Lideri turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se Franca duhet të heqë qafe presidentin francez Emmanuel Macron, që sipas tij i ka shkaktuar një barrë të rëndë vendit.
Erdogan i bëri këto komente ndërsa fliste me grupin e ndërmjetësimit të OSBE-së për konfliktin e Nago-Karabakut mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Roli i Francës si ndërmjetës ishte zhdukur me kalimin e viteve. Macron është një barrë për Francën. Macron dhe Franca në të vërtetë po kalojnë një periudhë shumë të rrezikshme. Shpresa ime është që Franca të heqë qafe problemin Macron sa më shpejt të jetë e mundur.”- deklaroi Erdogan, citon RT.
Javën e kaluar, Senati i Francës, miratoi një rezolutë jo-detyruese që i bën thirrje Parisit të njohë zyrtarisht pavarësinë e Nago-Karabakut, edhe pse këmbënguli se nuk do të kishte efekt në politikën e saj të jashtme. Kjo rezolutë u kritikua shumë nga Azerbajxhani dhe nga Turqia.
“Vëllai i dashur Ilham Aliyev tha që nëse ata i duan aq shumë armenët, duhet t’i japin Marsejën armenëve dhe unë po jap të njëjtën këshillë.”- tha Erdogan duke iu referuar një deklarate të mëparshme të Aliyev.
Kjo nuk është hera e parë që Erdogan e sulmon presidentin Macron. Më parë dy liderët janë përplasur mbi retorikën për Islamin dhe grupet radikale myslimane në Francë, pas vrasjes së mësuesit francez Samuel Paty.