Ballina Aktualitet Lajme Koronavirusi i merr jetën personazhit të njohur të Tiranës “Ver Llapa” (VIDEO+FOTO)

Koronavirusi i merr jetën personazhit të njohur të Tiranës “Ver Llapa” (VIDEO+FOTO)

Të gjithë e njihnin si “Ver Llapa” pasi me mimikën dhe gjuhën e tij të stërmadhe përqeshte fatin dhe mjerimin nëpër rrugët e Tiranës.

I dashur për shumicën dhe i fyer nga një pakicë, Veri për dhjetëra vite ishte një nga personazhet më pikante të Tiranës.

Bohemi që u shndërrua në mik por edhe përqeshës i shumë politikanëve, personazh i famshëm i qindra memeve pikante, është ndarë nga jeta ditën e djeshme.

Lajmin e jep Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar për Integrimit e Jetimëve, shoqëruar edhe me një përkushtim plot dashuri dhe vlerësim.

“PËRSHPIRTJE PËR NJERIUN E MIRË….

Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje të gjithë këtij realiteti absurd ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…

Ndaj, asgjë nuk duhet marrë seriozisht… Ishe engjëlli më i bukur dhe më i pafajshëm mbi këtë tokë, një dëshmi e gjallë ku luhet drama njerëzore, shkaktuar prej makutërve të panginjur e zemër katranë të pashpirtë, por të pangjashëm me pafajësinë dhe shpirtin tënd të bukur e të dëlirë naiv…

Ik VERI, prehu i qetë prej gjithë atij stërmundimi e përvuajtje të paepur që dëshmove në jetën tënde, një sakrificë prej cigani e bohemi që aq shumë ta adhuroja… Pusho në Paqe o NJERI ….. I mrekullueshëm i Zotit. R.I.P”, shkruan Çumani.

n.d./abcnews.al