunitet sterilizues”, që nënkupton se qelizat imunitare ruajnë kujtesën nga infektimi i parë dhe reagojnë më shpejtë nëse trupi bie në kontakt sërish me të njëjtin virus.
Ndaj sipas studimit, mundësia e riinfektimit dhe e pasojave të rënda është shumë herë më e ulët se në rastin e parë.